Eksperti ushtarak Arben Çuko ka analizuar në emisionin ‘Bota Report’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, deklaratat e sotme të Presidentit Donald Trump për Iranin, si dhe në tërësi konfliktin në Lindjen e Mesme.
Çuko tha se arritja e një marrëveshje paqeje nesër në Ismalabad ishte e vështirë, pasi sipas tij, të dyja palët kanë shkuar në bisedime me kërkesa maksimaliste.
“Kjo deklaratë e Trump nënkupton se për mua është vazhdimi i luftës. Gjithë këto 2-3 javë, sa ka qenë armëpushimi, të dyja palët, amerikanët dhe iranianët, e kanë ndier veten fitimtarë. Pra e kanë shitur veten fitimtarë për interesa politike të brendshme. Dhe duke e quajtur veten fitimtarë, të dy palët kanë vajtur te vija e përplasjes me kërkesa në tryezë të negociatave, të papranueshme për secilën palë. Dhe kjo krijon vijën e përplasjes. Kjo është nga ana politike”, tha mes të tjerash Çuko.
Eksperti Çuko tha më tej se një tjetër aeroplanmbajtëse amerikane e armatosur ‘gjer në dhëmbë’ po shkon në Lindjen e Mesme, çka sipas tij, është shenjë se luftimet do të vijojnë.
Çuko tregoi gjithashtu se aroplanmbajtësja amerikane është e pajisur me të paktën 70 avionë luftarakë, 4-5 destroyer me nga 112 raketa secili dhe me plotë 5 mijë ton municione.
“Nga ana ushtarake, afrimi i aeroplanmbajtëses zëvendësuese, i grupit sulmues të aeroplanmbajtëses zëvendësuese, i grupit sulmues të aeroplanmbajtësen zëvendësuese, e cila nënkupton 70 avionë shtesë, që nënkupton 4-5 destroyer me nga 112 raketa secili. Aeroplanmbajtësja ka plotë 5000 tonë municione. Ajo është rrugës, mbase ka shkuar. Unë shoh shenjat se nesër nuk firmoset kjo marrëveshje. Parashikoj se lufta do të vazhdojë”, vijoi më tej Çuko.
Sipas Çukos, Irani ka interes ta vijojë bllokadën në Ngushticën e Hormuzit. Kjo pasi sipas ekspertit, përmes taksave nga anijet që kalojnë atje, Irani përfiton të ardhura të mëdha ekonomike. Ai shtoi më tej se nga ana tjetër, Izraeli nuk mund të pranojë kërkesën e Iranit që pjesë e planit të paqes të jenë edhe Proxy-t e tij në Lindjen e Mesme, si rebelët Huthi, Hezbollahu dhe milicia Shiite në Irak. Të gjitha këto, për ekspertin tregojnë se luftimet në Lindjen e Mesme do të vijojnë.
“Pikat e përplasjes janë kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, e cila do të sjellë edhe pagesat për Iranin për çdo anije që kalon. Dhe e dyta, marrëveshja e paqes që kërkon Irani, e kërkon edhe për veten, edhe për shtetet e tij proksy. Pra për Huthët, Hezbollahun dhe për milicinë shijite në Irak. Unë mendoj se këto nuk mund t’i pranojë dot Izraeli. Duhet të ketë lëshime nga të gjitha palët, në mënyrë që të arrihet paqe. Ngushtica e Hormuzit është 33 milje, sa gjysma e kanalit të Otrantos”, vijoi më tej Çuko.
Komente









