Presidenti egjiptian, Abdel Fatah al-Sissi miratoi dje një ligj kundër terrorizmit që parashikon një gjobë shumë të rëndë për gazetarët që raportojnë informacione kontradiktore me komunikatat zyrtare në rast sulmesh.
Një ditë pas vrasjes së prokurorit Hicham Barakat në 29 qershor pas një atentati spektakolar ende pa përgjegjës, Sissi premtoi ligje më të ashpra për të luftuar ndaj terrorizmit.
Ky atentat u pasua në 1 korrik nga një seri sulmesh xhihadiste kundër forcave të ushtrisë në gadishullin e Sinait ku ushtria u vu në shënjestrën e medias.
Ushtria kishte raportuar një bilanc paraprak rreth 21 ushtarë të vrarë gjatë konfrontimeve ndërsa media kishte publikuar bilance edhe më të rënda, cituan disa zyrtarë të shërbimeve të sigurisë.
Ligji i diskutueshëm, i publikuar në fletoren zyrtare parashikon një gjobë që mund të variojë nga 200 mijë deri në 500 mijë lira egjiptiane (ose 23 mijë dhe 58 mijë euro) ndaj cdo personi që shpërndan ose publikon informacione jo të sakta në lidhje me sulmet ose operacionet ndaj luftëtarëve islamikë.












