KAJRO - Egjipti ka urdhëruar dëbimin e ambasadorit turk në Kajro, duke i kërkuar atij të largohet nga vendi, vetëm një ditë pasi lideri turk Erdogan kërkoi lirimin e Presidentit të rrëzuar egjiptjan Mohamed Morsi. Zyrtarët në Kajro thanë se marrëdheniet me Ankaranë tashmë do të reduktohen tek i ngarkuari me punë i Turqisë.

Të premten, Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan përsëriti kritikat e tij ndaj rrëzimit nga pushteti të Morsit duke i bërë thirrje autoriteteve egjiptjane ta lirojnë atë. Por ministri i jashtëm i Egjiptit akuzoi Erdogan për provokim dhe për ndërhyrje në punët e brendshme të Egjiptit. 

Ndërkaq ka reaguar edhe Ankaraja ndaj dëbimit të ambasadorit të saj në Kajro, duke njoftuar degradimin e marrëdhenieve mes dy vendeve, ndërsa e ka shpallur ambasadorin egjiptjan në Turqi, person ‘Non Grata’. Turqia ka qënë një zë kritik ndaj rrëzimit të Morsit, i cili vijon të jetë në burg në pritje të gjyqit kundër tij pas akuzave për nxitje të vrasjeve dhe dhunës.

Ai është një prej mijëra personave të arrestuar që i përkasin Vëllazërisë Myslimane, në një operacion të përshkruar nga autoritetet egjiptjane si luftë kundër terrorizmit. Qindra vetë janë vrarë ndërkaq në përleshjet me forcat e sigurisë.


(v.gj/shqiptarja.com)