Danimarka numëron mbi 1.400 ishuj natyrorë, por tani po shton edhe një tjetër, këtë herë të ndërtuar nga njeriu. Pranë ishullit të Bornholmit, në Detin Baltik, po merr formë Bornholm Energy Island, një kompleks energjetik artificial që synon ta bëjë vendin dhe rajonin më pak të varur nga importet e energjisë.

Projekti parashikon ndërtimin e parqeve eolike offshore, stacioneve të mëdha të konvertimit dhe elektrolizatorëve që do të prodhojnë hidrogjen. Energjia elektrike e gjeneruar në det do të shpërndahet mes Danimarkës dhe Gjermanisë, ndërsa një pjesë do të shndërrohet në hidrogjen dhe do të transportohet drejt Gjermanisë përmes një gazsjellësi nënujore.

Marrëveshja për realizimin e projektit u nënshkrua nga Danimarka dhe Gjermania gjatë samitit të tretë të Detit të Veriut në Hamburg dhe u shpall nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen.

Fillimisht, Danimarka kishte planifikuar dy ishuj energjetikë: një në Baltik dhe një tjetër në Detin e Veriut. Por projektet u shtynë disa herë për shkak të kostove të larta të energjisë eolike offshore, mungesës së investitorëve dhe paqëndrueshmërisë së tregut.

Kthesa, sipas vëzhguesve danezë, erdhi pas tensioneve të reja gjeopolitike dhe deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Groenlandën. Që nga ai moment, projekti i Bornholmit nuk u pa më vetëm si një nismë klimatike, por si një çështje sigurie dhe vetë-mjaftueshmërie energjetike.

Qeveria gjermane e ka cilësuar projektin si një hap që “forcon autonominë energjetike të Evropës dhe rrit rezistencën ndaj sfidave gjeopolitike”. Edhe Komisioni Evropian e ka renditur Bornholm Energy Island mes tetë “autostradave energjetike” kryesore të kontinentit.

Kryeministrja Frederiksen ka theksuar se projekti shkon përtej energjisë: “Ka të bëjë me parimet tona demokratike, integritetin dhe identitetin tonë.” Ndërsa Merz ka nënvizuar nevojën për më shumë energji elektrike për të ulur çmimet, duke e parë energjinë eolike offshore si më pak dëmtuese për peizazhin dhe më efikase në shfrytëzimin e erës.

Projekti parashikon futjen në rrjetin europian të rreth 3 gigavat energji eolike: 2 gigavat drejt Gjermanisë dhe 1.2 gigavat drejt Danimarkës. Për krahasim, një central bërthamor prodhon zakonisht rreth 1 gigavat energji.

Kostoja totale e Bornholm Energy Island vlerësohet në rreth 7 miliardë euro, që do të ndahet mes dy vendeve, ndërsa Bashkimi Evropian do të kontribuojë me 645 milionë euro për pjesën daneze. Projekti realizohet nga operatorët e rrjetit Energinet dhe 50Hertz, me pajisje nga Siemens Energy dhe kabllo nga kompania daneze NKT.

Bornholm Energy Island po shihet si një projekt pionier, jo vetëm për tranzicionin energjetik, por edhe për mënyrën si Evropa po i përgjigjet pasigurive gjeopolitike.