Ekonomia, më pak politikë
më shumë zgjidhje

Një tjetër veçori shqiptare duket se është edhe raporti mes politikës dhe ekonomisë, keqvendosja e tyre ndaj njëra-tjetrës, çka përcakton dhe ndërveprimin e gabuar mes tyre.  Thënë më troç problemi ynë është shtypja e ekonomisë prej politikës, tërheqja për hunde e së parës prej të dytës. Kudo në botën e sotme ekonomia mbetet "mbretëresha" dhe politika veçse e pasqyron atë. Vihet në shërbim të saj.

Edhe problemi më i vogël ekonomik -fjala vjen një rritje çmimesh, bëhet shkak që politika vetë të tronditet thellë. Të shkaktohen tërheqje dhe dorëheqje, zgjedhje e qeveri të reja. E kundërta tek ne. Këtu politika është gjithshka. Aq të drejtë i ka dhënë ajo vehtes mbi ekonominë sa që edhe bizneset më të mëdha e më të konsoliduara, e mbajnë detyrimisht një sy ..nga politika.

"Tranzicioni" i ka mësuar se pa një lidhje të fortë me ..ata lart, edhe pozita më e fortë sipërmarrëse mund të lëkundet brenda ditës. Sepse megjithë pëkuljen plot nderim që bëhet para biznesit në raste mediatike, politika ende i përdor fort politikisht dy “lodrat” e veta ekskluzive: administrimin tatimor dhe porositë  shtetërore.

Problemi i vërtetë është përdorimi selektiv i këtyre armëve, duke i nxjerrë ato nga funksioni rregullues e korrektues i tregut e konkurrencës, duke injoruar rolin ekonomik e social të tyre, e duke i katandisur në vegla politike. Edhe vetë mbushja e buxhetit s'është qëllim i parë, por i dytë e shpesh ..i tretë! Në se "s'përgjigjen politikisht" biznesit mediatik p.sh. i hiqen reklamat, biznesit ndërtues e prodhues i hiqen tenderat dhe aksesi te koncesionet. Ndërsa të gjithëve  bashkë mund t’u hiqet çdo mundësi që të mbrohen para sulmit të ...tatimorëve.

Biznesi natyrisht po reagon në mënyrën e vet (edhe kjo ..me vecori shqiptare). Deri sot, nëpërmjet ankesave e kërkesave. Ndërsa sot me një formë reagimi ..jokonvencionale. E kam për ç'ka po ndodh në këto zgjedhje. Kur 10-15 figura të njohura të biznesit ...kanë dalë e kërkojnë direkt mandatin e deputetit.

A nuk flet edhe kjo për një kapitullim ndaj politikës? Për faktin pra, që biznesi s'ka asnjë garanci se mund t'ja dalë në rrugë thjesht  ekonomike e "biznesore"? Prandaj dhe përpiqet të koracohet edhe ..politikisht.  Tashmë jo vetëm përmes lidhjes me ata lart, por direkt, duke zënë karriken e ..legjislativit.
 
Natyrisht të gjithë i gëzohen tashmë rrugëve të ndërtuara, urave e tuneleve, tek të cilat qeverisja aktuale shpenzoi energji e burime me bollëk. Duke holluar në maksimum financat. Taksa e sheshtë –doemos ka dhënë një shtysë që nuk mohohet. Por të dyja s’janë veçse politika ..pjesore. Të vetme dhe të pakuruara në kohë, ato nuk ishin dhe s’mund të jenë “shpëtimi”.
 
Ndërkohë edhe më optimistët e ndjejnë se ekonomia e vendit s'jep hiç shkas për të festuar. Prej javësh, vetë qeveria duket se ka hequr dorë nga shpalljet euforike. Edhe pse në kulm-fushate, një kohë pra kur racionaliteti e arësyeja ekonomike kalon në plan të dytë (duke ja lënë gjithë fushën entusiazmit kuturu), tezat për "suksesin tonë antikrizë", "rreshtim mbas Gjermanisë", "vend i zhvilluar në 2017-en!", sikur janë harruar.

Si duket, të përballur jo vetëm me shifrat e burimeve "të vërteta" nga sipër,  por edhe me realitetin "e vërtetë" nga poshtë –duke e prekur atë fizikisht, krerët kanë parë që euforia qenkej jo vetëm e pavend; ajo mund t'i dëmtonte direkt ata, duke i bërë deri edhe ...pak groteskë.

Tabloja është e qartë. Mjaftojnë shifrat e këtij pesë-mujori. Për muajin Maj të ardhurat nga taksat ranë me 30 për qind kundrejt majit 2012.  Si pesë-mujor, të ardhurat e mbledhura në arkën e shtetit janë 10.7 miliardë lekë më pak se plani dhe mbi 7.6 miliardë lekë më të ulëta se një vit më parë.

Është shifra më e ulët e katër viteve të fundit. Në të njëjtën linjë janë sinjalet që vijnë edhe nga sektori i borxhit të rënduar, investimeve të huaja, privatizimit, kredive të këqia, borxhit të brendshëm, borxheve që bizneset i kanë njëri-tjetrit, remitancave të emigrantëve, etj. Kjo klimë krize pasqyrohet doemos edhe në një sjellje "shtrënguese" nga ana e investitorëve dhe konsumatorëve.

Karikaturë, zgjedhje, kandidatët, votuesit, ekonomia
(Në foto karikaturë, zgjedhje, kandidatët, votuesit, ekonomia)

Se kush është shkaku e kush pasoja, kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka dicka tjetër. Kur qeveria nuk e pranon krizën dhe nuk reagon me masa antikrizë, atëhere kalohet në variantin "vetëmbrojtje". Pra këto masa të munguara i merr instiktivisht vetë konsumatori dhe investuesi. Si? Duke kursyer e shtrënguar dorën. Duke blerë më pak e investuar më pak.

Jo vetëm sepse ka më pak lek, por edhe sepse ka më shumë ..frikë e pasiguri për të ardhmen. Ky sigurisht nuk është aspak një lajm i gëzueshëm. Sepse "shtrëngimi i dorës" mund të garantojë "kursimtarin" që ta shtyjë ca kohë, por në planin afatmesëm e afatgjatë frenon edhe më tej ekonominë e duke e futur atë në një rreth vicioz.
Edhe më e ndjeshme për njerëzit, është kriza në terren.

Sektori i ndërtimit është thuajse totalisht i fikur. Turizmi është kufizuar vetëm në hyrje-daljet kufitare dhe ..biletat e agjensive turistike. Bujqësia e fshati - me shumë probleme. Kostot tek shumica e prodhuesve po arrijnë dhe kalojnë të ardhrat, ndërsa tregu ngushtohet. Pa folur për dukuritë e trashura të presioneve adminisrative, korrupsionit, përkeqësimit të shërbimeve publike.

Sinteza negative e gjithë kësaj është Punësimi. Ose më saktë Papunësia. Shifrat që raportojnë zyrat e shtetit, s'kanë tashmë asnjë rëndësi për familjet e njerëzit që vuajnë direkt papunësinë. 12.8 përqindshi mbetet vetëm në letra. Kjo shifër ka lidhje vetëm me 142 mijë njerëzit ...e rregjistruar në zyrat e punësimit.  Ndërkohë që të gjithë e dijmë se ç’përfaqsojnë shifra si fjala vjen ajo mbi  ..."522 mijë të punësuarit në sektorin privat bujqësor".

A është dhënë alarmi? E keqja tek ne është se zërat paralajmëues marrin menjëherë vulë politike. Konsiderohen sulme ndaj qeverisë, ndaj arritjeve të saj.  Megjithatë sinjalet janë dhënë. BERZH në raportin e vet në Maj, e ndryshoi në rënie parashikimin e vet për rritjen e ekonomisë shqiptare. Zbriti në 1.6%, ga 1.8 % që kishte shpallur 5 muaj më parë.

Shqetësimet përkatëse i përcolli pastaj edhe Banka jonë Qendrore. Pikënisja e saj në fakt kishte një natyrë praktike. Masat e saj për gjallërimin ekonomik nuk po jepnin asnjë efekt. Ndonëse në dy vitet e fundit e pat ulur gjashtë herë normën e interesit, transmetimi i kësaj politike tek kostua e parasë dhe rritja ekonomike ishte thuajse inekzistent.
Dje, Banka Botërore në raportin e saj mbi zhvillimin ekonomik të rajonit, veçse i konfirmoi problemet e qarta tashmë edhe për ekonominë shqiptare.
 
Por edhe më e rëndësishme se alarmi, se konstatimi i gjendjes, më e rëndësishme edhe se denoncimi i saj, mbetet diçka tjetër: reagimi ndaj krizës, marrja e masave për rivendosjen e stabilitetit dhe shëndoshjen e gjendjes. Dhe është e dhimbshme që këtu zbresim sërisht tek pika e nisjes.

Edhe kjo axhendë, që duhet të dominohej nga zgjidhjet profesionale dhe nga dija, sërisht sundohet nga politika. Nga planet e mbajtjes a marrjes së pushtetit. Kjo frymë shfaqet dukshëm së paku platformat e dy partive të mëdha, që  ndonëse me thekse të ndryshme, janë njëlloj për nga pasojat dhe sidomos për nga efekti final: ruajtja e dominimit politik mbi ekonominë.
 
Kjo duket në dy aspekte: së pari në objektivat e improvizuara, euforike e të pastudiuara. Së dyti tek orientimi i njëanshëm, jo-sistematik.  Partia kryesore e maxhorancës e orienton "argumentin" tek shpenzimet. Ndërsa PS kryesisht tek të ardhurat. PD le mënjanë pamundësinë e mbushjes së buxhetit dhe merret me shpenzimet, sidomos në rrugë e tunele, si "zbulimin" dhe pikën e vet të fortë.

Nga krahu i të ardhurave diskutimi i saj duket i mbyllur: taksa e sheshtë është boll, është zgjidhja ..e shenjtë!  Ndërsa diskutimi kryesor i PS është shkallëzimi i taksave - si rruga më e mirë për të shërbyer planet e saj sociale por edhe për të mbushur buxhetin. Sigurisht ajo flet edhe për punën me shpenzimet, por këtë e bën në mënyrë të përgjithëshme:  pak a shumë me moton: do subvencionojmë ku të mundim! Ndërsa për taksat, të flet me hollësi dhe me ...makinë llogaritëse. 
 
Më e pakta që mund të thuhet, është që në të dy skajet mungon vështrimi integral. Dhe trajtimi integral. Ekonomia është një mekanizëm kompleks dhe i balancuar. Është si të thuash një lloj sistemi dinamik, si puna fjala vjen e ..sistemit diellor. Me ndryshimin që "Dielli" nuk është as qeveria e as opozita, por ligjet e parimet bazë të ekonomisë së tregut, që garantojnë qëndrueshmërinë e sistemit. Nuk mund të ndërhyhet pjesërisht.
 
Këtë aspekt e nënvizojnë fort partnerët ndërkombëtarë. Ç'tha pardje Banka Botërore? Më shumë se për çdo gjë tjetër, s”foli as për taksat as për ndërtimin e rrugëve, shqetësimi i tyre ishte diçka tjetër: Konsolidimi Fiskal. Si aset kryesor rreth të cilit lëviz e dinamizohet ekonomia kombëtare. "Qeveria duhet të ...ketë prioritet konsolidimin fiskal" -tha pardje Ksenya Lvovsky.

“Nuk është shumë e rëndësishme struktura sesa stabiliteti i taksave për bizneset” shtoi ekonomisti tjetër i BB, z. Luci. Pritshmëritë duhen shqyrtuar së bashku me rreziqet. Niveli i borxhit, rënia e rritjes, mosrealizimit të të ardhurave janë kryesoret mes tyre. U dha alarmi për papunësinë mes të rinjve.  Shohim se si theksi vihet sërisht tek vështrimi sistematik, në zinxhir.  Konsolidimi fiskal -thanë ekspertët, -vështirësohet nga borxhi i lartë (mbi 62% të PBB) ndërsa vetë zbutja e borxhit pamundësohet nga rritja e ulët ekonomike (1.6 - 1.8%).
 
Kjo është arësyeja pse si variabli qëndror i objektivit ekonomik duhet bërë dicka tjetër: as taksat e të ardhurat në vetvete e as shpenzimet për ndërtim rrugësh a veprash, si qëllim më vete.

Një variabël i tillë integral është Punësimi.  Punësim dhe ..sa më shpejt! Jo thjesht se e vërteta mbi nivelin e papunësisë shqiptare është shumë larg "statistikave". Jo thjesht se këtë e theksoi si problem qëndror edhe Banka Botërore në raportin e pardjeshëm. Jo vetëm prej kërcënimit të nënvizuar prej saj për papunësinë  e frikshme tek të rinjtë (dyfish e mesatares).

Por sepse është politikë integrale. Në se gjithshka vendoset në funksion të punësimit atëhere i kemi të gjitha përkujdesjet brenda. Që nga konsolidimi fiskal e deri tek tregjet e reja e produket konkurruese "made in Albania". Duke shërbyer Punësimin kemi shërbyer padyshim më mirë edhe të ardhurat buxhetore, pra edhe arësimin e shërbimet sociale e ato publike.

Sigurisht të deklarosh Punësimin si objektiv qëndror është vetëm njëra anë dhe jo më e vështira. Ana tjetër është studimi e gjetja e zgjidhjeve krijuese që shërbejnë punësimin. Shndrrimi i tyre në motivin bazë të reformave. Dhe qëndrimi konsekuent deri në përmbushje të synimit. Nuk janë zgjidhje që gjenden sot dhe menjëherë.  Ky është një process dinamik e shumë kërkues. Kërkon energji, mjete dhe mendje kreative. Mbi të gjitha seriozitet të patundur nga ana e qeverisjes.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Polonia akuzon Rusinë se po planifikon akte terroriste kundër linjave ajrore në mbarë botën

Polonia akuzon Rusinë se po planifikon akte terroriste kundër linjave ajrore në mbarë botën