Ndarja e re territoriale e vendit u votua dje në Kuvend. Dhe pas disa muajsh do të zhvillohen zgjedhjet bashkiake sipas kësaj ndarje të re territoriale. Po të mos ishte miratuar tani kjo ndarje, do të mbetej të kryhej, kismet, pas katër vjetësh...
Një nga pyetjet më të rëndësishme rreth ndarjes së re territoriale ishte ajo për numrin e bashkive. Por që të arrihej tek ai numër, duhej bërë një shikim historik i ndarjes territoriale së Shqipërisë, duke filluar nga pavarësia e saj.
Nga shpallja e pavarësisë deri në Luftën e Dytë Botërore, vendi ynë ishte i ndarë në prefektura, nënprefektura, bashki dhe komuna (sipas kësaj hierarkie). Ajo ndarje bazohej në kritere gjeografike, historike dhe ekonomike (me një ndikim franko-italian në formimin e asaj ndarjeje). Prefektët sidomos, sindozot në Francë dhe Itali, ishin asokohe personalitete me fuqi të madhe politike.
Me ardhjen e Partisë Komuniste në pushtet (pas Luftës së Dytë Botërore), ndarja e mëparshme territoriale u ndryshua gradualisht dhe u krijuan eventualisht 26 rrethe, komitetet ekzekutive të të cilave administronin qytetet, lokalitetet, dhe fshatrat brenda secilt rreth.
Me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, u rikthye një version i ndarjes territoriale të paraluftës, me qarqe, rrethe, bashki dhe komuna. Por prefektët e qarqeve nuk e kishin më fuqinë politike që kishin patur paraardhësit e tyre të dikurshëm. Vendi u nda në 12 qarqe, që përfshinin në to 36 rrethe. Brenda çdo rrethi kishte bashki dhe komuna, drejtuesit e të cilave zgjidheshin drejtpërdrejt nga banorët.
Në vitin 2014, Partia Socialiste propozoi që komunat dhe bashkitë e vogla të suprimoheshin dhe vendi të kishte vetëm 36 bashki gjithsej – një për secilin rreth. Por për t’u miratuar ajo ndarje duheshin në Kuvend edhe votat e LSI-së dhe PDIU-së. Dhe negociatat me ato parti të vogla prodhuan një hartë me 61 bashki, e jo me 36...
Dekada e shkuar ka treguar se jo pak bashki të vogla (ndër 61 gjithsej) nuk kanë funksionuar siç duhet. Prandaj lindi nevoja që disa t’u përngjiteshin bashkive më të mëdha. Dhe pyetja është pse nuk u shkua tek versioni fillestar me 36 bashki?
Po të ndiqen vetëm kriteret historike, gjeografike dhe ekonomike, është më se e arsyeshme që të kemi vetëm 36 bashki. Por sidoqoftë, mund të bëhet ndonjë përjashtim, duke mbajtur parasysh edhe kritere të tjera si ato të funksionalitetit, të dendësisë së popullsisë, të aftësisë fiskale, aftësisë së thithjes së fondeve për investime, etj.
Fjala vjen, nisur vetëm nga kriteret historike, gjeografike dhe ekonomike, Kamza dhe Vora do të duhej t’i përngjiteshin Bashkisë Tiranë. Por kritere të tjera si ato të funksionalitetit, të dendësisë së popullsisë, të aftësisë fiskale, aftësisë së thithjes së fondeve për investime, etj. mund ta justifikonin ekzistencën e tyre si një bashki më vete të përbashkët Kamëz-Vorë.
Më tej, një bashki si Mirdita mund të mos i përmbushë dot kritere si ato të funksionalitetit, të dendësisë së popullsisë, të aftësisë fiskale, aftësisë së thithjes së fondeve për investime, etj., por ajo përmbush një kriter të fortë historik – ka qenë e vetmja krahinë praktikisht autonome në Shqipëri përgjatë pesë shekujve të sundimit otoman!
Nga sa më sipër, do të duhej që ndarja e re territoriale të rezultonte në 36 bashki, ose diçka më shumë…
Sipas deklarimeve publike, ndarja në rajone (që pritet të bëhet për herë të parë në Shqipëri), do të realizohet në një fazë të dytë, ngaqë nuk lidhet me zgjedhjet lokale të pranverës 2027. Për atë ndarje, kriteret historike, gjeografike dhe ekonomike janë mëse të mjaftueshme. Bazuar në to, vendi mund të ndahet në 5 rajone: Rajoni Veriperëndimor (qarqet Shkodër e Lezhë), Rajoni Verilindor (qarqet Dibër e Kukës), Rajoni Qendror (qarqet Tiranë e Durrës), Rajoni Juglindor (qarqet Elbasan e Korçë), dhe Rajoni Jugperëndimor (qarqet Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër).








Komente
Komento