TIRANË – Një efektiv policie me detyrë komandant toge në ceremonialin e shtetit ka qëlluar me armën e shërbimit pas një konflikti me pronarin e një lokali të lojërave të fatit. Ngjarja e shënuar të dielën (18 nëntor) në mbrëmje fatmirësisht përfundoi pa viktima por ka hapur panik ndër banorët e rrugës ‘Josif Pashko’ në Laprakë.

Komandanti i togës së ceremonialit të shtetit pranë Ministrisë së Brendshme Genc Hamzallari është përfshirë në një konflikt me pronarët e lokalit Medi dhe Altin Ysollin, babë e bir.

Policia nuk ka zbardhur ende motivet që çuan efektivin drejt përdorimit të armës së shërbimit për të hapur zjarr në qytet. Por nga burimet mësohet si efektivi ashtu dhe pronarët e lokalit kishin konsumuar alkool.

Forca të shumta policie janë parë në rrugën ‘Josif Pashko’ të dielën rreth orës 20:00 kur u dëgjuan të shtëna me breshëri armësh. Policia në vendngjarje ka arrestuar efektivin dhe dy shtetasit e tjerë. Ndërsa mësohet se kanë nisur hetimet nga Policia e Tiranës dhe nga SHBK-ja për motivet e ngjarjes që çuan në një konflikt me armë në një zonë mjaft të populluar të kryeqytetit. /r.d.shqiptarja.com/