TIRANË - Shqipëria duhet të plotësojë detyrat e lëna me qëllim që të marrë statusin e vendit kandidat.

Deklarata është bërë nga kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnia-Herzegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, Eduart Kukan. Deklarata e tij është bërë në nisjen e vitit të ri shkollorë të Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Duke folur në këtë ceremoni, Kukan tha se, “janë 6- 7 javë deri në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE-së dhe Shqipëria duhet që të punojë”.

“Shqipëria ka humbur shumë kohë gjatë viteve të fundit dhe nuk duhet humbur kohë për marrjen e statusit. Qeveria e re duhet të jetë e përgatitur për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe duhet të bëjë të gjitha përgatitjet për këtë gjë.

Kërkohet një ekip sa më profesional që do të përfaqësojë Shqipërinë në këto negociata. Ky proces nuk i përket vetëm Ministrisë së Jashtme, por të gjitha ministrive të cilat kanë rolin e tyre në këtë proces”, tha Kukan.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)