Ekonomia ngadalësoi disi ritmet e rritjes në 2025-n, duke u rritur me 3.79% në vitin 2025, sipas të dhënave paraprake të publikuara nga INSTAT. Ky është ritmi më i ulët i rritjes, që nga periudha e pandemisë. Një vit më parë, zgjerimi kishte qene 4.05%.

Në tre tremujorët e parë, ndikimin kryesor në rritje e kishte dhënë administrata publike dhe taksat neto. Ndërsa në tremujorin e katërt, një kontribut të rëndësishëm ka dhënë dhe ndërtimi.

Ndonëse sipas të dhënave të tjera të bankës së Shqipërisë, 2025-a ishte një vit rekord për të ardhurat nga turizmi, arritën një rekord prej 5.7 miliardë lekësh në vend, ndikimi i aktivitetit “Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe shërbimi ushqimor” që do të ndikohej direkt nga konsumi i të huajve ka qenë minimal në të gjithë tremujorët. Në tremujorin e tretë, psh, kontributi i këtij zëri ishte 0.62 pikë përqindje, nga 3.75% që ishte rritja totale, ndërsa në të katërtin 0.22 pikë përqindje, nga 3.79% rritja totale. Edhe konsumi final i popullatës për gjithë vitin ishte 2.77%, më i ulëti pas pandemisë, dhe përjashtuar pandeminë, më i ulëti nga 2018-a.

Rritja në tremujorin e katërt

Sipas njoftimit të INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), në terma realë, në tremujorin e katërt të vitit 2025 vlerësohet me rritje 3,80 %, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2024.

Kontributi sipas aktiviteteve ekonomike paraqitet si më poshtë: “Ndërtimi” me +1,17 pikë përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me +1,02 pikë përqindje,

“Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me +0,32 pikë përqindje, “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” me +0,22 pikë përqindje, “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” me +0,05 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi” me +0,02 pikë përqindje, dhe “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me +0,01 pikë përqindje.

Aktiviteti “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” kontribuoi me -0,27 pikë përqindje, “Industri, Energji dhe Uji” kontribuoi me -0,16 pikë përqindje dhe “Informacioni dhe Komunikacioni” me -0,11 pikë përqindje, “Taksat Neto mbi produktet” kontribuan pozitivisht me +1,54 pikë përqindje.

Ecuria e aktiviteteve kryesore të ekonomisë, për tremujorin e katërt të vitit 2025, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2024, paraqitet si më poshtë:

“Administratra Publike, Arsimi dhe Shëndetësisia” shënoi rritje prej 8,30%, i ndjekur nga aktiviteti i “Ndërtimit” shënoi një rritje prej 7,36%, aktiviteti “Pasuri të Paluajtshme” me një rritje prej 6,25%, grupi “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” shënoi një rritje prej 2,82%, grupi “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” shënoi një rritje prej 1,14%, grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje dhe aktivitete të tjera shërbimi” shënoi rritje prej 0,81 % dhe grupi “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” shënoi rritje me 0,11%.

Grupi i aktiviteteve: “Informacioni dhe Komunikacioni” shënoi rënie prej 3,55%, grupi “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” shënoi rënie me 2,19 % dhe grupi “Industri, Energji dhe Ujë” shënuan rënie prej 1,59%.

Taksat Neto mbi produktet u rritën me 12,02%./ Monitor