Në prill drejtova një vrojtim statistikor në terren mbi vetidentifikimin ideologjik dhe bindjet/vlerat e banorëve të rritur të Shqipërisë. Studimi u financua nga fondacioni gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS)* dhe u bazua në një kampion të rastësishëm dhe të shtresëzuar gjeografikisht prej 1119 të rriturish në të 12 qarqet, duke siguruar përfaqësim demografik, gjeografik dhe politik me një marzh gabimi statistikor nën 2.9%.

Ndër pyetjet e shumta në pyetësor, kishte edhe pyetje për moshën, mënyrën e votimit vjet dhe vetidentifikimit ideologjik (pavarësisht mënyrës së votimit). Duke kryqëzuar përgjigjet për këto pyetje, llogarita se sa të anketuar të çdo grupmoshe votuan ose nuk votuan vjet, apo për kë votuan ata që morën pjesë në zgjedhje. Gjithashtu llogarita edhe vetidentifikimin ideologjik sipas çdo grupmoshe.

Dhe meqë kampioni i vrojtimit përfaqësonte statistikisht të gjithë popullsinë e rritur të vendit, rezultatet japin një pasqyrë të përafërt të elektoratit në Shqipëri.

Nga ekstrapolimi i përafërt statistikor, rezultoi se rreth 48% e të rinjve 18-34 vjeç nuk votuan fare vjet, ose votuan për parti të vogla. Nga ana tjetër, vetëm 24% e moshave 65 vjeç e sipër s’votuan fare ose votuan për parti të vogla. Siç duket qartë në Tabelën 1, sa më e madhe mosha, aq më i vogël ka qenë vjet numri i mosvotuesve apo votuesve të partive të vogla.

Pyetjes sesi e konsiderojnë veten ideologjikisht (pavarësisht mënyrës së votimit), 40% e të rinjve iu përgjigjën ‘të qendrës’. Nga ana tjetër, vetëm 19% e moshave 65 vjeç e sipër e konsiderojnë veten të qendrës ideologjikisht. Siç duket qartë në Tabelën 2, sa më e madhe mosha, aq më i vogël është numri i atyre që e konsiderojnë veten të qendrës ideologjikisht.

*Studimin mund ta lexoni të plotë në faqen e KAS: https://www.kas.de/en/web/albanien/single-title/-/content/statistische-studie-zur-ideologischen-identitaet-in-albanien