Dy zjarre që përfshinë zona pyjore në Tiranë dy ditët e fundit, në Lundër dhe në Shkozë, janë të qëllimshme, dhe nga i njëjti person. Nga hetimet e kryera, policia arriti të zbulojë autorin e dyshuar brenda 48 orëve nga ndezja e 2 zjarreve.
Sipas bluve të Tiranës, Sami Alliu 70 vjeç dyshohet se më 9 gusht ndezi zjarr në afërsi të magazinave të Bashkisë së Tiranës.
Ai u kap në flagrancë nga agjentët e Komisariatit nr. 1, të njoftuar nga banorë të zonës. Arrestimi i shpejtë ka shmangur një zjarr që mund të rezultonte shumë problematik. Pas kapjes policia kuptoi se ishte i njëjti person që ndezi zjarr edhe më 8 gusht në Shkozë ku dogji disa shkurre në afërsi të një kabine elektrike, duke e identifikuar nga rrobat e njëjta që ka pasur veshur.
70-vjeçari rezulton të jetë piroman i mirëfilltë, pasi pas arrestimit nuk ka dhënë ndonjë arsye konkrete, thjesht ku “sheh shkurre dëshiron t’i djegë”.
Të dyja zjarret e ndezura prej Alliut shkaktuan pasoja duke u përhapur në masive pyjore dhe duke angazhuar me dhjetëra forca zjarrfikëse për t’i shuar ato, ndërsa dëmet ishin të mëdha në sipërfaqet e tokave përreth.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Vijojnë intensivisht hetimet dhe veprimet operacionale, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve.
Vihet në pranga autori i dyshuar i 2 zjarrvënieve, gjatë 2 ditëve të fundit, në Lundër dhe në Shkozë.
Si pasojë e zjarreve në afërsi të magazinave të Bashkisë dhe të një kabine elektrike, pati dëme të shumta në sipërfaqet e tokave përreth.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas njoftimeve për zjarrvënie, krahas asistencës së ofruar shërbimeve zjarrfikëse, për shuarjen e flakëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 identifikuan dhe arrestuan brenda 48 orëve nga ndezja e 2 zjarreve, autorin e dyshuar të tyre, shtetasin S. A., 70 vjeç.
Ky shtetas dyshohet se më datë 09.08.2026, në fshatin Lundër, ka ndezur zjarr në afërsi të magazinave të Bashkisë Tiranë, ndërsa më datë 08.08.2026, dyshohet se ka ndezur zjarr te disa shkurre në afërsi të një kabine elektrike, në fshatin Shkozë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon sërish, për të gjithë qytetarët, që në asnjë rrethanë të mos ndezin zjarr, pasi do të përballen me ligjin.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke u garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.











Komente
Komento