Ekonomia/ Koçiu për buxhetin e Shëndetësisë: Hera e parë që kalon 1 mld euro, rimbursim ilaçesh për 400 mijë qytetarë, dëmshpërblim ish të përndjekurve dhe bonus bebesh

Ekonomia/ Koçiu për buxhetin e Shëndetësisë: Hera e parë që kalon 1 mld euro, rimbursim ilaçesh për 400 mijë qytetarë, dëmshpërblim ish të përndjekurve dhe bonus bebesh

Ministrja Albana Koçiu sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ka prezantuar sot (12 Nëntor) në Komisionin për Ekonominë dhe Financat projektbuxhetin e vitit 2025, i cili është parashikuar të jetë jetë 103 miliardë e 375 milionë lekë.

Koçiu nënvizoi se buxheti i MSHMS, “për herë të parë në historinë e Shqipërisë tejkalon vlerën e 1 miliardë eurove” dhe mbështetet mbi tre shtylla kryesore.

“Përmes kësaj pakete financiare, rrisim mbulimin universal për qytetarin, duke reduktuar më tej kostot, zgjeruar më tej shërbimet dhe duke rritur më tej aksesin pranë vendbanimit, si edhe duke garantuar mbulim të plotë dhe mbështetje me pagesë në të holla si dhe shërbime sociale për fëmijët në nevojë, PAK dhe kategoritë vulnerabël. Së dyti, buxheti i ri rithekson rolin qendror të mjekut, infermierit dhe të gjithë profesionistëve të tjerë të sektorit të shëndetësisë, duke nxitur përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të punës dhe rritjen e shpërblimeve. Si dhe së treti, buxheti vjen me një paketë investimesh, më e madhja në historinë e sektorit shëndetësor, ç’ka do të hapë shumë kantiere të reja ndërtimi dhe modernizimi në të gjithë vendin”, tha ajo, duke shtuar se mbështet edhe zgjerimin e mëtejshëm të reformës së Autonomisë Spitalore.

Ministrja tha se “do të vijojmë të financojmë kontrollin bazë për grupmoshën 35-70 vjeç, duke përforcuar një program me një impakt shumë të madh në funksion të ndërgjegjësimit dhe parandalimit. Si dhe “do të mbështesim rimbursimin e barnave për rreth 400 mijë qytetarë, me një vlerë totale prej pothuajse 130 milionë eurosh”.

Gjithashtu, Koçiu deklaroi se:

“Në sistemin tonë dytësor, buxheti i ri do të mbështesë mbi 317 mijë pacientë që pritet të marrin trajtim në 5 spitalet terciale, 12 spitalet rajonale dhe 27 spitalet bashkiake. Do të vijojmë të mbështesim trajtimin me dializë të 1.500 qytetarëve si dhe të financojmë paketën e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë me 10 mijë përfitues. Gjithashtu për herë të parë synojmë dhe ofrimin e shërbimit të ndërhyrjes kirurgjikale për vendosjen e protezës së gjirit për rreth 600 paciente të prekura nga sëmundja e kancerit”.

Ajo nënvizoi se me “buxhetin e ri mbështetet edhe paketa e fertilitetit, që shkon direkt në dobi të çifteve të reja dhe që ka një buxhet të mjaftueshëm për mbështetjen fillestare të 150 familjeve të reja në 2025-n”.

Ministrja deklaroi se ky buxhet do të mbështesë programin 3-vjeçar, për vijimin e rehabilitimin e plotë të 107 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin për periudhën 2025-2027.

Koçiu renditi edhe kantieret investuese në shëndetësi që hapen për herë të parë në vitin 2025 si, ndërtimi i godinës së re multifunksionale të Spitalit Rajonal Korçë, rikonstruksion i godinës së Djegie-Plastikës në QSUNT, rikonstruksion i materniteteve në Fier dhe Shkodër si dhe të spitaleve në Pogradec dhe Lushnje.

Sa i përket Mbrojtjes Sociale, ministrja Koçiu deklaroi se “janë dedikuar pothuajse 300 milionë euro nga buxheti i shtetit për të mbështetur 62 mijë familje me skemën e Ndihmës Ekonomike, 91 mijë persona me aftësi të kufizuar. Buxheti 2025 mbështet bonusin e bebes me vlerë financimi prej 2.3 miliardë lekësh si dhe Pagesën për dëmshpërblimin dhe rehabilitimin e ish-të përndjekurve politikë, me vlerë financimi 1 miliard 449 milion lekë”.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sot samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, në fokus intensifikimi i partneritetit dhe rrugëtimi europian (AXHENDA)

Sot samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, në fokus intensifikimi i partneritetit dhe rrugëtimi europian (AXHENDA)