"Shumë shpejt Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme...po flitet në mars ose maj, e nëse nuk mbahen atëherë mbeten për në shtator ose tetor të vitit të ardhshëm”. Ai që e deklaron këtë është kryebashkiaku i sapozgjedhur i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ekskluzivisht sot në linjë telefonike për “A1 Report” për gazetaren Eriona Rusi.

Eriona Rusi: Përshëndetje zoti Ahmeti! Urime për fitoren! Mund të na thoni opinionin tuaj për zgjedhjet në Kosovë?
Shpend Ahmeti: Zgjedhje historike dje që patëm në gjithë Kosovën por në Prishtinë posaçërisht ku për herë të parë levizja vetëvendosja fitoi në një komunë dhe tani ka rastin për të qeverisur 4 vitet e ardhshme, por ajo çfarë ndodhi dje është se Prishtina ishte qeverisur nga një parti politike që prej 14 vitesh. Sfiduam kanditatin i cili ishte kryetar komune me 2 mandate rresht dhe me një mobilizim jashtëzakonisht të madh të shqiptarëve të subjekteve të ndryshme politike arritëm që të fitojmë në radhë politike në balotazh.

Çfare tregoi kjo fitore historike, që Prishtina ishte bastion i LDK, janë lodhur qytetarët e Kosovës me këtë lloj qeverisjeje?
Rezultatet në gjithë Kosovën tregojnë për një ndëshkim të pushtetit, por në përgjithësi mendoj se qytetarët tregojnë fuqinë e votës së tyre, pra ndëshkuan pushtetet, të cilat mendonin se shumë lehtë e kanë fitoren dhe thjesht janë të lodhur nga gjendja e rëndë ekonomike, sociale, politike që mbizotëron në Kosovë dhe kësaj radhe e treguan në zgjedhjet lokale. Ky ishte mesazhi që iu shkoi ma merr mendja gjithë partive politike, që kanë udhëhequr në Kosovë deri tani, që kështu më nuk mund të vazhdohet.

Zoti Ahmeti, a ishte befasi rezultati i këtij balotazhi që u mbajt këtë të diel?
Po ne synonim fitoren, nuk mund të them që s'ishte befasi për neve, por pergjigjja ishte midis po dhe jo. Ne besuam thellë në fitore, punuam shumë që të mobilizojmë njerëz që të nxirnin ditën e zgjedhjeve sa më shume votues, ishte dalje rekord edhe ne raundin e parë ndonjëherë në zgjedhjet lokale në Prishtinë. Prandaj dhe kur e fituam për të tjerët ishte më shumë befasi sesa per ne, por megjithatë mund të themi se nuk e kanë pritur shumë njërëz këtë rezultat, sepse në raundin e parë Isa Mustafa kishte 9 mije vota avantazh ndaj nesh dhe jo vetëm qe e shkrime këtë rezultat, por dolëm me 3 mije vota epërsi kundër në fund pas numërimit.

Ndërkaq cila do të jetë puna e parë që do të bëni zoti Ahmeti si kryetari i ri i Prishtinës?
Po kemi thënë që do ta hapim komunën shumë më transparente, domethenë do të inkuadrojmë dhe diskutimet me qytetarë, por në përgjithësi kemi pasur dhe i kemi tre prioritete kryesore dhe ato janë: Uji se në Prishtinë 60% e banorëve ballafaqohen më reduktime të ashpra të ujit. Kemi folur për trafikun dhe transportin publik si një prej problemeve kryesore dhe çerdhet dhe shkollat si një qytet, që është bërë i pajetueshëm për familjet e reja. Sa për këto tre prioritete kemi prezantuar programe konkrete dhe këto do të jenë pikat të cilat ne do mundohemi t'i implementojmë që në fillim.
 
Mendoni se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare Vetëvendosje do të shfaqet më e fuqishme bazuar dhe në këtë rezultat aktual dhe do të mundet të qeverisë vendin mbase në koalicion me një tjetër parti?
Një porosi kryesore që është se qytetarët nuk kanë marrë pjesë më parë në zgjedhje duke menduar se ndryshimi nuk bëhet. Në raundin e parë nuk votuan duke menduar se nuk ka gjasa që të mposhtet LDK-ja në Prishtinë. Mendoj se kjo e kthen besimin te procesi zgjedhor dhe tek votuesi, por megjithatë mendoj se varet shumë se kur mbahen zgjedhjet qendrore, nëse do të mbahen shumë shpejt atëherë ndoshta nuk e dimë se cili do të jetë efekti, por në qoftë se ne e kemi rastin që në Prishtinë të tregojmë si qeverisim ajo mund të ketë efekt dhe pozitiv dhe negativ në qoftë se zgjedhjet bëhen në vjeshtën e viti të ardhshëm.

Ju thatë shumë shpejt, do të thotë qe ka një tregues për zgjedhje të parakoshme parlamentare në Kosovë?
Situata politike thujase është bërë e paqëndrueshme, nuk mendojmë se do të vazhdoj shumë gjatë kështu, i vetmi proces që e ndalon ndoshta do thosha është procesi i formës zgjedhore, që varësia ndërkombëtare e kërkon në Kosovë, sepse përndryshe mendojme se shumë shpejtë vendi do të shkonte në zgjedhje. Tashmë po flitet për dy data të mundshme në pranverën e vitit të ardhshëm, mars deri maj ose në qoftë se nuk mbahen atëherë do të mbahen në shtator ose tetor të vitit të ardhshëm.

A e kaloi testin Kosova për mbajtjen e zgjedhjeve të sukseshme në të gjithë territorin e vendit?
Mbetet të shihet, unë mund të flas më shumë për komunën e Prishtinës, këtu e mbrojtën votën dhe mendoj se kishte dallim jashtëzakonisht të madh nga zgjedhjet e vitit 2010 pra shumë më pak parregullsi edhe pse mbetën disa tentativa, por megjithatë mendoj se ishte përmirësuar dukshëm procesi nga viti 2010, por mendoj se kësaj radhe kërcënimet e varësisë ndërkombëtare ishin shumë më të mëdha karshi qeverisë që presin zgjedhje të rregullta demokratike.

Redaksia Online
(mag/a.ç/shqiptarja.com)