Ekonomi nga Dibra: Shqipëria me
potenciale për turizëm gjithëvjeto

Ekonomi nga Dibra: Shqipëria me<br />potenciale për turizëm gjithëvjeto
Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të zhvilluar një turizëm gjithëvjetor” ky ishte mesazhi që Milva Ekonomi Ministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes përcolli gjatë një vizite në Dibër.

Fillimisht ministrja Ekonomi i bëri një bilanc asaj çfarë solli sezoni turistik veror për të cilin tha: “Duhet theksuar se po të angazhohemi të gjithë së bashku, shanset për t’ia dalë janë të mëdha, ashtu siç ia dolëm në sezonin turistik veror dhe kjo falë përpjekjeve të gjithë atyre që janë operatorë të thjeshtë e të zakonshëm, hotele apo sipërmarrje të vogla, që u përpoqën ta bënin sezonin turistik veror në Shqipëri një sezon me më shumë të ardhura. Ia dolëm sepse numri i vizitorëve të huaj që erdhën në Shqipëri për këtë vit ishte një numër i lartë, ishte rreth 19.7 % më shumë se sa një vit më parë, për të njëjtën periudhë. Duke u ndalur në origjinën e vendeve nga vinin këta turistë ministrja Ekonomi shpjegoi se numri më i madh i vizitorëve ka qenë nga Kosova, ndjekur më pas nga tregjet e tjera si Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, etj.Të dhënat nga sistemi TIMS i Policisë së Shtetin na tregojnë se një numër gjithashtu të  lartë të vizitorësh mbërritën nga  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia, Polonia, Gjermania, Franca, Suedia dhe vende të tjera. Në muajt Qershor-Gusht 2016, numri i vizitorëve të huaj arriti në 2.317.000.  Gjatë këtij sezoni u shënuan rritje domethënëse nga disa tregje rajonale dhe të Evropës Veriore dhe Lindore, shifrat e të cilave variojnë nga rritja prej 22% e vizitorëve kroat deri në rritjen prej 111% të vizitorëve ukrainas".

Sipas të dhënave nga TIA numri i fluturimeve charter përgjatë periudhës Maj-Gusht 2016, u rrit 98 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2015.
Tendenca në rritje e vizitorëve të huaj është shfaqur që në fillim të këtij viti, 3.469.000 vizitorë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë periudhës Janar-Gusht 2016.

Ministrja Ekonomi foli edhe për përfitimet financiare që kanë ardhur nga sektori turizmit.

Duke iu referuar të dhënave që na vinë nga Bilanci i Pagesave publikuar prej Bankës së Shqipërisë, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, të ardhurat nga vizitorët e huaj arritën në vlerën 640 milion Euro, duke shënuar një rritje prej 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kontributi neto i të ardhurave nga vizitorët në bilancin e pagesave është në masën 140 milion Euro.
Për sa i përket regjistrimit të bizneseve në QKB, grupi subjekteve të regjistruara “Akomodim dhe shërbimi ushqimor” ka patur një rritje me 2,4% për periudhën Janar – Gusht 2016 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa për sa i përket punësimit, sipas ËTTC deri në fund të  2016  sektori turizmit pritet të punësoi 
77.000 persona” u shpreh Ekonomi. 

Promovimi
Këto shifra tha Ministrja Ekonomi  janë shumë inkurajuese për ne  por nuk janë aspak të rastësishme. Në këtë tablo të turizmit  kanë patur ndikim  politikat shtetërore për mbështetjen e sipërmarrjes së turizmit si dhe promovimi i vazhdueshëm i Shqipërisë.

Dua t’ju kujtoj se deri përpara vitit 2013 Shqipëria merrte pjesë në 4-5 panaire. Nga viti 2014 deri më tani kemi marrë pjesë në 30 panaire ndërkombëtare. Disa ditë më parë Shqipëria për herë të parë u prezantua në Panairin “Jata Tourism Expo” . Në 2017  po për herë të parë Shqipëria është vend partner në panairin e Shtutgartit. Në Mars 2017  Shqipëria pritet të organizojë Panairin Ndërkombëtar me pjesëmarrjen e vendeve të Mesdheut” tha Ministrja Ekonomi.

Nga muaj Janar deri në Shtator 2016 janë publikuar 27 artikuj për turizmin shqiptarë në  mediat Europiane si BBC, The Indipendent, Daily Telegraph, Spectator UK, La Republica,  Kathimerini, Balkanvibe.com, Eanpages.org ,Viaggi.corriere.it, Travelneës.ch, Famagusta-gazette.com. Mediat Izraelite, USA dhe Rusi.
Një tjetër formë promovimi tha Ministrja Ekonomi të cilën ne e shikojmë si të suksesshme janë edhe FAM turet ato që njihen edhe si ture familjarizuese me gazetarë të huaj.
Vetëm 3 vitet e fundit ne kemi aplikuar përherë të parë me sukses organizimi i 20 tureve familjarizuese me gazetarë nga shumë vende të botës.

Turizmi malor
Nga muret e kalasë së Grezhdanit në Peshkoi një atraksion turistik i zonës, ministrja Ekonomi tha se “ kryesfida  jonë mbetet turizmi gjithëvjetor, që do të thotë se ne duhet ta shtojmë vëmendjen, mbështetjen  dhe promovimin e turizmit malor në mënyrë që zonat malore të  marrin zhvillim”.
Për turizmin malor tha ministrja Ekonomi duhet të punohet më shumë.

Disa vite më parë ne thoshim që: “për ne turizmi është deti. Ne kemi një pasuri shumë të madhe, që është uji dhe bregdeti ”. Por kemi kuptuar që Shqipëria është e tëra e mbushur me pasuri natyrore dhe ne mund të përfitojmë duke filluar nga kodrat e bukura por edhe nga lartësitë përmbi kodër, që janë gjithashtu shumë të bukura. Por, për çfarë do të përdoren? Ato mund të përdoren për ecje në shtigje, ndaj dhe iniciativat rajonale që ju zona juaj ka për të lidhur me një shteg të përbashkët malet e Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë dhe për të janë iniciativa shumë të mira që duhen çuar edhe më tej dhe duhen promovuar” . u shpreh Ekonomi.

Duke u ndalur në potencialet turistike të Dibrës, Ekonomi tha:

Gjithashtu, je keni dhe mundësinë që të ofroni një burim tjetër natyror siç janë ujërat termalë, të cilat duhen standardizuar me produkte të barabarta me vende të tjera të rajonit ose europiane, Përveç kësaj, ju keni dhe mundësi të ofroni  turizmin e  aventure falë burimeve ujore që padyshim ndihmon në shtimin e numrit të vizitorëve. MZHETTS do të jetë gjithmonë në krahun tuaj për ta nxitur këtë dimension të ri të zhvillimit ekonomik për rajonin, do të jetë aty për të dhënë mbështetje në iniciativat e reja të sipërmarrjes, duke i mbështetur ato me projekte sipas nevojave dhe mundësive”.

Një falenderim të veçantë  ministrja Ekonomi bëri për Qeverinë Gjermane e cila nëpërmjet GIZ -bashkëpunimi teknik gjerman, po jep asistencë dhe kontribut në  zhvillimit e turizmit malor në vite në Shqipëri, si dhe për shumë donatorë të tjerë  që kanë orientuar projektet e tyre nga zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit rural dhe kulturor.

Kryebashkiaku Muharrem Rama: Dibra me potenciale të fuqishme turistike
Ndërsa kryebashkiaku Muharrem Rama tha se “Dibra ka resurse turistike të shumta. Ardhja e Ministres Milva Ekonomi na jep një shtysë më tepër në bashkëpunimin me Zyrën Gjermane, gjithashtu dhe me ardhjen time si kryebashkiak do të kemi një bashkëpunim shumë të frytshëm për ta zhvilluar Dibrën, për ta bërë një zonë turistike ashtu siç e meriton.

 “Turizmi do të ketë prioritetet e veta gjatë kësaj periudhe, pasi ky lloj turizmi nuk është dy muaj që bëhet plazhi, turizmi malor është për të gjithë vitin. Ne kemi mbështetjen tuaj dhe të qeverisë shqiptare për një projekt për ujërat termale, duke e kthyer këtë zonë në një zone shumë atraktive, ku prioriteti ynë është rritja e numrit të turistëve. Përveç llixhave kemi dhe shumë zona të tjera, si kisha, xhamia, kalaja e Grezhdanit, kemi projekte me kalanë e Dodës, me Lurën që në të ardhmen bashkë me mbështetjen tuaj dhe projektet gjermane do t’i bëjmë realitet, ta bëjmë Dibrën një zonë të fuqishme turistike.” tha kryebashkiaku i Dibrës Muharrem Rama.

Inagurohen pikat e informimit
Gjatë qëndrimit në qytetin e Peshkopisë, Ministrja Ekonomi së bashku me të kryebashkiakun Muharrem Rama inauguruan katër  Info-Pointe në gjuhën shqipe dhe angleze që do ti vinë në ndihmë të turistëve. E nisim me Dibrën tha Ministrja Ekonomi për ta vijuar, me vendosjen e 60 të tjerave në qytete të tjera të Shqipërisë, të realizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit.

GIZ -Bashkëpunimi Teknik Gjerman, i dhuroi Bashkisë së Dibrës 10.000 harta të printuara me të gjitha destinacionet turistike të zonës në mënyrë që aksesi në to të jetë sa më i lehtë.

Ndërsa në një panair me produkte dhe ushqime të zonës Ministrja Ekonomi inkurajoj prodhuesit lokal të aplikojnë për fonde mbështetje pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi