Para një dekade hartova dhe drejtova një sondazh rigoroz opinioni me 1200 të anketuar në gjithë vendin për fondacionin gjerman Konrad Adenauer Stiftung.
Fokusi ishte në veçanti tek opinioni i shtresave të ndryshme të ish-të Përndjekurve Politikë. Përkufizimi i familjeve të përndjekura përfshinte ato që kanë pasur të afërm të pushkatuar dhe/ose të burgosur dhe/ose të internuar, dhe/ose të arratisur dhe/ose të dëbuar dhe/ose të shpallur kulak dhe/ose të përjashtuar nga partia dhe/ose të transferuar në provinca të largëta dhe/ose të paarsimuar për arsye politike/biografike etj.
Nga ai sondazh rezultoi se 55% votueve të PD-së më 2013 ishin nga familje të përndjekura gjatë regjimit komunist.
Vijmë në ditët e sotme.
Në pranverë hartova dhe drejtova një sondazh rigoroz opinioni me 1100 të anketuar në gjithë vendin për fondacionin gjerman Friedrich Ebert Stiftung. Fokusi nuk ishte në veçanti tek opinioni i shtresave të ndryshme të Ish-të Përndjekurve Politikë, por kishte edhe pyetje rreth tyre.
Nga ai sondazh, rezultoi se pasardhësit e familjeve të përndjekura gjatë regjimit komunist përbënin vetëm 27% të zgjedhësve që ia dhanë votën kandidatëve për kryebashkiakë të Berishës.
Një rënie dramatike kjo e peshës specifike të segmentit të ish-të përndjekurve politikë në elektoratin e PD-së së Berishës: nga 55% në 27%!!!