Eduard Zaloshnja: Rama synon të paktën 86 mandate, por a do t’i arrijë?

Eduard Zaloshnja: Rama synon të paktën 86 mandate, por a do t’i arrijë?

Edi Rama

Edi Rama mblodhi dje drejtuesit politikë të qarqeve të PS dhe kryebashkiakët e majtë të vendit tek Pallati i Kongreseve. Edhe pse nuk ka patur ndonjë deklaratë publike pas asaj mbledhjeje, qarkullojnë zëra se Rama ka kërkuar përmirsim të rezultatit të PS-së në çdo qark, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

Më 2021, PS-ja siguroi 74 mandate parlamentare. Në qoftë se arrihet përmirësim rezultati i PS-së në çdo qark, i bie që të marrë të paktën 86 mandate më 2025 (74 plus nga 1 në 12 qarqet). Po sa e mundur është kjo?

Nga një analizë statistikore e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve të vitit 2021, rezulton se PS-ja mori mbi 104 mijë vota të vlefshme më shumë se ç’i duheshin për 74 mandatet që siguroi në ato zgjedhje. Kjo llogaritet duke ulur votat e PS-së në secilin qark deri në atë pikë ku mandatet e saj nuk do të rrezikoheshin nga partitë e tjera në garë.

Për shembull, në Qarkun Tiranë PS-ja do të siguronte po 18 mandate, edhe sikur të merrte 21715 vota të vlefshme më pak seç mori. Ose në Qarkun Elbasan do të siguronte po 8 mandate edhe sikur të merrte 20078 vota të vlefshme më pak seç mori (shihni tabelën shoqëruese).

 Analiza e sipërpërmendur shërben si udhërrëfyes statistikor për mundësinë e shtimit nga 1 mandat për PS-në në çdo qark.

Qarku Tiranë është kandidati më i mundshëm, sepse PS-ja mori atje 21715 vota të vlefshme më shumë seç i duheshin për të siguruar 18 mandatet e 2021-shit. Për më tepër, si rrjedhojë e rritjes së numrit të shtetasve që figurojnë në regjistrin e Gjendjes Civile të qarkut, Tirana do të ketë 37 mandate parlamentare (nga 36 që kishte).

Qarku Elbasan është kandidati i dytë më i mundshëm, sepse PS-ja mori atje 20078 vota të vlefshme më shumë seç i duheshin për të siguruar 8 mandatet e 2021-shit.

I treti është Qarku Dibër, ku PS-ja mori 14232 vota të vlefshme më shumë seç i duheshin për të siguruar 2 mandatet e 2021-shit.

Në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Vlorë e Korçë është statistikisht e mundshme që PS-ja të shtojë nga një mandat, në qoftë se i përmirëson disi përqindjet e votave të 2021-shit. Më e vështirë do të jetë në qarqet Berat dhe Gjirokastër, ndërsa pothuaj e pamundur në Qarkun Kukës.

SHËNIM: Në ndonjë qark ku kryebashkiakët e PS-së shënuan epërsi të thellë ndaj kandidatëve të Berishës, ekziston mundësia që PS-ja të shtojë nga 2 mandate, krahasuar me 2021-shin.

Xh.K/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën