Pas “Foltores” së tretë të Berishës para Kryeministrisë, ku ishin mbledhur më pak se 300 “petrita”, bëra një analizë të të gjitha sondazheve që kam zhvilluar nga 11 maji e këtej (publike dhe private). Synimi im statistikor ishte që të llogarisja me përafërsi sa përkrahës i kanë mbetur aktualisht Berishës në popullsinë e rritur të Shqipërisë prej 1.9 milion banorësh 18 vjeç e sipër.

Teksa rreth 500 mijë banorë të rritur këtu votuan për koalicionin e “Shqipërisë Madhështore” të udhëhequr prej Berishës më 11 maj, tani më rezulton se atij i kanë mbetur vetëm 360 mijë simpatizantë.  Dhe nga këta 360 mijë simpatizantë, as 300 nuk i shkuan në “Foltoren” e tretë para Kryeministrisë…

Duke krahasuar shifrat e simpatizantëve të Berishës me pjesëmarrësit e “Foltores” së tij mund të arrihet në një përfundim të qartë: Edhe ata që kanë mbetur simpatizantë të Berishës nuk e marrin mundimin të shkojnë ta demonstrojnë përkrahjen ndaj tij publikisht.

Kjo tablo statistikore të kujton personazhin ‘Plaku Mere’ te filmi ‘Njeriu me Top’, i cili numëronte rruazat që i largoheshin një nga një prej tespijeve të tij…