Herë pas here, bëhen hamendje apo deklarata publike nga më të ndryshmet rreth numrit të shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë vendit. Por në fakt, llogaritja është thjesht aritmetike. Mjafton që të krahasohet aritmetikisht numri i shtetasve në Regjistrin e Gjendjes Civile me numrin e banorëve të këtushëm (që INSTAT e publikon çdo vit, qysh prej krijimit të tij)…
Kështu, në Regjistrin e Gjendjes Civile figurojnë aktualisht 4.7 milionë shtetas shqiptarë. Ndërsa sipas vlerësimit statistikor të INSTAT-it, banojnë në vendin tonë rreth 2.35 milionë nga këta shtetas. Pra rreth 50% banojnë jashtë vendit.
Në vitin 2011, kur u bë regjistrimi i parafundit i popullsisë, në Regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 4.3 milionë shtetas shqiptarë. Ndërkohë, nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, numri total i banorëve brenda vendit rezultoi 2.8 milionë. Pra rreth 35% banonin jashtë vendit.
Në vitin 2001, kur u bë regjistrimi i parë i popullsisë pas hapjes së kufijve, në Regjistrin e Gjendjes Civile figuronin pothuaj 4 milionë shtetas shqiptarë, ndërsa nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2001, numri total i banorëve rezultoi 3 milionë. Pra rreth 25% banonin jashtë vendit.
Në vitin 1989, kur u bë regjistrimi i fundit i popullsisë para hapjes së kufijve, në Regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 3.21 milionë shtetas shqiptarë, ndërsa nga regjistrimi i popullsisë në vitin 1989, numri total i banorëve rezultoi 3.18 milionë. Pra vetëm 1% banonin jashtë vendit (emigrantë politikë apo ekonomikë). Përmbledhtas shifrat e mësipërme ilustrohen në grafikun e mëposhtëm.

Komente











