Agjencia Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve ka publikuar në faqen e saj zyrtare 100 prona të cilët mund të shfrytëzohen me qira nga bizneset.

Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi tha se kjo është një tjetër mundësi për të investuar në Shqipëri nga biznesi vendas dhe i huaj.

Bëhet fjalë për ish objekte dhe toka shtetërore, përfshi edhe prona private të vëna në dispozicion të biznesit për dhënie me qira.

“Vendosja në faqen e internetit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve  e këtyre 100 pronave e bën edhe më transparente mundësinë që ka një biznes për të investuar në Shqipëri, duke pasur në konsideratë, në radhë të parë, vendin ku ai do të vendosë biznesin. Faqja e AIDA-s sjell një bashkëlidhje mes interesit që ka një investitor për të zhvilluar një aktivitet, në një pronë që mund të jetë shtetërore apo private, dhe lidh atë që është pronar i pronës me atë që është zhvilluesi i një sipërmarrjeje. Ky mekanizëm përmes AIDA-s mundëson pikërisht këtë bashkim dhe këtë nuk e bën nëpërmjet kontaktit direkt por së pari, ai që kërkon të investojë, mund të ketë mundësi që të shikojë vetë dhe të marrë vetë një informacion për mundësitë që zhvillohen në territor për të zhvilluar një aktivitet. E gjitha kjo përmes faqes online të AIDA-s. Për shembull, nëse klikojmë te qyteti i Elbasanit, mund të shikojmë pronat që janë këtu”. u shpreh ministrja Ekonomi.​

Ekonomi tha se regjistri do të përditësohet në mënyrë të vazhdueshme dhe do të shtohet me të gjitha pronat që, siç dihet, janë në Ministrinë e Ekonomisë, dhe që shkojnë tek Agjencia e Zhvillimit të Investimeve.
 
​“Do të shtohet me të gjitha pronat që, siç dihet, janë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, por dhe që shkojnë tek AIDA nga pronarë privatë, do të përditësohet në mënyrë të vazhdueshme. Kur prona humbet statusin, nëse është kthyer në një status zhvillimor, do të dalë dhe në faqe që statusi i saj është një status tashmë jo më konkurrent” tha Ekonomi.

pronat online


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)