Ekskluzive/ Rrëfimi i Fadil Memës: Ja kush është gjyqtarja, mikeshë e Çapajve

Zamira Vyshka, një gjyqtare në gjykatës e Elbasanit rezulton të ketë vaforizuar në një proces gjyqësor fisin Çapja, pasi ka nxjerë të pafajshëm Sokol Çapjan, vendim ky që është marë në vitin 1998. Sot e kësaj dite kjo gjyqtare, vijon të jetë pjesë e trupave gjykuese në gjykatën e Elbasanit, duke gjykuar çështje të ndryshme penale e civile. Në dëshminë eksluzive të ish-shefit të policisë rrugore Elbasan, Fadil Mema, që “Shqiptarja.com” e siguron të plotë, tregohet miqësia e gjyqtares Zamira Vyshka me fisin Çapja. Mema, ka treguar para prokurorit Xhevat Hana se në përpjekje për ta mbyllur konfliktin miqësisht me Çapjat, ka takuar një avokat që quhet Gëzim Delilaj. Sipas tregimit të Fadilit, Delilaj ishte avokat i familjes Çapja, pasi kishte mbrojtur Sokol Çapjan, në një proces gjyqësor, pasi në vitin 1993, Sokoli së bashku me dy persona të tjerë kishte vrarë një person tek parku “Rinia”.Në këtë rast Sokoli, mori pafajësinë në vitin 1998, pasi mesa di unë, oficeri i policisë gjyqësore Vangjel Xhani dhe gruaja e këtij të fundit, Sofika Xhani, e cila ishte prokurore në Elbasan, kanë grisur fletët e dosjes dhe i ngatëruan. “…gjyqin me sa di unë e ka zhvilluar gjyqtarja Zamira Vyshka, e cila është mikeshë shumë e afërt e familjes Çapja. Ndërsa çifti Xhani pas këtij veprimi që bënë u larguan për në Amerikë”-ka treguar Fadil Mema para prokurorit të ndjerë Xhevat Hana.

Sokol Çapja

Takimi me Çapjat në prani të avokatit e survejimi nga banda

Fadil Mema ka vijuar rëfimin e tij para prokurorit Xhevat Hana duke pohuar se për të mbyllur konfliktin me fisin Çapja është bërë një takim me ndërmjetësimin e drejtorit të SHIK në Elbasan Asim Pobrati dhe avokatit të Çapallarëve Gëzim Delilaj. Nga Çapajt morën pjesë Ramzan Çapja, Enver Çapja dhe Ardian Çapja, ndërsa nga ana jonë isha unë, vëllezërit e mi dhe kunetërit e mi, Stavri Kosta dhe Hamdi Krasniqi, burrat e motrave. Di të them se para se të bëhej ky takim në shtëpinë time, vumë re në pallatin pranë shtëpisë sonë, që është larg rreth 120-150 metra, 4-5 persona, miq të ngushtë të Sokolit, dhe konkretisht Ervis Fetahu, person i shpallur në kërkim për plagosje me thikë, i cili është përdorues droge, Mustaf Eshja, Admir Talko, person-dënuar në Greqi për trafik makinash, dhe Nushi Salla, të cilët u futën në pallat dhe u shfaqën në katin e pestë. Vëllezërit e mi i panë dhe më njoftuan mua dhe shefin e komisariatit. Për rreth 10 minuta, erdhi policia, rrethoi vendin e ngjarjes, kontrolloi, por nuk i gjeti. Personat ishin larguar. Pas rreth dy orësh, e ëma e Nushi Salla, shok i Sokol Çapja, erdhi tek porta e shtëpisë dhe na tha se: “…çfarë keni me ne, pasi ne kemi marrë shtëpinë me qira me dokumente të rregullta…”. Ajo më tha se policia më tha se këtë informacion ia kishim dhënë ne. Në momentin kur erdhi kjo gruaja, tek shtëpia ime ndodheshin z.Neritan Ceka, Arben Demeti, Gjet Ndoj, e zyrtarë të tjerë.

Xhevat Hana

Përballja me Florenc Çapjan në gjykatë e ndryshimi i dëshmisë

Pas bisedës së fundit që u bë tek shtëpia ime, për të cilën fola më lart, ku kjo bisedë është bërë në datën 21 shkurt 2006, po në këtë datë më njoftoi Prokuroria, Raimonda Berisha, që unë të paraqitesha në Gjykatë, për të bërë sigurimin e proves, pra të dëshmisë timë. Unë i thashë se nuk vij se jam i sëmurë me raport. Ajo më tha, “…lëri ato, po të vish në Gjykatë…”. Nuk më pëlqeu mënyra sesi më tha, se m’u duk sikur kishte bashkëpunim me Çapjat. Të nesërmen, policia dërgoi mikrobusin në shtëpinë time, por unë isha nisur për të shkuar me makinë tjetër. Pasi vajta në Gjykatë, u futa në sallë, ku të pranishëm ishin trupi gjykues, prokuroria dhe avokati, si dhe i arrestuari Florenc Çapja, i ulur në karrige. Gjatë shpjegimeve, unë nuk u qëndrova tërësisht deklarimeve të mëparshme. Unë deklarova se jam goditur nga fisi Çapja, por nuk thashë personin konkret, duke u shprehur se ai që më goditi ishte pak më i gjatë dhe me elegant.Pas dëshmisë time, gjykata vendosi të lirojë nga qelia Florenc Çapjan, duke e lënë të lirë. 

Fadil Mema

Katër arsyet pse ndryshova dëshminë dhe lirova Florencin

E bëra këtë deklarim, jo se nuk e njihja faktikisht autorin, pasi ishte pikërisht personi që unë kisha përpara në sallën e gjyqit, për të cilin kisha deklaruar që në momentin që më qëlloi, por e bëra një devijim të tillë për arsyet e mëposhtme:

Në radhë të parë: Për çdo moment unë, familja dhe të afërmit e mi ishim nën presion të vazhdueshëm të familjes Çapja dhe të shokëve të tyre, si në ambientin rrethues, edhe gjatë kohës që kanë ardhur për të biseduar në familje, duke këmbëngulur që me çdo kush unë të tërhiqja thënie e mëparshme, se përndryshe do të kishte probleme të tjera.

Në radhë të dytë: Isha sinjalizuar se nga momenti në moment, mund të hakmerreshin, duke më rrëmbyer djalin dhe kjo më detyroi ta largoja nga shkolla dhe ta nisja për në Itali.

Në radhë të tretë: E bëra një veprim të tillë, se pashë se nga ana e policisë dhe Prokurorisë nuk po grumbulloheshin fakte dhe prova, për të vërtetuar fajësinë e autorit të krimit, si dhe rrodhën informacionet që unë i kisha thënë policisë.

Në radhë të katërt:E bëra një veprim të tillë, për t’i treguar fisit Çapja se unë dhe njerëzit e mi, nuk jemi pjesë e këtyre lojërave kriminale, pasi gjatë bisedave me këtë familje lihej të kuptohej nga ana e tyre se Florenci, mund të kishte vepruar pa dijeninë e tyre, me ndihmën e shokëve të tij.

Ervis Fetau

Por teksa burrat e vjetër të fisit Çapja, hynin e dilnin në shtëpinë Fadil Memës, objektivit të tyre për ta vrarë, por më parë duhet ta bindnin atë, që të ndryshonte dëshminë për ta liruar nga burgu Florenc Çapjan, ata gjatë muajit shkurt 2006, ishin vënë në përgjim telefonik, ku flasin për përgatitjet që po bënin për lirimin e Florencit nga burgu, duke komunikuar në mënyrë të koduar si psh “…do lindë sot ose nesër djalë…”, duke nënkuptuar që punët po shkonin shumë mirë, ashtu siç u interesonte anëtarëve të fisit Çapja.“Shqiptarja.com” sjell të plota këto biseda të përgjuara, por nuk dihen se kush janë konkretisht personat që kanë kryer këto biseda, duke u identifikuar vetëm me numra, ku +760 identifikohet me merin Erdis, ndërsa tjetri me +333 i panjohur. Dy personat interesohen për fatin e Lencit që në atë kohë ka qënë në burg dhe flasin për një personazh me emrin “Qazo”.

+760:Alo

+333:Ça bone?

+760:Hë

+333:Qysh je?

+760:Spo të njihja numrin…

+333:ça thue ere…?

+760:Ça ban ti?

+333:mirë, gjumë je?

+760:Jo zgjuar isha, këtu me Qazon

+333:Hë doli Qazoja se po i bie borisë…

+760:E ça po bën ti?

+333:Hiq mirë kështu

+760:Ka je shpi?

+333:Kam dalë, kam dalë…

+760:Ku ke dalë?

+333:Ja jam këtej

+760:Ë ç’je një çerata ti

+333:Bëj të fala Qazimit

+760:Rrofsh faleminderit, të fala të kesh

+333:Nej problem, naj gja?

+760:Asigja

+333:Naj llaf të mirë nga Lenci

+760:Kismet meser kemi shpresë

+333:E mirë, mirë ishalla

+760:Kur vjen?

+333:Nesër vij pasdite

+760:e mirë

+333:do kaloj andej nga darka

+760:e mirë mirëardhsh

+333:hajt çiao

+760:të fala bëji shoqënisë andej

+333:Rrofsh

Në 18 shkurt 2006 numri që mbaron në fund me shifrat +760 dhe që identifikohet me emrin “Erdis”, komunikon me një numër tjetër personi i paidentifikuar nga gazeta, por që numri mbaron me shifrat +784 dhe më konkretisht bëhet kjo bisedë:

+760:Hë?

+784:Ka ardh Qazimi?

+760:Ja tashi e lajmërova unë ka njëqerk ore

+784:e mirë, mari dhe kallashin dhe ta mbaj… aty poshtë

+760:se mos është kush aty poshtë, prit… hajt

Më tej në datën 21 shkurt 2006 mes numrit të Erdisit dhe një numri tjetër që mbaron me +179 flitet për lirimin e Florenc Çapja nga çasti në çast, ku flitet në mënyrë të koduar.

+760:Mirëmbrëma, bjere mamin bjere mamin …hë daje

+179:Alo

+760:Ça po bëni?

+179:Hiç ja po rrimë

+760:S’ka lind akoma nesër mund të lindë, çun domethënë

+179:Mirë mirë hajde

+760:Çiao

Ndërkohë në 22 shkurt 2006 mes Erdisit dhe një numri tjetër të vënë në përgjim që mbaron me +404 në fund zhvillohet kjo bisedë:

+404:Urdhëro

+760:Hë ça po bën?

+404:Mirë

+760:Hë more vesh gjë për Lencin?

+404:Hë lindi?

+760:eeee

+404:Çun?

+760:Po nuk ka dalë akoma po fitoj, fituam

+404:Hajt mirë tju rroj hajt

+760:hajt

Po në datën 22 shkurt, pasi Fadil Mema kishte deklaruar në gjykatë se nuk kishte parë Florenc Çapjan, mes Erdisit dhe një personi tjetër bëhet kjo bisedë:

179: Alo

760: mirdita

179: mirdita, Disi si je ti?

760: ça po bani?

179: mir mir

760: lindi çun ai…

179: hallall, mirë mirë

760: hajt mirupafshim

179: mirupafshim

Ndërkohë po në 22 shkurt 2006, zhvillohet kjo bisedë mes Erdisit dhe personit që mban numrin +333

+760: Hë lol

+333: hë Disi ç’po ban?

+760: hiç ça ban ti?

+333: hë, ça u ba për atë muhabetin sot?

+760: si?

+333: ça, u ba për atë muhabetin Lencit?

+760: hiç mirë, mori pafajsinë…

+333: e mirë mori pafajsinë, për kaq mora merja vesht

+760: mir

+333: mirë hajt natën

Humbja e besimit tek policia e Elbasanit

Më tej Fadil Mema, tregon para prokurorit Xhevat Hana se “…Dua të theksoj se që nga momenti që ajo gruaja e ëma e Nushi Salla, shok i Sokol Çapja, erdhi tek shtëpia ime dhe më tha se unë e kam marrë shtëpinë me qira me dokumente dhe ç’farë keni ju se ne na tha policia, unë e humba besimin tek policia dhe menjëherë i kam dërguar letër Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrit të Brendshëm, ku i kam shpjeguar ngjarjen, dhe në fund kam kërkuar që të bashkëpunoj me organet e policisë dhe të Prokurorisë. Këtë fakt, që erdhi ajo gruaja, e pa edhe z.Neritan Ceka, për të cilin fola më lart, i cili më tha që një kopje të letrës ma dërgo edhe mua, dhe unë faktikisht ia dërgova.

Ma premtuan se do ma sillnin në shtëpi Lencin, por gënjyen

Edhe pas daljes nga burgu të Florenc Çapjes, kur familjarët e tij më premtuan, se pas lirimit do të ma sillnin në shtëpi, megjithëse ia kam kërkuar edhe avokatit Gëzim Delilaj, ata nuk e sollën. Gjatë kësaj kohe, perona të afërt të tyre kanë ndjekur dhe kanë vëzhguar me të gjitha mënyrat, kunatin tim Adrianin, dhe vëllezërit e mi, veçanërisht Napolonin. Di se pasi jam larguar unë për në Greqi, nga fundi i muajit mars 2006, Ardian Çapja, së bashku me Florenc Çapjen, kanë ardhur përballë tek lavazhi i Thanasit, kanë ndenjur për minuta të tëra dhe shikonin nga shtëpia ime. Këtë mua ma ka thënë kunati, si dhe Tani, një ish-kursanti im. Pas disa ditësh, Adrian Çapja, së bashku me Florencin, kanë shkuar në rrugën e Metalurgjisë, ku kunati im kishte tre muaj që kishte lënë makinën e shokut të tij për ta shitur. Aty afër e ka shtëpinë Nushi Salla. Pasi kanë takuar pronarin e parkimit, i kanë thënë se e kujt është kjo makinë, e filanit, dhe sa lekë e shet, pastaj i kishin thënë mirë, mirë, dhe pastaj ishin larguar. Pronari njoftoi kunatin tim dhe kushëririn e vet, pronë e të cilit ishte makina dhe ia larguan makinën që andej. Mua më tha kunati atë ditë pasdite, kur e mora në telefon nga Italia. Sapo u ktheva mbas dy ditësh, mora avokatin Gëzim Deliajn dhe i tregoj për sa më sipër. Ai më tha se kanë hall të marrin pasaportën se do të iki ai djali në Angli. Ajo prokuroria do të pyesi, se nuk kanë besim.

Ndjekja e kunatin nga Florenc Çapja

Pas disa ditësh, Florenc Çapja e kishte shoqëruar me makinë nga mbrapa Adrianin dhe tek stadiumi e kishte kaluar me makinë paralel dhe e kishte parë me inat dhe egërsi kunatin. Në këtë moment, kunati ka qenë me Klevis Kosovën, drejtor i policisë ndërtimore në Elbasan. Në një rast tjetër, përpara “Grand Hotelit”, Florenc Çapja i ka prerë rrugën kunatit tim me makinë. Dy javë se të vritej kunati im Ardiani, më tha se tek pallati ku u mor shtëpia me qira, kishte parë rreth orës 21:30-22:00, në çatinë e atij pallati një dritë të vogël të kuqe, si dhe dy persona që uleshin e ngriheshin. Për këtë Adriani kishte njoftuar oficerin e policisë me emrin Sefer Shuka. Ky i fundit kishte dërguar aty një person për ta verifikuar. Di të them se tek ky pallat, Nushi Salla ka hallën e vet, e cila ka një djalë që quhet Bim Petrit Hysi. Ky i fundit e ka qethur kokën kohët e fundit dhe shoqërohet me kushëririn e tij Nushin. Të nesërmen, Ardiani kishte shkuar tek ky pallat për të verifikuar dhe kishte konstatuar se baxha ishte mbyllur me çelës.

Ardian Çapja

Ardiani shkoi në prokurori i imponuar nga avokati i Çapjave

Më datën 26 prill 2006 unë ika në Itali, pasi atje kisha gruan dhe fëmijët, të cilët i largova nga Shqipëria nga frika që në datën 19 shkurt 2006, pasi kisha informacione se djalin e vogël mund të ma rrëmbenin gjatë periudhës që ishte në burg Florenci. Dua të s’qaroj se, disa ditë para se të ikja në Itali, isha në shtëpi vetëm dhe aty erdhi avokati i Çapjave, Gëzim Delilaj. Unë e ftova që të vinte brenda, por ai më tha “…të shkojmë e të pimë te klubi i kunatit tënd, te Ardiani…”. Shkuam aty dhe pimë nga një “Red Bull”. Në këtë rast, Gëzimi ishte bashkë me një njeriun e vet, me makinë me targa greke. Pas pak erdhi Ardiani dhe Gëzimi i tha “…të shkojmë dhe të takojmë prokuroren Raimonda Berisha, pasi ajo do të të pyesë për problemin, pasi Florenc Çapja i ka kërkuar asaj pasaportën, pasi do që të largohet për në Angli…”. Ardiani i tha që disa veprime që ata po bëjnë nuk dukeshin të rregullta dhe ndoshta ka një hile në këtë mes dhe nuk donte të shkonte në Prokurori. Përfundimisht, Ardiani me makinën e Gëzimit, shkuan në Prokurori ku, para se të shkonin, Gëzimi mori në telefon Raimondën dhe i tha se “…po vij me Ardianin…”. Faktikisht, Ardiani vajti në Prokurori i imponuar dhe, kur u kthye prej andej, ishte i pakënaqur dhe më tha se:“…unë nuk kam besim te ata, po të ndodhi gjë ty, çfarë më duhet pastaj gjë mua…”. Besoj se ka mbështetur thëniet e mia që u mërzit, pasi ai e dinte realisht se si qendronte e vërteta se pikërisht Florenc Çapja ishte autori, që më qëlloi mua me armë. Unë mbajta atë qëndrim në Gjykatë me të vetmin qëllim që të mos kishim më probleme me familjen Çapja, pasi ne nuk ishim pjesë e lojës së tyre dhe nuk doja që ata të vazhdonin të hakmerreshin padrejtësisht me familjen time dhe me të afërmit e mi. Në Prokurori e kishin pyetur Ardianin se si qendronte problemi dhe nëse e njihte Florenc Çapjan dhe a e kishte parë në ditën e ngjarjes dhe më mbrapa. Se çfarë ka thënë ai konkretisht, këtë nuk e di, por vetëm pashë që ai ishte i mërzitur.

Bledar Muça gjatë përplasjes me dy agjentë të policisë në vitin 2016 në Elbasan

Si më vranë Florenci e Bled Muça,dëshmitarin kryesor të plagosjes

Në datën 28 maj 2006, fola në telefon me vëllain tim, Napolonin, i cili më tha se ishin mirë dhe se nuk kishin ndonjë problem. E pyeta për Ardianin dhe më tha se ishte me të, para dhjetë minutash dhe ishin ndarë, pasi ai kishte shkuar te lokali i tij. Pas 20, ose 25 minutash, kur unë po shkoja te vëllai i Ardianit me makinë, i cili është në Itali, më merr në telefon vëllai im, Napoloni, dhe më thotë “…nisu urgjent, se kanë plagosur Ardianin…”. Pas pak, marr vëllain tjetër, Bilbilin, e pyes dhe më thotë:“…nisu, se Ardiani na la…”. Të nesërmën u ktheva nga Italia bashkë me gruan time, që është motra e Ardianit. Aty mësova për rrethanat në të cilat kishte ndodhur ngjarja dhe se autorë të kësaj ngjarjeje, pra të vrasjes së Ardianit, ishin Florenc Çapja dhe një shok i tij, i quajtur Bledar Muça. Ky i fundit ka qenë në burg në Angli dhe thuhet se ka dalë nga burgu pasi kanë paguar lekë familja e Çapajve. Ardianin e vranë pasi ai ishte dëshmitari kryesor që pa Florenc Çapaj, që më qëlloi mua me armë dhe, për të zhdukur çdo provë, aq më tepër që ky ishte dëshmitari kryesor dhe njeriu më i besuar për mua. Ai shfrytëzoi momentin që unë isha jashtë shtetit. Njëkohësisht, Ardiani ishte pengesa kryesore për ta për t’u hakmarrë ndaj meje, pasi ishte ai që qëndronte gjithë ditën te lokali dhe shikonte çdo lëvizje të tyre, aq më tepër që ne ishim në një shtëpi. Unë erdha në Prokurorinë e Përgjithshme për të deklaruar, pasi edhe unë vetë nuk e kam aspak jetën e sigurtë, se shikoj lëvizje të dyshimta në drejtimin tim. Unë nuk i kam asnjë borxh fisit Çapja, kurse ata tentuan të më vrisnin mua dhe më pas vranë kunatin tim, vetëm e vetëm se ai ishte dëshmitari kryesor, i cili pa ngjarjen kur tentuan të më vrisnin mua dhe se ai për një gjë të tillë kishte deklaruar në Polici apo Prokurori kur është pyetur.

Bilbil Mema, vëllai i Fadilit

Deklaruesi                                                                                                                           Prokurori

Fadil Mema                                                                                                                        Xhevat Hana 

Xhevat Hana

Kush ishte efektivi i Policisë Fadil Mema

1.            Në vitin 1992 ka mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike

2.            Në vitin 1999 ka mbaruar Akademinë e Rendit Publik

3.            Në vitin 1993-1995 ka hapur biznes privat “Autoshkollë”

4.            Në vitin 1995 ka filluar si Inspektor Qarkullimi Rrugor

5.            Në vitin 2000 ka punuar si Shef Qarkullimi në Pogradec

6.            Në vitin 2001 ka punuar si Shef Qarkullimi në Korçë

7.            Në vitin 2003 ka punuar si Shef Qarkullimi në Gjirokastër

8.            Në vitin 2004 ka punuar si Shef Qarkullimi në Tropojë

9.            Në 15 qershor 2004 ka debatuar me shefin e Policisë të Komisariatit Tropojë

10.          Pas largimit nga rradhët e policisë hap autoshkollën “Mema”

11.          Njëkohësisht emërohet Drejtor i Shoqërisë “Albsing” në Qarkun e Elbasanit.

Fadil Mema

Vijon nesër….

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen