Vetëm në 3 ditë nga arrestimi pranë disa mbeturinave në flakë në Lundër të Tiranës, 70-vjeçari Sami Alliu, e gjen veten të dënuar.
Blutë e Tiranës e prangosën në flagrancë më 9 gusht, dhe nga hetimet paraprake thanë se i moshuari ishte përgjegjës edhe për ndezjen e disa shkurreve që u përhapën e sollën një zjarr edhe më masiv pranë një kabine elektrike në Shkozë.
Këtë të mërkurë Gjykata e Tiranës e dënoi me 6 muaj burg, por që nuk do të kalojë asnjë ditë tjetër në qeli, pasi iu konvertua në 1 vit liri me kusht, që do të thotë se në këtë periudhë nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale.
Prokurori Indrit Bimi e dërgoi të moshuarin për gjykim të drejtpërdrejtë, duke dalë para togave të zeza vetëm me provat e mbledhura dhe deklarimet pohuese të të dyshuarit, që pranoi se është ai personi që i shkaktoi zjarret.
Por Sami Alliu, është distancuar që ky veprim i tij të ketë qenë i qëllimshëm.
Ish ushtarak, i divorcuar, 70-vjeçari jeton i vetëm në një kontejner afër zonës ku ranë zjarret.
Herë pas here thotë se pastronte sipërfaqet afër vendit ku banonte. Edhe ditën e ngjarjes ai ka treguar se kishte mbledhur mbeturinat pranë një magazine dhe i ka vënë flakën, po zjarri ishte përhapur dhe ai nuk kishte mundur ta fikte dot.
Nga 1 qershori deri më 11 gusht, Policia e Shtetit identifikoi 21 autorë zjarresh të dyshuar që u arrestuan, 44 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë dhe 3 të shpallur në kërkim, për zjarrvënie të qëllimshme, që sipas kodit penal, nëse ka fatalitete, rrezikojnë nga gjobë deri në 20 vite burg.












Komente
Komento