/ATSH-AFP/ - Të paktën 10 persona u vranë dhe 15 të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e një pallati që u shemb sot në Kajro, ku shumë godina të larta janë ndërtuar pa respektuar rregullat e ndërtimit, sipas forcave të shpëtimit.

Godina tetë katëshe papritur u shëmb në mes të natës në Matariya, një lagje e varfër në lindje të Kajros.
"Të paktën 10 persona u vranë dhe ky bilanc mund të rëndohet pasi 15 persona të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja", deklaroi gjenerali Mamdouh Abdelkader, shefi i forcave të shpëtimit civil në Kajro.

"Ne nuk i njohim arsyet e aksidentit por na kanë thënë se dy kate ishin shtuar së fundmi, krejtësisht jashtë ligjit", shpjegoi ai. Forcat e shpëtimit evakuan personat nga godinat përreth, me frikën se mos shëmben edhe ato, shtoi gjenerali Abdelkader.

Një numër i pafund godinash banimi janë ndërtuar në kryeqytetin egjiptian, ku jetojnë më shumë se 20 milionë banore, pa respektuar rregullat më elementare të ndërtimit, dhe shpesh herë pa leje ndërtimi, kritikojnë shërbimet e shpëtimit. Shumë pronarë shtojnë kate gjithashtu pa autorizim, mbi godina tashmë të dobta.