Krejt pa u ndjerë, Europa ka nisur të riarmatoset prej së vërteti. Jo me parulla dhe jo me deklarata të bujshme, sepse fjala “riarmatim” mbetet ende tabu për shumë shoqëri europiane. Por shifrat tregojnë se diçka po ndryshon dhe shtysa vjen nga dy drejtime: nga lufta e nisur nga Vladimir Putin dhe nga presioni politik i presidentit Donald Trump.
Sipas një analize të Federico Rampini, bazuar në të dhënat e Wall Street Journal dhe të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, Europa po rindërton industrinë e saj të mbrojtjes pas dhjetëra vitesh atrofie. Ajo që po ndodh sot nuk shpjegohet vetëm me muajt e fundit të presidencës Trump. Riarmatimi ka nisur që katër vite më parë, me pushtimin rus të Ukrainës, një tronditje që zgjoi Europën nga letargjia e saj gjeopolitike.
Rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë ishte goditja e dytë. Presionet për rritjen e shpenzimeve ushtarake u bënë më të forta, të shoqëruara me frikën, ende të pashprehur hapur, të një largimi amerikan nga NATO dhe me provokime të hapura, si ato për Groenlandën.
Ky kombinim Putin–Trump nuk mund të mos linte gjurmë. Dhe realisht, diçka po lëviz në një kontinent që zakonisht ndryshon ngadalë. Pyetja që u bë urgjente edhe në Davos është e thjeshtë: a mundet Europa të armatoset dhe të luftojë pa Amerikën?
Përgjigjja që japin analistët është: po, në perspektivë. Por jo tani. Riarmatimi ka nisur, por është një proces i gjatë. Pas dekadash dobësimi, industria europiane e mbrojtjes po prodhon sot dronë, tanke, municione, artileri dhe anije me ritme që deri pak vite më parë dukeshin të pamundura.
Megjithatë, hendeku me SHBA-në mbetet i madh. Sipas vlerësimeve, zëvendësimi i plotë i pajisjeve dhe personelit amerikan të dislokuar në Europë do të kushtonte rreth 1 trilion dollarë. Europa vijon të ketë mungesa serioze në fusha kyçe: avionë , raketa me rreze shumë të gjatë, mbrojtje ajrore të avancuar dhe, mbi të gjitha, inteligjencë satelitore.
Problemi nuk është vetëm sa prodhon Europa, por si e prodhon. Industria e mbrojtjes është e copëzuar, e ndarë nga interesa kombëtare dhe linja prodhimi paralele. Ndryshe nga SHBA, që ka buxhetin më të madh ushtarak në botë dhe një sistem industrial të integruar, Europa ecën me shumë drejtime njëherësh.
Dhe këtu qëndron një nga bllokimet kryesore: çdo shtet do “të vetin”. Tankun e vet, avionin e vet, anijen e vet. Kjo shpërndan investimet, kërkimin shkencor dhe furnizimet, duke e ngadalësuar rritjen e prodhimit në shkallë të madhe.
Megjithatë, drejtimi është i qartë. Shpenzimet ushtarake europiane kanë arritur në rreth 560 miliardë dollarë në vitin 2025, dyfish krahasuar me dhjetë vite më parë. Nëse Gjermania mban premtimet, deri në vitin 2035 shpenzimet për pajisje mund të arrijnë në 80% të atyre të Pentagonit.
Në terren, sinjalet janë konkrete. Kompania Rheinmetall në Gjermani ka hapur ose po ndërton 16 fabrika të reja që nga viti 2022. Kompania Leonardo në Itali ka rritur stafin me gati 50%. Grupi MBDA ka katërfishuar prodhimin e raketave kundërajrore Mistral. Në sektorin e dronëve, kompani të reja po shfaqen kudo dhe po furnizojnë ushtritë europiane me shpejtësi.
Në disa fusha, Europa ka nisur edhe t’ia kalojë SHBA-ve, sidomos tek prodhimi i municioneve të artilerisë, mjetet e blinduara me Leopardin si tankun më të përhapur në botë, si dhe anijet dhe nëndetëset që konkurrojnë në tregjet globale.
Pavarësia e plotë nga Uashingtoni mbetet ende larg. Europa varet nga SHBA-të për avionët F-35, për inteligjencën satelitore, për cloud-in ushtarak dhe për mbrojtjen kundërraketore me rreze të gjatë. Projekte të reja janë në lëvizje, por konkluzioni i ekspertëve është i kujdesshëm: Europa po armatoset, por çlirimi real nga industria ushtarake amerikane do të kërkojë kohë./Corriere
Komente







