Edukatorja: Më hoqën se s'u
angazhova në fushatën e PD-së

Edukatorja: Më hoqën se s'u<br />angazhova në fushatën e PD-së
TIRANE - Një ditë pas denoncimit të skandalit të përdorimit të administratës për fushatë zgjedhore, flet njëra nga edukatoret e çerdhes së Njësisë nr.10, e pushuar nga puna. Diana Çorraj (foto) rrëfen se motivi i pushimit ka qenë mungesë arsimi përkatës, në një kohë që ajo punon si edukatore prej 35 vjetësh dhe ka kualifikimet e duhura për këtë profesion. Në një intervistë për gazetën, Diana tregon se ka kërkuar shpjegime për largimin nga puna edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Çerdheve.

Sipas saj, mungesa e një motivi real që të justifikojë largimin nga puna, lë dyshime se kjo është një çështje me motivacion politik. “Nuk jam paraqitur në zyrën elektorale të PD-së që të merrem me fushatë. Shumë nga koleget e mia detyrohen që të merren me politikë dhe të aktivizohen për të mbajtur vendin e punës. Drejtoresha e çerdhes e di mjaft mirë që unë jam me Partinë Socialiste, pasi djemtë e mi janë të angazhuar”, shton Diana Çorraj. Ajo tregon se drejtoresha Stela Çavo është një aktiviste e PD-së dhe disa herë ka thënë se çerdhen do ta bëjë të gjithën blu. “Të gjitha edukatoret që punojnë në këtë çerdhe kanë të njëjtin nivel arsimi me mua. Nuk besoj se motivi i largimit është i vërtetë, pasi e di që nuk do të punësohet një person me arsim më të lartë sesa unë. Brenda një viti unë dal në pension dhe, sipas Kodit të Punës, është shkelje ligji pushimi nga puna”.Kur iu njoftuan se ishit pushuar nga puna?

Në mos gabofsha me datën 13 maj më njoftuan se duhet të paraqitesha në Drejtorinë e Çerdheve. Shkova dhe takova shefen e Burimeve Njerëzore, zonjën Behije. Nuk më kujtohet mbiemri i saj. Ajo kishte përgatitur një letër për largimin tim nga puna dhe më tha se motivi ishte për arsye shkollimi. Më tha, nëse doja ta lexoja letrën, por unë nuk pranova. E pyeta sërish se cili ishte motivi real i largimit nga puna dhe mu përgjigj se ishte niveli i pamjaftueshëm i arsimit për këtë profesion. I kërkova të dija nëse kisha ndonjë shkelje apo gabim, por ajo më tha që ishte vetëm çështje shkollimi. Kur u larguat nga puna dhe çfarë ndodhi? Pas njoftimit kam shkuar në punë për gati 2-3 ditë rresht. Ishte data 17 maj, ditë e premte dhe ora 6:30 e mëngjesit. Sapo kisha vajtur në punë kur më thërret drejtoresha Stela Çavo në zyrë. Ajo më thotë se isha e pushuar nga puna dhe më kërkoi letrën që më kishte dhënë drejtoresha e Burimeve Njerëzore. Ia dorëzova letrën dhe u largova me qetësi. Nuk kam pasur asnjëherë probleme me të.

Kërkuat shpjegim për motivin e largimit?

Pas një jave kam takuar Drejtorin e Përgjithshëm të Çerdheve, Pëllumb Seferin. I kërkova të dija se cila ishte arsyeja që më pushuan nga puna. Por ai mu përgjigj se mungesa e shkollimit të duhur është motivacioni. I thashë që në këtë çerdhe nuk është se do punësohet një person me më shumë kualifikim sesa unë dhe pjesa tjetër e edukatoreve kanë të njëjtin shkollim. Por, përgjigjja e tij ishte e njëjtë. Kam në total 35 vjet që punoj në çerdhe dhe kam kryer të gjitha kualifikimet e kërkuara, pasi ishin të detyruara.

Çfarë masash do të merrni?

Pas një viti e gjysmë unë dal në pension dhe largimi im nga puna është në shkelje me Kodin e Punës. Madje duhet të ketë si fillim një paralajmërim për largim nga detyra, i cili nuk ka ardhur asnjëherë. Do t’i padis në gjykatë për këtë gjë. I thashë edhe Pëllumb Seferit se kjo çështje nuk do të mbyllet me kaq dhe do t’i padis. Në rastin tim, nuk kam bërë as shkelje dhe motivi i shkollimit nuk qëndron. Nëse do të kisha bërë shkelje, do të largohesha vetë nga puna.

Dyshoni se ky largim është i lidhur me motive politike?

Poshtë pallatit tim ndodhet zyra e Olsa Vutas që merret me organizim fushate të PD-së. Unë nuk jam paraqitur asnjëherë, pasi djemtë e mi janë të aktivizuar me Partinë Socialiste. Shumë kolege të miat janë të detyruara të merren me fushatë për të mbajtur vendin e punës. Është kërkuar që të paraqitemi nëpër zyra dhe të çojmë disa emra nga familja. Drejtoresha e çerdhes e di bindjen time politike dhe për djemtë e mi. Ajo është militante e PD-së dhe thotë se do ta bëjë çerdhen blu.'

Administrata, edhe te mitingjet e PD-së, edhe të PS-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përfshirë nga debatet për përdorimin e administratës dhe nxënësve në mitingje.Anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj deklaroi se problemi i përdorimit të administratës dhe i fëmijëve është evident edhe gjatë kësaj fushate. “Desha t’u bëja një thirrje përfaqësuesve të partive politike që ngarkesat politike të mos na i sjellin në tavolinë. Unë mendoj se forcat politike me detyrimet dhe të drejtat që gëzojnë, t’i respektojnë me korrektesë. Ne duan zgjedhje me standarde. Të mos i sjellin ngarkesat politike këtu kur e kanë përgjysmuar këtë tavolinë, se janë edhe tre atje. Unë që jam këtu në tavolinë kam parë fëmijë, të të gjithë forcave politike, edhe fëmijë në çerdhe, kam parë administratë shtetërore pa përjashtim, edhe te PD-ja edhe te PS-ja. Duhet ta dish z. Gjonçaj se administrata e bashkisë është me status të Nëpunësit Civil. Do ju lutem që këto, nëse i keni, çojini në prokurori, mos i sillni këto ngarkesa Hysen Osmanaj këtu”, deklaroi Osmanaj.

Marrë nga Shekulli
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare