Shtetet ku ai punoi dhe jetoi, u përpoqën ti japin Moisiut identitetet e tyre kombëtare. Për kritikën italiane, Alessandro është një triestin i lindur (pa përmendur prejardhjen e prindërve emigrantë), përfaqesues i denjë i shkollës italiane të aktrimit. Në të vërtetë ai kaloi në Trieste një periudhë të vështirë të fëmijërisë së tij, me shumë probleme familjare dhe ekonomike për të cilat familja e tij u detyrua të largohet për një jetë më të mirë, drejt Austrisë.
Për teatrin Austriak, Moisiu u “zbulua dhe u formua” në Wien, edhe pse aty u përball me probleme të mëdha të integrimit, u nënvleftësua dhe ju mbyllën dyert e skenës si i paaftë dhe i patalentuar në fushën e kantos e të teatrit. Teatri gjerman i Pragës ishte vendi ku Moisiu gjeti përkrahje dhe ju hapën mundësitë për të filluar karrierën e tij si aktor. Në themel të karrierës së tij qëndron këmbëngulja e superaktorit austriak Kainz, i cili zbuloi tek djaloshi Moisi të ardhmen e teatrit modern dhe e drejtoj atë drejt Pragës ku punonin miqtë e tij.
Fillimi i tij në teatrin e Pragës me eksperiencat që krijoi, ishte shkolla e vërtetë për artin skenik të Moisiut. Por talenti i pakufi i Moisiut me sukseset e njëpasnjëshme kërkonte një ambient më të gjerë, e të përmasave botërore siç ishte skena e teatrit në Berlin.
Mbas dyvjetesh e gjysmë deputimi në Pragë, ku mundësitë ishin të kufizuara, më 17 të dhetorit 1903 emri i Aleksander Moisiut shfaqet në afishet e teatrit të Reinhardt – it në Berlin me rolin e aktorit në dramen me temë shoqërore “Na dne” të Maksim Gorkit (te shkruar në 1902).
FËMIJËRIA E ALEKSANDRIT
I prapë, trazovaç dhe nxënës i dobët...
Gjurmët e Moisiut në Arkiv, nga lindja, deri tek vite te konservatorit...
Në arkivën e Muzeut të Teatrit Austriak në Vjenë që është pjesë e Museut Historik të Artit, gjendet fondi i Alexander Moissi. Fondi është i ndarë në disa sektorë, në atë të FOTOGRAFISE ku gjinden dhjetra foto origjinale të aktorit. Sektori tjetër shumë i rëndësishëm është ai i LETRAVE DHE DORESHKRIMEVE ku gjendet korrespondenca e Moisiut me familjen, miqtë, kolegët apo telegramet e posta e tij.
Këtu gjej rastin të falenderoj të gjithë personelin e arkivës së Teatrit për gatishmërinë e përkrahjen në kërkimet e mija. Bashkëshortja e Aleksandrit, aktorja Johanna Terwin i dhuroj këtij fondi një pjesë të madhe nga dokumentacioni egzistues, në mes tyre edhe kujtimet e saj për momentet më të spikasura të jetës së tyre artistike e bashkëshortore.
Duke shfletuar pjesë nga kujtimet e pjestarëve të familjes mësohet që Moisi Moisiu (1) dhe Amalia De Rada(2) u martuan në Trieste por erdhën në Shqipëri për të jetuar. Baba Moisiu (i besimit Kristjan Ortodoks) erdhi në Trieste, që atëherë ishte nën perandorinë austriake, në 1862-shin. Ai ishte tregëtar vaji, drithërash e lëkurash. Familja pati dhjetë fëmijë. Nga këto dy vdiqën pak mbas lindjes.
Tetë të tjerët ishin pesë vajza: Irena, Sofia, Melania dhe dy binjaket Epifania dhe Elvira, kurse tre djemtë ishin: Konstantini, Dante e Aleksandri. Fëmija i parë i familjes ishte Konstantini që lindi me 1864 e mbas dy vjetesh në jetë erdhi Dante. Aleksandri lindi me 2 prill 1879 në Casa Rolli (Riva Grumula) pranë portit në Trieste. Ai u pagëzua në kishën e Shën Kolit të Triestes simbas ritit Kristian Ortodoks grek.
Duhet shënuar që nga shkrimet e botuara, po ashtu edhe nga dokumentet që gjinden nuk ka asnjë pikë që të vërtetojë teorinë shumë të përfolur e të qenit Jude gjë e cila vërtetohet nga vetë familjarët dhe të njohurit e tij (Irmgard Rohracher në librin Alexander Moissi, faqe 3, Wien 1951).
Sipas shënimeve, mbas humbjes së 12 anijeve plot me mall të babait (1883) të cilat u mbyten nga stuhia në det, familja jetoi e ndarë.
Nëna Amalia që ishte kristiane nuk ambientohej dot në jetën e vështirë plot orientalizma e asaj kohe në Shqipërinë e osmanizuar nga turqit, u shpërngul të jetonte në Trieste së bashku me vajzat Irena, Sofia dhe më të voglën Melaninë. Kurse në Durrës, me babain Moisi jetonin të shkujdesur Konstantini, Dante, Aleksandri dhe dy vajzat binjake.
Aleksandri 4 vjeçar, i cili ishte fëmija i fundit, më i vogli, ishte i zgjedhuri i babait, i cili nuk kursehej për të plotësuar dëshirat e fëmijve që jetonin në ambientin mbytës të qytetit. Në moshën 6 vjeçare Aleksandri mori si dhuratë nga babai një kalë, i cili i mbushi me gëzim jetën e botën e tij fëminore.
Shkolla e kohës që preferonin fëmijët ishte për të dëshiruar, por edhe Sandri (siç e thërrisnin të afërmit) ishte nxënës i dobët. Në shkollë mësimet ishin në gjuhën greke, por në shtëpinë e Moisiut flitej gjithmonë shqip. Sandri ishte mëngjërash (shkruante e punonte me dorë të majtë). Në kujtimet e motrave ai përshkruhet si fëmijë i levizshëm, shumë i shkujdesur dhe me plot fantazi.
Motra Melani kujton: Aleksandri bënte kudo rrumujë dhe ishte i shkujdesur. Ai humbte gjithmonë gjërat e tij personale. Në kemi fjetur në një dhome me Sandrin dhe ai mundohej të kujdesej për mua dhe të me gezonte. Kuzhinierja jonë e vjetër me emer Gigia, kujdesej për ne gjatë ditës.
Kur Aleksandri nuk shoqërohej nga të tjerët nga shkolla deri në shtëpi, ndodhnin gjithmonë gjëra të papëlqyeshme: p.sh. një herë ra në kanalin e madh të ujit, një herë tjetër rrëzoi një shitës ëmbëlsirash dhe një grua me vezë.... e babai duhej të paguante dëmin....një herë bashkë me binjaket dhe Melaninë hëngrën dhe dëmtuan vreshtin me rrush të një verëpunuesi e babai përsëri duhej të paguante...një herë në dimër ai rrëzoi në det vëllanë e madh, i cili ishte i ftohur ...
Mbas 4 vitesh në tokën shqiptare në vitin 1887 i ati e lejon të shkojë tek e ëma në Trieste. Kjo ishte një periudhë e vështirë për Aleksandrin fëmijë. Në Shqipëri ai shihej nga bashkëmoshatarët si “italiani” kurse në Trieste si “albanese” dhe kjo ndikoi që ai të mbyllej në vetvete dhe të mos shkonte mirë me mesime.
Si më i vogli ndër femijët, Sandri ishte gjithmonë nën diktatin e motrave. Ai ishte “fëmija i prapë i familjes” dhe shpesh e ndëshkonin. Shkolla nuk i pëlqente e aq më pak detyrat e shtëpisë. Në shkollën fillore u detyrua të përsërisë disa herë klasën për arsye të rezultateve të dobëta.
Tingëllimën e parë të zemres për teatrin e pat në Trieste kur pa në skenë aktorin e madh italian Ermete Novelli, i cili luante pjesë nga “Papa Lebonnard” dhe nga “Luigji i IX”. Së bashku me një teze të tij plakë, Sandri pat mundësi të ulej në një nga lozhat e fundit të teatrit që të shihte humoristët venecianë "Zago" e “Benini”. Më pas ndodhi ajo... që do t’i ndërronte jetën princit të vogël Moisi. Asnjëherë më përpara, i vogli nuk kishte menduar që, dikush pa mjete muzikore, këngë apo muzikë do të mund të argëtonte një sallë plot me spektatorë që qeshnin si të çmendur.
Nëpërmjet artit të Novell-it Sandri futet në botën magjike të skenës e me fantazinë e tij fëmijnore arrin të shohë të ardhmen e tij në këtë fushë. Momentet e kësaj dite lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tij. Në këtë kohë situata ekonomike në familje u rëndua shumë. Nëna vendosi ta dërgonte Sandron tek një kushëri i saj prift në Graz të Austrisë. Prifti premtoi ta ushqente dhe ta shkollonte atë. Kur çdo gjë po shkonte siç duhej, prifti u transferua e Sandros ju desh të kthehej në Trieste.
Dy nga motrat, me ndërmjetësinë e një kushërire me influencë në Vjenë arritën të punësohen si nënpunëse ministrie e kështu të siguronin të ardhura të mjaftushme për të jetuar të gjithë. Familja u shpërngul në Vjenë. Aleksandri këndonte shumë bukur dhe ishte deshira e nënës që ta dërgonte në konservatorin e Milanos, por pamundësia ekonomike e detyroi atë të ndiqte familjen në Vjenë.
Në vitin 1896 Moisiu zbret nga treni në Südbahnhof në Vjenë, ndërkohë që familja kishte në qira një hyrje me dy dhoma të vogla në Hiessgasse/ Landstrasse në bashkinë e trete, ku ishte sistemuar nëna me dy motrat. Për të ndihmuar sadopak ekonominë e familjes ai fillon të japë mesime të italishtes. Edhe pse ishte i veshur keq, trupvogël dhe i pa eksperiencë për veten e tij, edhe pse nuk zotëronte për vete gjuhën gjermane, ai arrin të ketë disa nxënës dhe të sjell në shtëpi drekën e ngrohtë për familjen.
Për Alessandron ëndrra e konservatorit jetonte. Me ndihmën e kushërirës së tij me influencë, të drejtorit italian të konservatorit Ferrucio Busoni e të profesorit të kantos Mancio arrin të futet në konservatorin e Vjenës. Fatkeqësisht mbas fillimit të mësimeve profesori Mancio vdes dhe zëvendësohet nga Prof. Forsten, i cili kishte një metodë të ashpër mësimore. Si student i konservatorit Moisiu kishte mundësinë të frekuentonte gratis koncertetet e operat. Edhe në konservator ai nuk arrin të bëjë hapa përpara. Nuk merr pjesë rregullisht në prova, në leksionet e kantos e të teknisës së frymëmarrjes. Në mësimin e harmonisë e të gjuhës gjermane nuk merr pjesë pothuajse aspak, gjë që profesori Forsten nuk e toleron e në fund të semestrit të parë i heq Aleksandrit të drejtën e studimit.
SHËNIM:
(1) Në shumë shkrime nga autorë të huaj mbi Aleksandër Moisiun, shkruhet që babai i tij quhej Konstantin Moisiu. Babai i dha emrin e tij djalit të parë Konstadinit. Por në dëshminë origjinale të lindjes se Aleksandrit ai shënohet Moisi Moisiu. Emrin Moisi Moisiu të babait e vërtetojnë edhe pasardhësit nga familja Moisiu. Po ashtu edhe prejardhja e Familjes Moisiu nga disa autorë të huaj shënohet: ato vijnë nga Golemi, një vend në afërsi të Shkodrës...
(2)Amalia de Rada vjen nga familja arbëreshe De Rada. I ati i saj ishte një mjek i njohur në Firenze, por nga autorët e huaj, shikohet me dyshim ky fakt. Ajo quhet një italiane në origjinë.
KUJTIMET E MOISIUT
Fillesat si aktor, një dështim, jetoja në varfëri ekstreme
Në gjendje shpirtërore të dëshpëruar, me këpucë të grisura, gjysmë i zbathur, me trupin e vogël që dridhej nga të ftohtit e dimrit të egër vjenez nën leckat që mbante veshur, ai endej rrugëve të qytetit për të kërkuar punë. Kjo situate e ndoshta ndonjë ftohje e mëparshme bëhet shkas për një sëmundje të rëndë të mushkërive, e cila më vonë do t’i marre dhe jetën.
Duke shfrytëzuar njohjet nga konservatori, fillon të punojë si Claquere (person që paguhet të duartrokasë gjatë një shfaqje) në Hofoper, ku shkonte çdo natë. Gjatë ditës ai punon si ndihmësvarrimesh në Zentralfriedhof (varrezat qëndrore), ku asistonte ndër ceremonitë e varrimeve që në Vjenë janë shumë klasike, që më vonë i shërbej në krijimin e figurave artistike ku vdekja ishte pjesë në atmosferën e rolit, si te princi Hamlet.
Në këto ditë të vështira rastësia i solli një punë si figurant në Teatrin e qytetit. Më 19 shkurt 1899 ai nënshkruan kontratën me drejtorin e Teatrit të qytetit Paul Schlenther, ku punësohej si figurant i përhershëm.
Moisiu tregon: në rininë time të hershme kur erdha në Vjenë, nuk u prita me tufa lulesh, por punoja shumë. Fillova si mësues i gjuhës italiane dhe fitoja vetëm 30 Kreuzern për një leksion gjë që nuk me lejonte të bëja një jetë normale. Deshira ime ishte të bëhesha këngëtar dhe arrita të hyj në konservator.
Mësoja të këndoja, por që të bëhesh këngëtar duhej të kishe një stad mesatar, për këtë më duhej të këndoja nga mëngjezi deri në darkë. Isha shumë i mbingarkuar e ndodhi që nuk më eci mirë, që të përmirësoja situatën time materiale e ekonomike mora përsipër punën e ndihmësfigurantit në Teatrin e Qytetit.
Dielli më shndriti me fat e me mëshirë dhe me ndërhyrjen e një djali të Krachers, arrita të bëhem figurant. Kjo ishte punë shumë më e mirë se ndihmësfiguranti. Honorari im për çdo natë ishte 80 Kreuzer (1,35 Mark) që me mjaftonte për të shuar oreksin rinor të ditës, por vetëm me Würstel (Salcice)e bukë....
Por e rëndësishme ishte se isha në Burgtheater... E fillova punën me “Meister von Palmyra” (Mjeshtri nga Palmira). Mundohesha të isha në lartësinë e duhur; isha njeri nga turma e popullit grek...por krejt në fund të skenës...saqë kisha ndjesinë se regjisori nuk kishte besim tek unë ose turpërohej nga prezenca ime...krejt në fund të skenës .....që të mos me shihte kush, e kështu herë mbas here më duhej të dilja dhe të hyja prapë, në çdo akt, por përsëri në fund të skenës, krejt afër derës...
E kjo gjë ndodhi në shumë pjesë teatrore... O Zot, sa herë jam rrëzuar së bashku me heshtën që mbaja në dorë....Pastaj erdhi kthesa: në “Cyrano de Bergerac” isha në skenë si kadet. Në aktin e katërt “Gascogne” përfshihej nga stuhia dhe kadetët duhej të prekeshin nga era e të delnin...., e këtu unë u ndjeva shumë i shqetësuar e nuk dola..., për këtë mbas disa ditësh u thirra nga drejtori Schlenther që të sqaroja shqetësimin tim....dhe kaq ishte... unë që kisha menduar deri në atë kohë, që atje në fund ku isha nuk do të me vërente askush, me besoni, mbeta shumë i befasuar.....
(Fragmenti është marre nga disa shenime, kujtimet e tija.. të depozituara në Theatermuseum / Wien)
***
Në shkrimin e tij “Debutimi im në Burgtheater” ai kujton: Isha në Vjenë. Isha shumë i ri e shumë i varfër, i jepja mësime private gjuhe pak personave, të cilët patën besim tek unë. Në të vërtetë në atë kohë nuk kisha as idenë më të vogël se çka dëshiroja të bëhesha... Isha në kërkim të bukës, kisha uri të madhe e zorrët më këndonin në bark, kur rastësia e madhe më solli në Burgtheater si Komparse (Figurant)....
Uni- i brendshëm i artistit filloi të zgjohej tek ai. Pasioni i tij për teatrin jep frytet e para. Në skenë si figurant ai mundohet të krijoje figura sa më të besueshme për publikun. Një herë kur të gjithë figurantët duhej të dilnin nga skena, ai mbeti në skenë i rrëmbyer nga interpretimi i aktorit Ernst Hartmann që interpretonte Cyrano-n.
– Dil jashtë, thërret shefi nga prapa skenës, por ai i mahnitur mbeti aty deri në fund të aktit.... Një herë tjetër ndodhi që ai i prekur nga skena që luhej filloi të qajë me dënesë, gjë që tërhoqi vëmendjen e publikut. Njerëzit filluan të flasin me tallje për të “riun e apasionuar” që rrembehej shpejt..., por ai arriti të ketë vëmendjen e të gjithëve.
Është zakon i Burgtheatrit të Vjenes që hera-herës t’i japë mundësi talenteve të rinj të paraqiten para regjisorëve me pjesë të ndryshme, për të siguruar një vend pune “me rastin e shtesës së personelit” si aktor. Aleksandri me ndihmën e aktores Maria Urfus (që me 1910 u martua me Moisiun dhe më 1911 patën një vajzë të quajtur Beate), mëson pjesë nga “Uriel Acosta”, nga e famshmja “Narziss” dhe “Rikardi III” . Mikja e tij përpiqet shumë që krahas artit skenik të përmirësojë të folurit e tij në gjermanisht.
Kështu më 1 dhjetor 1899 paraqitet me interpretimet e tija para komisionit të regjisorëve të Burgtheatrit. Ai e ndjen vehten të kënaqur e të sigurt gjatë lojës së tij. Plot zell dhe furishëm fillon Aleksandri duke shpërthyer zjarrin që i vlon në shpirtin e tij prej artisti, në frazat që reciton. Fraza, rreshta, monologje në gjermanisht, të cilat nganjehere nuk i dinte kuptimin...
Aleksndri kujton: gjatë ‘Uriel Acosta’, drejtori Schlenther qeshte me gjithë zemer, por vetëm Narziss i pelqeu atij; tetë ditë mbrapa unë qëndroja në skenën e Burgtheatrit para kolegjit të regjisorëve. Kurrë nuk i mësova përshtypjet e tyre për pjesët e mia, e me sa di unë: mendimet e Sonnenthal-it, Krastel-it, Leëinsky-it dhe Hartmann-it nuk kishin asgjë të mirë.
Por drejtori Schlechter besonte tek unë, e kjo ishte gjëja më e bukur që më kënaqte në atë kohë: që drejtori Schlechter më shikonte mua si një aktor të ardhshëm... Ky ishte parashikimi i tij... Unë fillova të studioj e të mësoj gjermanisht nga gruaja ime që ishte aktore, Maria Urfus... Gjermanishtja për mua si i lindur në Itali ishte shume e papërshtatshme dhe e vështirë.
Kolegji i regjisorëve nuk reagon aspak nga pasioni e temperamenti i veçantë i këtij djaloshi 19 vjeçar. Njëzëri ato marrin vendimin:
“Alexander Moissi ist zum Schauspieler ungeignet”
Aleksandër Moisi është i paaftë që të bëhet aktor.... Megjithatë komisioni e lejon atë të vazhdojë të punojë si figurant, por që mund të thotë ndonjë fjalë nganjëherë.... megjithë akcentin e keq të gjermanishtes që ka..., por tashmë shpirti i tij nuk gjente më paqe dhe digjej për skenën... Më 31 Mars 1900 ai këndon në skenën e Shoqërisë Tregtare të Vjenës në pjesën “Ehemann vor der Tür” (Bashkeshorti tek porta) me shumë sukses.
Sukses tjetër për tu përmendur ishte roli “Kusofkin”, ku interpretoi vargjet e Turgenjevit në pjesen “Gnadenbrot” (Bamiresia). Në një gazetë të kohës shkruhej: I riu Moisi dëshmoi për një talent të padiskutueshëm...Zeri i tij i shumëngjyrshëm, loja në pantomimë, sikurse edhe siguria e tij në skenë bëri përshtypje shumë të mirë... Kjo shërbeu që te Moisiu i ri të rritej besimi në vetvehte. Guximi i tij triumfoi mbi pasigurinë e mungesën e eksperiencës.
KAINZ ZBULON TALENTIN MOISI
Jeta e shthurur, rolet, kritikat dhe vlerësimet ekstreme
Në lokale nate këndonte e tregonte fëmijërinë e tij në Shqipërinë e pushtuar nga turqit...
Fati e solli që në nëntor të 1900, në një teatër të vogël në Vjenë (Nußdorf) do të shfaqej nga një trupë e huaj pjesa “Die Räuber”. Dy ditë përpara shfaqjes Aleksandri mori përsipër një nga rolet kryesore, për të zëvendësuar aktorin që për arsye personale mungonte. Një ditë tjetër ai mori me shumë iniciativë mbi vete rolin e “Kosinsky-t” prapë si zëvendësues, sa që në grupin e figurantëve të Burgtheatrit, filluan ta quajnë “Aleksandri Shpëtuesi”. Për këto dy ndërhyrje ai mori shpërblim nga kolegu i tij, si figuranti më i vjetër i Theatrit Moncza, një palë këpucë.
Më pas ndodhi që në komedinë “Tartufi”, ku ai luante shërbëtorin Lorenzo, emri Aleksandër Moisiu do të shtypej për të parën herë në afishet e shfaqjes. Aktori i madh Josef Kainz dhe Moisiu qëndrojnë bashkë në skenë, por ndodhi ajo që nuk pritej, duke u futur në skenë Kainz fillon të interpretojë: “.... Lorenzo, o shërbëtori im, a është gati veshja ime...?? e më pas i hedh një shikim të shpejte pyetës Lorenzos.....
Kainz shtanget i befasuar nga sytë e shërbëtorit Moisi e nuk arrin të lëviz më, ai nuk mundet të flasë..... vakum...edhe pse dëgjonte sugjerimin e suflerit ..... Sy me sy vështroheshin të dy, kolosi Kainz që ishte legjenda e teatrit në të gjitha trevat gjermanisht-folëse dhe figuranti “i panjohur” Moisi...
Kainz arrin të shohë në shprehjen e syve të Moisiut - Lorenzo, ndjenjën e nënshtrimit e të fatkeqit, e po ashtu zbulon te figuranti i panjohur, forcën, madhështinë e talentin e një aktori të ardhshëm....
Ai këshillon Moisiun në qarqet më të larta të hierarkisë teatrore. Drejtori Schlenther e sugjeron Aleksandrin te Angelo Neumann që ishte drejtues i Teatrit gjerman të Pragës, i cili i beson instinktit të Kanz-it. Me ndihmën e motrës së tij, Moisiu blen nga një tregtar rrobash të përdorura në Judengasse; një kostum, një kapelë (të cilën më pas e harron në tren) për 3 Gulden dhe udhëton për në Pragë.
Një kontratë 6-vjeçare e pret në Neues Deutsche Theater, ku ai për katër vjet rresht (1901 – 1904) aktron. Filloi me rolin e Elias në “Über unsere Kraft nga Björnson”, ku la gjurme të paharrueshme. Me pas vazhdon me Franc Moor, Cyrano von Bergerac dhe Coupeau të Zolas në “L´Assomoir”. Jehona e interpretimeve të tij e ndau publikun në dy grupe kontradiktore, populli dhe shtypi.
Njëra palë kritikonte mënyrën e tij gjuhësore të folurit, aksentin e tij të huaj, si dhe mënyrën jo tradicionale të interpretimit, kurse grupi tjetër: admironte tingëllimin e zërit të tij kumbues dhe temperamentin e tij të zjarrtë që e pasqyronte në rolet e interpretuara. Erdhën më pas rolet e Gaspard në “die Glocken von Cornville”, Bonifazi në “Brüder Staubinger”, “La Main” një pantomime franceze... Vitet e Pragës e ndihmuan atë të kuptonte sekretin e magjinë e lojës aktoriale.
“Kur fillova punën, kujton Moisiu, në të vërtetë nuk dija ku qëndron sekreti i interpretimit të një roli. Mendoja thjesht me fantazinë rinore që arti i krijimit të rolit është të ngjitësh një mjekër false në fytyrë. Isha i bindur që sa më shumë të rrija në skenë aq më i spikatur do të isha, që unë nuk isha vetvetja por një tjetër të cilin e përcaktonte autori i tekstit.
Sa më shume që njihja boten, aq me shumë bëhesha i vetëdijshëm në personin tim. Me vonë kuptova që artin tim duhej ta ndërtoja thjesht mbi personalitetin tim. Jo me “maskim”, por me “demaskim”. Kërkoja lirinë time në çdo rol, për ta interpretuar atë në mënyrë të natyrshme dhe arrita ta zotëroj këtë. Kjo bëri që kur zgjidhja rolet, mundohesha t’i shihja personazhet brenda vetes sime...”
Ne Pragë ai bëri një jetë të shthurur, që i kujtonte fëmijërinë në Durrës e Trieste. Netë të tëra frekuentonte klubet “jo me zë të mirë”, pinte shumë, flirtonte me gratë...., që të njihte mirë JETEN e NJERËZIT – thoshte ai. Një nga biografët e tij (Paul Leppin), për këtë periudhë tregon që Moisiu ishte i palodhur dhe i rezistonte natës. Në kohën kur të tjerët fillonin të braktisnin lokalin, ai niste të këndonte meloditë “Die Stretta” italiane që përkëdhelnin zemrat femërore, deklamonte Shekspirin ose tregonte ndodhitë e fëmijërisë së tij në Shqipërinë e pushtuar nga turqit.
Vitaliteti i tij ishte i papërshkrueshëm. Të gjitha sa fitonte i harxhonte për qejfet e tij, pasi ndjehej shumë i vetmuar. Gjendja shpirtërore e tij në këtë periudhë ishte shumë e trazuar, gjë që pasqyrohet edhe në rolet e tij: i tronditur, sensibel, pasiv, i mbyllur në vetvete, i përmalluar... Thoshte që në rolin e Faustit, ai nuk luante gjendjen që përshkruante autori, por vetveten. Shpirti i tij i trazuar shpërthente ndër emocione të fuqishme, që i bënë rolet e tij të famshëm e të paharrueshëm.
Në shumë role ai arriti përsosmëri dhe sukses dhe filloi të mendonte të ndërtonte një karrierë të vërtetë, por në një teatër të përmendur si ai i Berlinit. Për këtë në vitin 1903 vendos lidhje me Max Reinhardt, i cili i premtoi atij një rol në sesonin 1904 – 1904 në një pjese të Gorkit. Më 22 nëntor të 1903-it. Moisiu ndahet nga Neue Deutschen Theater në Prag, ku për të fundit herë luajti rolin e Kozakut Beitler të Hugo Müller dhe Franc Roth tek “Von Stufe zu Stufe”.
Thuhet që për të udhëtuar për në Berlin ai mori nga miqtë e vet para hua, të cilat i harxhoi të gjitha në festën e ndarjes me miqtë. Në Berlin u gjend me 26 nëntor i shoqëruar nga gruaja e tij, aktorja Maria Urfus.
“Zotërinj, po ju paraqes aktorin e ri” - kështu e prezantoi Max Reinhardt në ansamblin e tij Moisiun. Më pas ai përshkoi me fjalë të tjera besimin e palëkundur që kishte aktori i madh, por jo shumë i njohur. Në fillim edhe pse Reinhardt i kishte premtuar një rol tek Bernard Show “Der Schlachtenlenker” të cilin Moisiu e kishte përgatitur, ai nuk ia dha atë mbasi pat presion nga trupa e aktorëve.
Kështu që më 24 prill 1904, Moisiu u ngjit në skenën e teatrit të Reinhard-it në “Kabale und Liebe”, por nuk arriti që të bënte për vete dhe të integrohej në grupin e aktorëve. Ai vendosi të provonte në Osterndtheater të sapo formuar më 3 shtator 1904, i cili ishte nën drejtimin e Viktor Laverrenz dhe quhej Carl Weißtheater. Më vonë, ky teatër u emërua si skena popullore gjermane.
Në këtë teatër Moisiu mori pjesë në tri premiera: si Franz Moor në “Räubern”, si Golo në pjesën e Habbel-it “Genoveva” dhe si Mortimer në “Maria Stuart”, të cilat i dhanë mundësinë atij që të bëhej i njohur në qytet. Mbas pak muajve Reinhardt-i e mori Aleksandrin përsëri në teatrin e vet për të luajtur rolin e Philipp-it në “Grafen von Charolais” të Beer – Hoffmann, të cilin nuk ishte në gjendje të bënte asnjë nga grupi i Reinhard-it.
Kritika dhe publiku e pritën në mënyra të ndryshme aktorin e ri. Një pjesë e publikut u “tremb” nga e folura e tij dhe mënyra moderne e interpretimit, ndërsa pjesa tjetër (ajo më e shumta) u pasionua pas tij. Kritika njëzëri nuk e pranoi Moisiun për një kohë të gjatë deri sa puna, talenti e arti i tij me rolet e Kreon-it të “Ödipus und die Sphinx”, me Osëaldin të “Gespenstern” dhe Moritz Stiefel në “Frühlings Erëachen” e bindi. Pas kësaj diagrama e ngjitjes se karrierës së tij ishte e papërmbajtur.
Luajti Romeon, Franc Moor, Claudion në Der Tor und der Tod, Lolon të Mbreti Lir. Në 1909 luajti Faustin dhe në festivalin e teatrit gjerman në Münich për herë të parë Hamletin, i cili u cilësua me vonë si një nga rolet me të famshme të tij, por me 1910-n ky hov i madh suksesesh u ndërpre nga një sëmundje mushkërish që e detyroj atë të pushojë aktivitetin.
Atij iu desh të shkojë në Davos të Zvicrës, që është një vend kurash për sëmundjet e tuberkulozit. Pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje ai ju bashkëngjit trupës së Reinhardt-it gjatë turneut në Petersburg në maj 1911, duke marrë përsipër rolin e Edipit me të cilin korri një sukses të paparë aty, por edhe me pas në Berlin, Hamburg, Vjenë...
FUNDI TRAGJIK I MOISIUT
Ditët në agoni të aktorit të madh, fjalët, e miqve: Kafka, Cvajg e Pirandelo
Më 7 shkurt 1913, ai luajti premierë Fedjan nga drama e Tolstoit – “Kufoma e gjalle”, që është një ndër rolet më të arrira të tij. Çelësi i suksesit të Moisiut, do të shkruante kritika, është zëri i tij tingëllues, mënyra e shkëlqyer e të folurit, arti i artikulimit të fjalëve, për të cilat më vonë ai u bë i njohur në të gjithë botën. Ai arriti të bëhej aktori i parë e më i famshmi në të gjithë botën gjermanisht-folëse.
Me fillimin e Luftës së parë Botërore ai u angazhua vullnetarisht si ushtar dhe u dërgua në frontin perëndimor si aviator, ku për merita ushtarake u gradua Leutnant dhe u dekorua me KRYQIN E ARTE, dekoratë e lartë ushtarake. Më 26 shtator 1915 mbas rrëzimit të avionit të tij në Francë, ai u kap rob nga francezët së bashku me bashkëluftëtarin e tij.
Më 2 mars 1916, gjatë një transporti nga kampi ku mbahej i burgosur bashkë me një grup ushtarësh u arratisën, por u kapën dhe u dërguan në burgun ushtarak në Toulouse. Kur një komision mjekësh vizituan burgun, ndërhynë pranë autoriteteve franceze dhe arritën ta dërgojnë për kurim të mushkërive në Arosa të Zvicrës. Gjatë jetës së tij Moisiu pati shume histori dashurie. Ai ishte “hyjnori” i grave të cilat prisnin në radhë mbas çdo shfaqje tek dera e kabinës për një autograf apo për ta takuar.
Thuhet nga biografët: gratë që gjate shfaqjeve të tij uleshin në rresht të parë, nuk gjenin dot qetësi nga shikimet e tij këmbëngulëse e lakmitare, por njëkohësisht ishte dhe xheloz kur gruaja e tij vishte fustane që i zbulonin pjesët e trupit. Ai u martua dy herë. Pas gruas së parë Maria Urfus (1910), me të cilën pati vajzën Beatrice (Moisi) von Molo të lindur me 1911, ai u martua me kolegen e tij nga teatri i Reinhard-it, gjermanen Johanna Terwin e nuk patën fëmijë.
Historia e dashurisë se tij me Terwin filloi kur luajtën pjesën “Kufoma e gjallë” ku Terwin ishte cigania Mascha. Më vonë të dy luajtën shumë duete së bashku: Romeo e Xhulieta, Hamlet dhe Ofelia, Othello e Desdemona. Moisiu gjatë periudhës së tij në Berlin pati një lidhje jashtëmartesore me Hertha Hambach nga e cila u lindi një vajzë (1922) që quhej Bettina (Moisi ) Berggruen.
Te dyja vajzat ishin artiste. E para ishte aktore, valltare e këngëtare kabareje që paraqitej me emrin e artit Beate von Molo, kurse e dyta Bettina Berggruen ishte aktore filmash. Një nga pasardhësit e vajzës Beate është dhe aktori austriak Gedeon Burkhard.
65 vjet mbas vdekjes së Moisiut, vajza e tij Bettina, e cila në atë kohe ishte 9 vjeçe kujton: unë nuk mund të harroj kurrë shprehjen e syve të tij, ato i kam parë disa vjet më vonë përsëri, e ju nuk do ta besoni se ku..... te Picaso. Edhe Picaso si babai im kishte sy me vështrim hipnotizues e luftarak si ato të një Toreadorit që lufton me demat.. Sytë e babait tim ishin “të butë, të qetë, sy të vdekur si ato të statujave greke prej mermerit”...
Ndërsa Kafka e kishte vrojtuar kështu artistin tonë: një artist të cilit i rrjedhin vargjet nga koka e tij...(goja me zërin e mrekullueshëm, sytë që flisnin). Duket sikur në thellësinë e syve të tij lëvizin arkiva fotosh bardhë e zi me lëvizje të ngadaltë fantazmash....Mumjet egjyptiane 2000-vjeçare kanë sy të tillë...të fiksuar e të thelle, pa shprehje, të trishtuar, por të paankesë, të rezervuar por prezent....vetëm në pikturat e Lorenzo Lottos mund të gjesh sy të tillë melankonikë, mesdhetar... Moisiu i rrëmben menjëherë njerëzit me sytë e tij, me zërin e tij...
MOISIU E BËRI VDEKJEN PROFESION
“Gjatë karrierës se tij ai vdiq mbi 1500 herë në skenë, gjithmonë në mënyra të ndryshme....”
Në skenën e teatrit ai bëri VDEKJEN “Profesion”. Gjatë karrierës se tij ai vdiq mbi 1500 herë në skenë, gjithmonë në mënyra të ndryshme....Ai përjetonte vdekjen dhe “ashtu siç vdes në skenë Moisiu” nuk gjendet një aktor i dyte ta bëjë... Vetëvrasja e tij tek Fedja, që është roli i tij i jetës, ka mbetur firma e tij në art – sikurse personifikimi i Tramp-i të Chaplin-i ose kostumi i bananeve tek Josephine Baker.
Moisiu, i pavdekshmi ylli i vdekjes ... Ekspertet e teatrit shprehin keqardhjen që nuk u arrit të filmoheshin skena nga rolet e Moisiut. Një herë në vitin 1998 gjatë kërkimeve arkivore në Vjenë u gjend i mbyllur në një kuti llamarine një Film dokument: Moisi – Fedja në celuloid. Janë 55 sekonda xhirim, autori i panjohur.....segment filmi që sot duket se vjen si një mesazh i Moisiut nga bota e përtejme...
Sipas një thënieje klasike: të zgjedhurit e “Qiellit” dhe gjenitë vdesin herët, të rinj... Ashtu edhe Aleksandër Moisiu, vdiq me 56 vjeç, në kulmin e prodhimtarisë e të gjenialitetit të tij skenik.
Është interesante për t’u treguar: një herë në ditët e para të vitit 1935, kur Moisiu gjendej në turne në Itali, dy gazetare e vizitojnë në gardërobën e tij aktorin e madh i cili përgatitej të luante në skenë rolin e piktorit Luis Dubedat të “Il dilemma del dottore”.
Për rastësi në këtë pjesë ka një skenë ku një gazetar pyet piktorin artist që vuan nga tuberkulozi: “Ju lutem shkurt me pak fjale na thoni diçka për sëmundjen tuaj dhe planet tuaja në të ardhmen?? Piktori Louis Dubedat – Moisi duhet sipas tekstit të përgjigjet: Planet e mia në të ardhmen janë shumë të thjeshta.
Unë do të vdes....E kështu ndodhi në realitet, pak javë më vonë ai vdiq. Fjalët e fundit ai i foli në skenën e Sanremos më 12 mars 1935, gjatë një turneu në Itali. Në rolin e Fedja-s tek “Kufoma e gjallë” shfaqja mbyllej me batutën: ....ndjehem shumë mirë... ndjehem me të vërtetë mirë.... e më pas personazhi mbyt veten...
Në mars 1935 Moisiu vendos të kthehej në Vjenë, ku do të takohej me mikun e tij Stefan Cvajg i cili po përkthente në gjermanisht një komedi, që mbajtësi i çmimit Nobel, i madhi Luigji Pirandelo e kishte shkruar posaçërisht për të. Pritej që të vendosej për zgjedhjen e ansamblit e fillimin e provave.
Natën gjatë udhëtimit në tren, e pushton një temperature e lartë dhe dhimbje gjoksi. Asnjeri nuk ishte në kabinën e tij t’i shuante etjen dhe ta ngrinte nga dyshemeja ku kishte rënë. Vuan shumë deri në mëngjes pa pasur ndihmën e njerëzve në tren, të cilët flinin në atë ore. Me 14 Mars 1935 treni futet në stacionin e Vjenës ku e shoqja e priste.
Ajo kishte me se dy muaj që nuk e kishte parë burrin e dashur. .....Ai po vonohet? Pse nuk po vjen, ai duhej të zbriste tashi..... përse nuk është në mes të udhëtarëve si gjithmonë?.... Seç ka një parandjenjë...dhe ja tek shihen dy punëtorë hekurudhash që mbajnë në krahë Aleksandrin.
Ai dridhej nga dhimbjet dhe ethet. E dërgojnë në hotel duke menduar se ishte vetëm një grip i rëndë. Mjeku i urgjencës konstaton një ftohje në mushkëri dhe e dërgon me 16 mars në sanatoriumin Cottage, ku specialistet më të mirë të mushkërive, Dr. Bauer dhe Dr. Jagic përpiqen ta ngrejnë përsëri në këmbë.
Edhe në këtë gjendje ai ka kurajë të ironizoje situatën e vështirë ku gjendej: Kësaj here asht një skenë vdekjeje e keqe, do të zgjasë shume.... I lutet se shoqes që ta ktheje në hotel. Duke parë situatën e vështirë ajo i ndalon çdo kontakt me fansat dhe gazetarët, të cilët vërshuan aty, me përjashtim të mikut Bassermann dhe shkrimtarit Beer – Hoffmann. Fillon agonia, diagrama e temperaturës lëvizë si e çmendur. Terwin i gjendet pranë, i lag buzët e thara, i lëmon ballin e djersitur, i mban dorën e lëshuar e të pafuqishme...
Në ditën e shtatë temperatura i lëviz nga 40° në 35 °, i bëjnë një morfinë që t’i lehtësojnë dhimbjet e mëdha të gjoksit. Ai vetë, Aleksandri i jep zemër së shoqes, e cila nuk kishte më shprese për jetën e tij. Atë dite më 22 mars 1935 rreth orës 14.00, nen veprimin e morfinës ishte i qetë, por i heshtur dhe i pafuqishëm.
I kërkon së shoqes me shenja, në mënyrë të pakuptueshme diçka për të shkruar. Dora e tij në këto minuta të fundit të jetës arrin me shumë mundim të shkruaj tri fjalë të palexueshme: Liebe....alles Liebe... dhe lëshohet në prehrin e gruas Terwin..
Aleksandër Moisiu vdiq po atë ditë rreth orës 19.10 minuta. Arkivoli me trupin e tij u dogj në Krematorin e Vjenës i shoqëruar nga muzika Adagio e Beethovenit, luajtur nga dy miqtë e tij, muzikantet e famshëm Bruno Walter (në piano) dhe Alfred Rosé (në violinë).
Ishte hera e parë që në një ceremoni varrimi luhej një pjesë muzikore. Asnjë përfaqësues i Austrisë nuk mori pjesë në Ceremoninë e vdekjes. Sargu me hirin e tij ishte i mbështjellë me flamurin italian dhe ndërsa një grup i vogël nga miqtë dhe familjaret qëndronin në heshtje në kujtim të tij.
Gjatë ceremonisë funebër, aktori me famë Albert Bassermann nxori nga gishti unazën Iffland (4) të cilën tradicionalisht e mban aktori më i mirë i kohës, dhe e vendosi mbi gjoksin e Moisiut të vdekur duke u thënë: ....ty të përket unaza Iffland-it...
Sargu me hirin e Moisiut, Johanna Terwin e varrosi në Tessin të Zvicrës, në varrezën e Morcote-s pranë vilës së tij mbi liqenin e Luganos. Aty gjendet një pllakë mermeri me mbishkrimin Alessandro MOISSI, 1879 – 1935, po në këtë vend (1962) do të varroset edhe bashkëshortja Terwin.
Dëshiroj të mbyll shkrimin me një thënie të vete Moisiut në verën e vitit 1927, në Wansee të Berlinit në fjalën që mbajti në varrimin e koleges Agnes Sorma, fjalë të cilat më vonë do të kishin të njëjtën pasojë edhe për të: AKTORI I TEATRIT NUK ARRIN TA SHOHE KURRE PUNEN E TIJ. AI NUK MUNDET TA SHFLETOJE ATE SI një LIBER APO NUK MUNDET të SHIKOJE ATE në KANAVACE E në GURE.....
Vjenë, 17 shkurt 2013
SHËNIM (3):
Unaza e Ifflandit – unazë e rrethuar me diamante dhe me gdhendjen e portretit të aktorit August Wilhelm Iffland i vdekur më 1814. Është si vlerësim dhe e mban aktori me i mirë në botën e Teatrit – gjermanishtfolës. Bassermann–i e ka mbajt që nga viti 1911 deri në ditën që e vendosi mbi trupin e Moisiut.
*Te gjitha referencat (foto, letra, dokumente, pjesë gazetash) janë marrë në arkivën e Teatrit Kombëtar në Vjenë.
Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com
Redaksia Online
(b.m/shqiptraja.com)