KAJRO- Sërisht protesta të dhunshme në kryeqytetin egjiptian. Të premten në mbrëmje kundërshtarët e presidentit Mohamed Mursi janë përleshur me forcat e sigurisë në afërsi të pallatit të tij presidencial në Kajro.

Protestuesit hodhën gurë dhe bomba molotov kundrejt mureve të pallatit, ndërsa forcat e sigurisë u kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për t'i mbajtur ata larg. Mediat egjitptiane raportuan se gjatë përleshjeve një i ri ndërroi jetë në spital, si pasojë e plagëve të marra nga një goditje me armë zjarri, teksa manifestonte përpara pallatit presidencial. Gjithashtu një zyrtar i ministrisë së Shendetësisë tha se 52 persona të tjerë janë të plagosur dhe po marrin trajtimin e duhur nëpër spitale.

Në mëngjes në Kajro është kthyer qetësia dhe rrugët kryesore të kryeqytetit egjiptian janë hapur për trafikun.

Protestuesit akuzojnë presidentin se ka tradhëtuar revolucionin e 2011-s, diçka që ai e mohon. Mursi paralajmëroi demonstruesit dhe grupet opozitare në faqen e tij në Facebook se forcat e sigurisë do të veprojnë me vendosmëri për të zbatuar ligjin për mbrojtur institucionet e shtetit dhe se personat përgjegjës që fshihen pas kësaj dhune do të mbajnë përgjegjësi politike. Gjithashtu ai bëri thirrje partive të dënojnë këto veprime dhe të urdhërojnë që përkrahësit e tyre të largohen nga zona e pallatit presdiencial menjëherë." Ndërkohë ministri i Brendshëm egjiptian ka urdhëruar të ngrihet një hetim mbi veprimet pranë pallatit presidencial.

Redaksia online
(lç/sg/shqiptarja.com)