Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi zhvilloi sot në mjediset e Kampusit të Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës një leksion të hapur me temë  “Sipërmarrja, risi dhe sfida”.
 
Në prani të dhjetëra studentëve të ekonomisë, ministrja shpjegoi situatën ekonomike në Shqipëri duke ua bërë të shpjegueshme më të dhëna dhe fakte studentëve situatën optimiste që ekonomia shqiptare po kalon.
 
“Ekonomia e vendit tonë gjatë kësaj periudhe qeverisjeje është rritur nga viti në vit, - tha Ministrja Ekonomi, duke kujtuar se në vitin 2016 rritja ekonomike vlerësohet  3.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa objektivi i qeverisë  për vitin 2017 është 3.7%, objektiv ambicioz në favor të qytetarëve. Edhe vërsa i përket punësimit, indikatorët janë pozitivë, -shpjegoi Ministrja Ekonomi duke theksuar se shkalla e papunësisë ka ndjekur një trend rënës nga 17.5% në 2014 në 14.2% në tremujorin e fundit te 2016.”  
 
 Ajo i ftoi ata si studentë të Ekonomisë që janë, që të ballafaqohen vazhdimisht me statistikat e INSTAT, të Bankës së Shqipërisë dhe të indikatorëve të tjerë të rëndësishëm globalë; si Eurostat, OECD, OKB.
 
“Ndërkohë janë dhe tregues të tjerë si Indeksi i Konkurrueshmerisë Globale 2016-2017, ku Shqipëria pati pozicionim në vendin e 80 nga 138 vende; Indeksi i Lirise Ekonomike, 2017 raportuar nga Heritage Foundation, ku Shqiperia pozicionohet me 64.4 pike nga 100 te mundshme, ne vendin e 65/180 ne nivel boteror dhe në vend të 30 në Evropë”, tha ministrja.
 
Gjithashtu sipas Ekonomit, investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur, dhe dy vitet e fundit 2015 dhe 2016 ato përllogariten rreth 9% të PBB.
 
“Kemi parë investime të rëndësishme në disa sektorë që janë sektorë potencialë: energjia dhe telekomunikacioni. Jo vetëm vlera investimeve është rritur por edhe prezenca e kompanive që operojnë në Shqipëri. Në 2016 janë regjistruar 1,503 kompani ose 25% më shumë se në vitin 2015”, u shpreh Ekonomi. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)