Para tetë muajsh, 1.463 milionë zgjedhës brenda vendit votuan në zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë, numri i banorëve të rritur (18 vjeç e sipër) ishte atëherë rreth 1.911 milionë. Pra vetëm 23% e banorëve të rritur të vendit nuk morën pjesë në zgjedhje.
Vijmë tani tek e diela e fundit…
Nëse do të ishin zhvilluar zgjedhje parlamentare të parakohshme këtë të dielë, plot 41% e banorëve të rritur të vendit nuk do të votonin për asnjë nga partitë ekzistuese. Kështu rezultoi nga sondazhi im i fundit, i cili kishte kampion statistikisht përfaqësues të popullsisë së rritur të vendit.
Dhe cili ishte shkaku i këtij shtimi të mosvotimit nga 23% në 41%?
Meqenëse në sondazh i pyetëm të anketuarit sesi kishin votuar më 11 maj 2025, ishte e mundur të përcaktohej se cilët nga pjesëmarrësit e para tetë muajve nuk janë gati të votojnë sot asnjë nga partitë ekzistuese. Dhe rezultoi se mbi treçereku i shtimit të mosvotuesve vinte nga spektri opozitar – dmth ishin zgjedhës që kishin votuar më 11 maj për partitë e ndryshme opozitare dhe që sot nuk votojnë fare. (Ndër partitë opozitare përfshihen PD-ASHM, Lëvizja Bashkë, Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, Partia Mundësia, Partia Koalicioni Euroatlantik, Koalicioni Djathtas për Zhvillim, etj. etj.).
Me pak fjalë, aktualisht kemi një depresion të thellë elektoral opozitar…
Komente










