Pas publikimit në “Shqiptarja.com” të pjesës së parë të dëshmisë së ish-oficerit të policisë Fadil Mema,të dhënë para prokurorit Xhevat Hana, ka reaguar vëllai i viktimës, Bilbil Mema. Ky I fundit tregon se vëllai i tij është vrarë në 13 mars 2015 në Torino, pas dy atentateve që ju kishte shpëtuar. Bilbil Mema sqaron se Fadili se një kopje të këtyre deklarimeve dhe rreth 80 faqe shënime të shkruara me dorë mbi këtë histori,ia ka dorëzuar edhe kur ka bërë kërkesën për azil në Torino në vitin 2006, kërkesë, e cila u pranua nga autoritetet italiane vetëm pas tentativës tjetër të vrasjes, që iu bë në Torino më 2 maj 2009 pikërisht në ditën që në Shqipëri, u vra një deputet i quajtur Fatmir Xhindi. Më tej Bilbil Mema shton se një kopje të deklarimeve të tij ai ia dorëzoi edhe kryetarit të Partisë që e kandidoi për deputet në Elbasan, Aleancës Demokratike, Neritan Cekës.

Neritan Ceka

Pikërisht Neritani, ka qënë prezent në shtëpinë e Fadilit bashkë me Pirro Lutaj e drejtuesit e tjerë të kësaj partie. “…ne kemi dëgjuar shumë histori të deformuara nga gazetarë sejmenë të krimit, në lidhje me hallin tonë dhe shpesh jemi ndjerë të fyer nga ato që dëgjojmë por në pamundësi për të komunikuar vetë drejtpërdrejtë i kemi lënë të rrjedhin gjërat. Dëgjoj në televizor se Fadili u vra duke shitur gazeta, me një fjalë sikur jetonte duke shitur gazeta gjatë natës... si një njeri i rëndomtë. Jo. Nëse hyni e kërkoni në Rregjistrin e Firmave Italiane, do të gjeni që Fadili kishte prej 6 vitesh një shoqëri transporti në emër të tij dhe kishte të punësuar 11 persona ku 4 ishin shqiptare. Fadili përveçse ishte oficer policie ishte me parë inxhinier mekanik, dhe ka qenë në klasë në universitet me Pandeli Majkon”-thotë për Shqiptarja.com vëllai i Fadil Mema, Bilbili.

Fadil Mema