Ekskluzive/ Ajshe Haklaj: Si tentuan të më vrisnin njerëzit e Sali Berishës në vitin 2004

Vrasjet në Tropojë nuk kanë kyrsyer as gratë. Në një intervistë ekskluzive për "Shqiptarja.com" Ajshe Haklaj motra e madhe e vëllezërve të vrarë Shkëlqim, Halil, Ylli dhe Fatmir Halkajt rrëhen për herë të parë se si u tentua edhe eleminimi i saj fizik nga njerëz që siç thotë ajo ishin të lidhur me Sali Berishën. Sipas saj, Sali Berisha kundra familjes së saj vuri në kurriz makinerinë e tij shtetërore, duke përdorur shtetin në krime kundër njerëzimit, ku banda ishte vetë ai, i cili vriste dhe nxiste vëllavrasjen. “Veprimet e tij mund t’i krahasoj pa frikë me ato të Pol Potit në Kamboxhia, sepse Hitleri dhe Sllobodani nuk i kanë vrarë popujt e tyre”, thotë Ajshe Haklaj në rrëfimin e saj ku me detaje rendit të gjithë kronologjinë e vrasjeve brënda familjes së saj.
 
A ka pasur ndonjëherë të akuzuar për vrasjet e vëllezërve tuaj dhe cilat janë argumentet tuaja për mos reagimin e shtetit, qoftë nga ana e majtë e qoftë nga ana e djathtë? 
Unë jam munduar të sqaroj  vrasjet dhe për mos reagimin e shtetit edhe atëherë kur unë ndodhesha në Shqipëri, në kohën e inkuizicionit Berishian, por arsyeja që unë po shprehem edhe një herë për këto krime të tij është prononcimi i Saliut në parlament për dënimin e vëllezërve Haxhiaj, ku ai u shpreh se dënimi i tyre është bërë sipas pohimeve dhe denoncimit të tij. Kjo më lë të kuptoj se vrasjet e vëllezërve të mi dhe dënimet e të mbijetuarve tanë janë bërë sipas urdhrave të tij. Ndaj këtu mund të them se Saliu jo vetëm na shau me fjalorin e tij prej bastardi dhe na akuzoi për ato që ai kishte bërë vetë, jo vetëm na persekutoi, na vrau dhe na dhunoi edhe varret e të vdekurve, jo vetëm që edhe të mbijetuarit i degdisi në dhe të huaj, por ai vazhdon edhe sot e kësaj dite të na akuzojë publikisht dhe të lakojë emrin tonë në debate televizive duke na akuzuar e fyer, e kështu duke kryer edhe një tjetër vepër penale, atë të akuzës, të shpifjes dhe të fyerjes publike. Ai ka përdorur shtetin në krimet kundër nesh, ku veprimet e tij janë kanunore e hakmarrëse, të cilat tregojnë se ai ka shpërdoruar detyrën duke kryer krime ndaj një numri të konsiderueshëm njerëzish. Por tani unë dua që, në qoftë se drejtësia është e çliruar nga influenca e Saliut, të cilën e pohon ai vetë, të hetojë dhe të dënojë vrasësit me paanshmëri kushdo qofshin ata.

Ajshe Haklaj, motra e madhe e vëllezërve Haklaj

Akuzat tuaja ndaj Sali Berishës janë konstante madje shumë të rënda. Cfarë provash keni për sa thoni më sipër se Berisha përdori shtetin për tju kundërvënë familjes tuaj dhe më gjer? 
Pas vrasjes sonë të dyfishtë në Milot, më 22 qershor 1997, ku Saliut nuk i është bërë asnjë atentat atë natë, pavarësisht pretendimeve e mashtrimeve të tij për të hedhur baltë mbi vrasjet tona, tregohet qartë se Saliu e ka organizuar vetë atentatin në Milot kundër nesh, ku mbetën të vrarë Sokol Haklaj dhe Ibrahim Rrustemi. Ne kemi prova që vërtetojnë se vëllai i vrasësit të pritës në Milot, ishte atë natë me forcat e Saliut rrugës për në Bajram Curri. Ne kemi edhe një provë tjetër që vërteton se Saliu u priste udhëtarëve rrugën dhe jetën në mes dhe, nga ana tjetër, i akuzonte ata për atentat. Ja, kjo është fytyra e shtirur e Saliut, i cili mendonte se shqiptarëve të Kosovës, të cilët vriteshin e priteshin andej dhe këtej kufirit, nuk u mjaftonin 100 vite robëri, duke i futur ata në mes dy Sllobodanëve. E paimagjinueshme, shumë trishtuese, por e vërtetë. Vëllai ynë Fatmiri mendonte se Saliu i vriste njerëzit rrugëve duke përdorur shtetin. Në familjen tonë kishte kundërshtime, por argumentet e tij bazoheshin në ngjarjen e Milotit. Një ndër ata që e kundërshtonin Fatmirin isha edhe unë, sepse nuk e imagjinoja dot që shteti të ekzekutonte qytetarët e tij rrugëve, pa gjyqe. Unë e di që në monizëm janë vrarë njerëz nga shteti, por atyre u është bërë një gjyq i montuar dhe ata janë pushkatuar sipas ligjit të asaj kohe. Por vallë, a janë ekzekutuar njerëz rrugëve për në shtëpi dhe a kanë pasur edhe fëmijët armë? Motra ime tregoi për vrasjet e 4 vëllezërve tanë në një afat kohor prej dy vitesh (1998-2000), por edhe ndaj vëllait tonë të mbijetuar është organizuar një atentat në vitin 2000, përpara se vëllai ynë Ylli të vritej. Kurse në vitin 2002 iu bë atentat për ekzekutim edhe babait tonë. Po në vitin 2002 u vranë në mes të qytetit xhaxhai ynë Elez Isufi dhe djali i tij Cen Haklaj, i cili punonte në atë kohë si zëvendësdrejtor i gjimnazit të Bajram Currit. Po gjatë kësaj kohe u vranë edhe 7 shokë dhe të afërm të familjes dhe u plagosën edhe disa të tjerë. Për asnjë nga këto vrasje nuk ka pasur as të dyshuar, as të ndaluar dhe as të dënuar, edhe pse denoncimet tona me emra konkretë nuk kanë munguar.
 
Prej shumë vitesh qarkullon një informacion se ka patur tentativa edhe për eliminimin tuaj fizik. Si qëndron e vërteta? 
Po, kjo është e vërtetë. Në vitin 2004 unë punoja si drejtoreshë në shkollën “Jaho Saliu”, në Bujan. Në dhjetor të po atij viti, dy persona të armatosur tentuan të më ekzekutonin pranë banesës sime në Bujan. Ishte planifikuar të vritesha jashtë banesës, por, për fatin tim të mirë, unë u gjenda në banesë. Bëra denoncimin e radhës me emra konkretë. Personat që tentuan vrasjen time kishin lidhje të afërta me Saliun, por policia veproi si gjithmonë. Të nesërmen, njësia komando qëlloi në banesën e babait në të gdhirë, duke përdorur pushkë automatike dhe granatahedhëse. Brenda në banesë ndodheshin prindërit tanë dhe vajza e Fatmirit, e cila në atë kohë ishte vetëm 5 vjeçe.
 
A e denoncuat këtë ngjarje? 
Denoncimet u bënë, por si gjithmonë, tentativat nuk kishin autorë, mungonin faktet dhe provat, megjithëse shenjat e plumbave dhe të granatave tashmë gjendeshin në muret e shtëpisë dhe një numër i madh gëzhojash në kodrën sipër banesës prej nga ku kishin qëlluar. Mos zbardhjen e vrasjeve në vazhdimësi dhe indiferencën e shtetit për zbulimin e autorëve të vrasjes, ku ne në vazhdimësi akuzoheshim por dhe vriteshim, ndërsa për ne nuk akuzohej kush dhe nuk ndalohej njeri, e justifikoj duke thënë me bindje se Saliu kishte krijuar një shtet brenda shtetit, i cili edhe atëherë kur nuk ishte në pushtet, ishte i aftë të realizonte qëllimet e tij mafioze, duke mashtruar dhe manipuluar fakte e prova, dhe nga ana tjetër ushtronte trysni ndaj shtetit në pushtet.
 
Në këto ngjarje Berisha dhe njerëzit e tij kanë vepruar të vetëm apo ka patur edhe të tjerë të implikuar? 
Nuk përjashtohet mundësia që pushtetet të kenë bërë edhe ndonjë marrëveshje në kurrizin tonë, sepse koha e vërtetoi se Fatosi dhe Saliu i përkisnin të vjetrës dhe kahet e tyre, në dukje të kundërta, dërgonin ujë në të njëjtin mulli. Nëna jonë e dashur ndiqte zgjedhjet në televizor edhe këtu në Suedinë e largët dhe i thoshte Edi Ramës: “E ke vështirë me dy të poshtër”.
 
Pas ardhjes së Saliut në pushtet ju keni qenë në Shqipëri, ku ju thoni se ai bëri krime kundër jush duke përdorur shtetin. Si arritët  të mbijetonit? 
Me ardhjen e Saliut në pushtet, më 2005, vrasësit e vëllezërve tanë filluan të lëviznin lirshëm, të cilët kishte vite që nuk ishin ekspozuar publikisht. Por veç kësaj, ata u graduan dhe morën poste të rëndësishme, pavarësisht se ishin të akuzuar nga ana jonë si vrasës dhe njerëz që kishin lyer duart me gjak, që kishin sjellë vëllavrasjen dhe destabilizuar një zonë shumë delikate për çështjen shqiptare të Kosovës, duke kryer vrasje të shumëfishta dhe duke përdorur armë dhe mjete nga më të sofistikuarat e asaj kohe. Unë di disa raste të tilla për të cilat kam fakte, prova dhe dëshmi që të vërtetoj më së miri pohimet e mia. Kjo tregon se shteti Berishian nuk mjaftohej me mos zbardhjen e vrasjeve tona, por bënte edhe hapa të mëtejshëm, të cilët nxisnin vëllavrasjen dhe shtonin urrejtjen, duke shpërfillur gjakun e derdhur dhe duke fituar vetëm ai. Unë mund të them me plot gojën, se vetë shteti tregonte se vrasësit i kishte urdhëruar vetë të kryenin krime dhe tani po i shpërblente.
 
Çfarë ndodhi më pas? 
Në këto kushte, babai ynë u detyrua të largohej nga trojet e veta për t’i shpëtuar inkuizicionit të Saliut. Pikërisht me largimin e familjarëve të mi jashtë vendit, dyshimet e mia për vrasjet shtetërore të Saliut u kthyen në bindje. E kështu veprimet kriminale të Saliut kundër nesh filluan të zbatoheshin në bazë të parimit të piramidës, ku në majën e piramidës ishte vetë Saliu. Dhe këtu me plot bindje unë mund të them se jo vetëm u binda që Saliu përdorte jo vetëm forcën e shtetit për të sharë, përdhosur, persekutuar e vrarë popullin e tij, por se veprimet e tij mund t’i krahasoj pa frikë me ato të Pol Potit në Kamboxhia, sepse Hitleri dhe Sllobodani nuk i kanë vrarë popujt e tyre.

Deri në çfarë nivelesh vijoi lufta dhe përndjekja e familjes tuaj pas vrasjes së vëllezërve? 
E tani lufta frontale, duke përdorur të gjitha strukturat shtetërore do të vazhdonte për një asimilim total të familjes, të të afërmve dhe të miqve, të cilët do të guxonin të mbanin lidhje me ne. Goditjet e të afërmve dhe miqve tanë do t’i quaj prerje krahësh, nga njëra anë për të bërë një ekspozim të detyruar të familjarëve tanë, por gjithashtu këto vrasje dhe tentativa vrasjeje kundër të afërmve, miqve dhe shokëve tanë, kishin për qëllim të frikësonin njerëzit për ndonjë mbështetje të mundshme që mund të na bënin. Dhe këtu mund të them me plot gojën se shteti i Saliut e mbulonte krimin me krim, duke vrarë dhe ekzekutuar kundërshtarë dhe dëshmitarë. Në këtë kohë vëllai dhe motra ime dolën në kërkim nga Interpoli, kur njëkohësisht gjykoheshin në mungesë, në Gjykatën e Tiranës. Duke mos lënë pas dore luftën ndaj të afërmve, miqve e shokëve tanë, lufta ndaj meje dhe fëmijëve të mi, tashmë do të ishte e hapur.
 
Pra, kjo situatë bëri që edhe ju të largoheshit nga Tropoja e më pas Shqipëria? 
Po. Në kushte të tilla pasigurie, unë u detyrova të lë punën dhe të largohem për në Tiranë, megjithëse unë isha pa punë dhe më duhej të paguaja edhe qiranë e banesës. Kështu, unë u detyrova të marr borxhe për t’i mbijetuar persekutimit dhe dhunës së Saliut. Por menjëherë pas largimit tim në Tiranë, u largua nga puna edhe shefi i Drejtorisë Arsimore të Tropojës, për arsyen e vetme që nuk më kishte larguar mua nga puna, sapo e djathta kishte ardhur në pushtet. Në këtë kohë u bënë disa atentate kundër të afërmve dhe miqve tanë në Bajram Curri dhe u hoq nga puna vajza ime, e cila punonte në atë kohë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ajo kishte kryer shkollën e policisë dhe vazhdonte Fakultetin Juridik me korrespondencë. Motivacioni i heqjes nga puna ishte për lidhjet e saj me njerëz të kërkuar nga Interpoli, të cilët vetë Saliu i kishte nxjerrë në Interpol. Por edhe pas paraqitjes së tyre në Suedi, Saliu kërkoi ekstradimin e tyre. Shteti suedez duke menduar se kishte të bënte me një shtet me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, dërgoi juristë nga Suedia, të cilët udhëtuan për në Tiranë dhe kontaktuan prokurorët e autorizuar të Saliut, të cilët u servirën dosjet e manipuluara, ku ne akuzoheshim si vrasës e terroristë.
 
Motra juaj Zylfija ka patur edhe një përballje me drejtësinë suedeze cfarë mund të na thoni për këtë? 

Juristët suedezë kërkuan edhe dosjet për të akuzuarit tanë, ku vërtetohej se nga kush ishim vrarë ne, por shteti i Saliut nuk dispononte asnjë dosje ku tregonte se nga kush ishim vrarë ne. Kështu që juristët suedezë u larguan të dëshpëruar nga Tirana, duke vërtetuar manipulimet dhe njëanshmërinë e shtetit dhe të drejtësisë shqiptare, të cilët nuk dhanë garanci për jetën e motrës dhe të vëllait tonë, në qoftë se ata do të ekstradoheshin në Shqipëri. Por krahas këtyre veprimeve të lartpërmendura, tani goditja do të ishte në të gjitha fushat dhe e kombinuar mirë për një asimilim të mundshëm, duke përdorur të gjitha strukturat e shtetit në një sinkroni të plotë. Menjëherë pas largimit të vajzës sime nga policia, u bë një kontroll banese në shtëpinë e babait tim në Haklaj, ku morën pjesë pikërisht ata që ne kishim akuzuar për vrasjet tona. Ishin të maskuar me rrobën e policisë, megjithëse kishin kaluar disa muaj që familjarët ishin larguar nga banesa. Por kontrolli i policisë do të pasohej me goditje me snajper ndaj të afërmit tonë në banesë dhe goditje me predha antitank në kulmin e banesës natën vonë, kur në banesë ndodheshin 8 persona, 4 prej të cilëve ishin fëmijë. Në këto kushte familja, që banonte në banesën e babait tonë, u detyrua të largohet nga banesa, sepse tashmë planet e Saliut ishin të qarta dhe të mundshme për t’u realizuar duke përdorur mashën dhe duke mos djegur dorën. Pas largimit të njerëzve tanë nga banesa, lufta do të vazhdonte me banesën dhe me të vdekurit në varre, por përpara se të vazhdonin goditjet ndaj shtëpisë dhe varreve duhej burgosja ime. Dhe tani, tek po prisja zbardhjen e mëngjesit për të udhëtuar për në Tiranë, ku unë kisha fjetur te njerëzit e mi në Bajram Curri, policia kishte ardhur dhe kërkonte që të bënte kontroll banese në banesën time në Bujan. Policia mbante në dorë një urdhër kontrolli banese të lëshuar nga Gjykata e Rrethit të Tropojës. Policia e dinte vendndodhjen time në një kohë që vendndodhja e atyre që kryenin veprime makabër ndaj banesës dhe varreve të të vdekurve tanë, nuk ishte e mundur të dihej.
 
Përse ky angazhim i policisë pikërisht ndaj jush? 
Policia mendonte se unë mund të kisha ndonjë armë në banesë, e cila mund të justifikonte e motivonte më së miri arrestimin dhe burgosjen time. Por nga  kontrolli i policisë rezultoi se në banesën time nuk kishte asgjë të ndaluar. Pak ditë më vonë, banesës së babait në Haklaj iu vu zjarri duke djegur gjithçka. Unë përsëri shkova atje dhe bëra denoncimin e radhës, duke guxuar të thosha atë që mendoja dhe pikërisht atë që po them tani, por policia më tha se zjarri nuk lë gjurmë. Unë ndiqesha këmba-këmbës dhe policia e Saliut e dinte se ku kisha fjetur që të më arrestonte, por nuk dinin se kush e kishte djegur banesën, megjithëse banesa nuk kishte këmbë të lëvizte, ashtu siç lëvizja unë. Kjo tregon se goditjet ndaj banesës shoqëroheshin gjithnjë me mbikëqyrje të vazhdueshme nga policia e Saliut dhe nga njerëz të caktuar, të cilët ruanin natën dhe ditën rreth e rrotull banesës për të eliminuar ndonjë pjesëtar të mundshëm të familjes që mund të reagonte ndaj veprimeve çnjerëzore që po bëheshin ndaj banesës dhe të vdekurve në varre. Dhe pas djegies do të vinte eksplozivi, ku do të rrafshoheshin themelet dhe policia do të thoshte atë çfarë kishte thënë në vazhdimësi. Dhe tani që kishin mbaruar punë me banesën, sytë u kthyen nga të vdekurit, të cilët u tronditën edhe në varre. Varret u dëmtuan e policia si gjithmonë zbatonte urdhrat, ku, sipas policisë e prokurorisë së Saliut, në Tropojë faktet dhe provat mungonin. Megjithëse kishte shumë fakte, prova dhe denoncime, policia, prokuroria dhe gjykata bënin të bindurin dhe të paditurin. E në këto kushte, mua më kishte mbetur që të ankohesha vetëm te pushteti i mediave, megjithëse edhe gazetarët kërcënoheshin dhe Saliu i akuzonte për bashkëpunim me ne.

Sa ju ka ndihmuar media në denoncimet tuaja? 
Në një rrugëtim për në Tropojë, më 2006, bashkë me tre gazetarë dhe kameramanë, ne u ndaluam nga policia në Fierzë, një orë para se të arrinim në Bajram Curri. Ata na kontrolluan duke parë edhe dokumentet tona të udhëtimit dhe na thanë se duhej të paraqiteshim në polici sapo të arrinim në Bajram Curri. E kështu, e ndjekur dhe e përndjekur nga shteti Berishian, unë kërkoja gjuhën e ligjit dhe të komunikimit. Përdora të gjitha mjetet e mundshme demokratike ndaj veprimeve të një shteti antidemokratik, i cili ishte vënë në dispozicion të një njeriu, të cilit i mungonte gjithçka njerëzore e demokratike.

Përveçse në media kujt tjetër i keni kërkuar ndihmë?
Në këto kushte, ku unë nuk kisha më ku të ankohesha, sepse edhe pushteti i medieve po goditej ashtu siç po goditeshim ne, unë iu drejtova ambasadës amerikane me një letër, ku u përpoqa t’i sqaroja kushtet dhe rrethanat në të cilat po jetonim unë dhe fëmijët e mi, që nuk mund të punonim në shtetin e Saliut, megjithëse unë kisha 30 vite në arsim dhe isha e dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri”. Në këtë kohë, unë u kërcënova në rrugën ku banoja, nga vrasësi i vëllezërve të mi, Haki Hoxha dhe në Bajram Curri nga kushëriri i Hakiut. E tani vetëm miqtë e të gjitha kohërave do të qëndronin në pozicionet e tyre të gjithhershme, të cilët i falënderoj dhe u them me plot bindje se ajo fjala e urtë e popullit “Pak dhe sakt”, qëndron vërtet, sepse ju mjaftuat sa qindra. E në ato kushte, u detyruam të marrim borxhe të tjera për të udhëtuar si klandestinë jashtë trojeve amtare. Këtu mund të heq një paralele me veprimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës në trojet e veta, të cilët i dhunonte, i vriste e i detyronte të largoheshin jashtë kufijve të atdheut të tyre të dashur. Në shumë raste ata ndiqeshin edhe jashtë kufijve nga UDB-ja dhe ekzekutoheshin, por ata nuk u dorëzuan për 100 vite dhe tani jetojnë të lirë në trojet e veta.
 
Të martën

Pjesa e dytë e intervistës në Shqiptarja.com print

 
Ajshe Haklaj tregon se çfarë ajo din për vrasjen e Azem Hajdarit.
 
Përse Berisha për këtë vrasje akuzoi edhe vëllezërit Haxhia?
 
A kishin një motiv vëllezërit Haxhia të përfshiheshin në këtë vrasje apo dënimi i tyre ishte një sajesë?
 
Cili ka qenë roli i Jaho Mulosmanin në vrasjen e Azem Hajdarit?
 
Çfarë i tha i vëllai Fatmiri se kush ishte personi që e nxorri në pritë Azem Hajdarin?

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Highlanderi: 09/09/2018 18:25

    Ai ka dash me ju vra, po ju pse rrini e shihni djellin?

    Përgjigju
    • Arben Metani: 10/09/2018 15:09

      Sepse nuk vazhdohet me shprehjen "prit pa te shohesh". Ato kane bere rrugen me te mire qe mund te behet ne keto raste. Diskretitim publik dhe denoncimi ne organet shteterore dhe nderkombetare te drejtesise. Drejtesia vonon por nuk harron. Ndersa vetegjyqesia, e hapur apo e fshehte qofte, sjelle vetgjyqesi.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës