Në pranverën e vitit 2018, sheshet e Armenisë u shndërruan në skenën e një ndryshimi të thellë politik. 42-vjeçari Nikol Pashinyani, një ish-redaktor gazete dhe kryetar i një partie të vogël me vetëm 4 mandate parlamentare (nga 105 gjithsej), udhëhoqi protesta paqësore që e detyruan udhëheqësin e çimentuar të asaj kohe të jepte dorëheqjen. Më 8 maj 2018, parlamenti zgjodhi Pashinyanin si kryeministër, duke përmbyllur një rrotacion kryesisht paqësor të pushtetit, i cili u mbiquajt “Revolucioni i Kadifenjtë” i Armenisë.

Shkaku i drejtpërdrejtë i protestave ishte kalimi i 64-vjeçarit Serzh Sargsyanit nga posti i presidentit në atë të kryeministrit. Pasi kishte qenë president për një dekadë, Sargsyani u bë kryeministër më 17 prill 2018 (ndryshimet kushtetuese të miratuara në vitin 2015 ia kishin dhënë kompetencat kryesore postit të kryeministrit). Për kundërshtarët e Sargsyanit, rokada e posteve përfaqësonte një përpjekje për të ruajtur pushtetin, pavarësisht kufizimit të mandateve presidenciale.

Pakënaqësia e qytetarëve shkonte përtej së ardhmes politike të një individi. Zemërimi ndaj korrupsionit, favorizimeve politike dhe mundësive të kufizuara ekonomike u dha protestave mbështetje më të gjerë. Pashinyani premtonte ta sfidonte një sistem të tillë, në të cilin ndikimi politik dhe privilegjet ekonomike ishin të lidhura ngushtë. Mesazhi i tij ndihmoi që kundërshtimi ndaj Sargsyanit të shndërrohej në një kërkesë më të gjerë për ndryshim.

Arma më e fortë politike e Pashinyanit ishte mobilizimi i vazhdueshëm qytetar. Demonstruesit mbushnin plot e përplot sheshin qendror gjigand të Jerevanit dhe marshonin nëpër kryeqytet, duke e vënë qeverinë nën trysni. Kërkesat e protestës përqendroheshin te reformat e brendshme politike-ekonomike.

Përballja arriti një pikë kthese më 22 prill, kur bisedimet mes Pashinyanit dhe Sargsyanit dështuan. Pashinyani u ndalua nga policia, por demonstratat vazhduan. Të nesërmen, Sargsyani dha dorëheqjen, duke u dorëzuar ndaj forcës së lëvizjes protestuese. Një rend politik që dukej i rrënjosur thellë u dorëzua përballë trysnisë së protestave.

Sidoqoftë, dorëheqja e Sargsyanit nuk e bëri automatikisht Pashinyanin kryeministër. Partia Republikane ende kontrollonte bindshëm parlamentin, dhe më 1 maj, e bllokoi përpjekjen e tij të parë për t’u zgjedhur kryeministër. Pashinyani u përgjigj duke bërë thirrje për rifillimin e protestave. Protestuesit bllokuan rrugët kryesore (përfshirë edhe ato që të çonin drejt aeroportit të Jerevanit), duke dhënë sinjalin se lëvizja do të vazhdonte deri në kalimin e pushtetit tek Pashinyani.

Zgjidhja erdhi më 8 maj. Me mbështetjen edhe të jo pak deputetëve të mazhorancës, Pashinyani fitoi votimin parlamentar me 59 vota pro dhe 42 kundër. Më pas, Presidenti Sarkissian e emëroi zyrtarisht kryeministër. Kështu, ardhja e tij në pushtet ndërthuri trysninë e një lëvizjeje masive protestash me procedurën kushtetuese për zgjedhjen e kreut të qeverisë.

Pashinyani e forcoi pozitën e tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 9 dhjetorit 2018. Aleanca e tij, “Hapi im”, siguroi rreth 70.4% të votave, duke e shndërruar suksesin e lëvizjes së protestave në një mandat të fuqishëm elektoral.

Ndryshimi politik në Armeni në vitin 2018 tregoi se mobilizimi i vazhdueshëm qytetar mund ta detyronte një parti të konsoliduar në qeverisje të dorëzonte pushtetin. Megjithatë, për Pashinyanin, marrja e detyrës ishte vetëm fillimi: sfida e radhës ishte që t’i kthente premtimet për ndryshim politik në qeverisje të mirë…