Eduard Zaloshnja: Kursi i këmbimit valutor zhvlerëson djersën e emigrantëve

Eduard Zaloshnja: Kursi i këmbimit valutor zhvlerëson djersën e emigrantëve

Foto ilustruese

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë rreth 90% e transaksioneve hyrëse dhe dalëse të valutës në Shqipëri bëhen në euro. Prandaj dhe kjo monedhë shërben si ankorë për kursin e këmbimit të monedhave të tjera në tregun e brendshëm (p.sh., meqë 1 dollar këmbehet aktualisht me 0.94 euro në bursat ndërkombëtare, dollari është 6% më ulët se euro në tregun e brendshëm).

Nga 1 janari deri më sot, kursi i këmbimit të euros ndaj lekut ka pësuar një rënie prej 5.17% (shihni grafikun shoqërues). Ndërsa qysh kur Edi Rama filloi punë si Kryeministër, kursi i këmbimit të euros ka pasuar një rënie prej 18% (më 20 shtator 2013, një euro këmbëhej me 139.5 lekë, ndërsa sot me 114.5 lekë).

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë nuk e shpiegonë dot këtë rënie të kursit të këmbimit valuator në tregun e brendshëm, ngaqë bilanci zyrtar i pagesave ka rezultuar çdo vit me deficit (zyrtarisht, ka dalë më shumë valutë se sa ka hyrë, e kështu kursi i këmbimit valuator duhej të ishte ngritur e jo të ishte ulur). Por analiza e kësaj dukurie kërkon një tjetër analizë…

Në fokusin e analizës këtu, është efekti që ka patur rënia e kursit të këmbimit valuator tek familjet që mbahen me dërgesat valutore të të afërmve të tyre në emigracion.

Equivalenti i rreth 1 miliard eurove hyn mesatarisht në vit në formën e dërgesave valutore të emigrantëve për familjarët e tyre (sipas Bankës s ë Shqipërisë, vetëm në 9-mujorin e parë të këtij viti, dërgesat ishin rreth 600 milionë euro përmes kanaleve zyrtare financiare, pa llogaritur dërgesat/dhëniet në cash). Në Bashkinë e Tiranës, e cila ka të ardhurat më të larta familjare sipas INSTAT-it, rreth 45% e familjeve marrin dërgesa valutore nga emigrantët (kjo, sipas një sondazhi ekonomiko-social që dizenjova dhe drejtova në të gjithë territorin e bashkisë). Mund të imagjinohet lehtë se sa është kjo përqindje në bashki më të varfëra…

Në qoftë se kursi i këmbimit valuator do të kishte mbetur në nivelet e viteve 2009-2015 (para se të fillonte të tatëpjetën në gjysmën e dytë të vitit 2016), dërgesat e emigrantëve do tu siguronin familjarëve në Shqipëri rreth 18% më shumë lekë. Më konkretisht, ata do të kishin në dorë edhe 250 miliardë lekë të vjetra për të shpenzuar çdo vit!!!

Përveç ndihmës së madhe ndaj familjeve që marrin dërgesa valutore, ky 250 miliardsh do të ishte edhe një ndihmë e madhe për mijra dyqane dhe kafene lagjesh e fshatrash, ku familjarët i shpenzojnë dërgesat valutore që marrin. Një xhiro ekstra prej 250 miliard lekësh të vjetra do t’i jepte frymëmarrje shumë familjeve që mbahen me vetëpunësimin në dyqanet dhe kafenetë e lagjeve e fshatrave.

Rënia drastike e kursit të këmbimit valuator ka ndikuar për keq edhe tek eksportuesit, të cilët sigurojnë më pak lekë (kur këmbejnë valutën me lekë për vazhdimin e prodhimit në vend), apo tek ata qytetarë që i kanë depozitat bankare në valutë. Ndërsa përfituesit janë ata që blejnë valutë në tregun e brendshëm për të siguruar mallra e shërbime të tregut të jashtëm. Por edhe kjo është një analizë për një shkrim tjetër…

Duke u kthyer tek familjet që varen financiarisht tek dërgesat e emigrantëve (45% vetëm në Bashkinë Tiranë), ndihma më e shpejtë që mund të vijë për ta është ajo prej Bankës së Shqipërisë.  Pavarësisht se misioni i saj kryesor është mbajtja nën kontroll e inflacionit, Banka e Shqipërisë ndërhyn në tregun e brendshëm valuator për të zbutur disbalancat, apo për të shtuar rezervat valutore të thesarit.

Gjatë këtij viti, Banka e Shqipërisë ka blerë në tregun e brendshëm rreth 165 milionë euro valutë çdo tremujor, duke shtuar këshu rezervat e thesarit të saj. Por duket qartë se këto blerje nuk kanë mundur dot ta ndalojnë rënien prej 5.2% të kursit të këmbimit brenda këtij viti.  Ndoshta duhen blerje shumë më të fuqishme të saj në tregun e brendshëm valuator që kursi i këmbimit të rikthehet në nivelet e një viti më parë. Pa shpresuar në rikthimin tek 8 vite më parë…

Kursi i këmbimit

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kendveshtrim tjeter: 19/12/2022 17:34

    Shumica e mallrave te shportes importohen. Cmimet e importeve ne euro jane rritur ndjeshem. Te nderhysh per te ulur vleren e lekut do te thote te ulesh fuqine blerese per te gjithe (edhe per ata qe nje pjese te te ardhurave i kane nga transfertat). Po ata qe i kane marre kredite ne euro (perfshire ketu edhe vete shtetin shqiptar) cfare do benin sikur rritjes se normave t’i shtohej edhe forcimi i euros? Po bankat qe i kane dhene ato kredi cfare do benin? Se fundmi, po familjet e studenteve qe studjojne jashte pse duhet te paguajne me shume per arsimimin e femijeve nga sa thote tregu?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë