EKSKLUZIVE
Parente,shkrimtari shokon përtej detit

EKSKLUZIVE<br />Parente,shkrimtari shokon përtej detit
Massimiliano Parente nuk është përkthyer në shqip. Eshtë një shkrimtar i ri italian, ish-biolog, plot talent dhe me një forcë të paparashikuar mendimi që po shokon lexuesin konformist italian. Në vendin fqinj e dashurojnë dhe e urrejnë njëkohësisht. Eshtë më i vërtetë se vetë e vërteta, është një fenomen. Më pat habitur para pak kohësh me publikimin e “Kasta e radikal chic” (Casta dei radical chic), ku vinte në lojë intelektualët e majtë që flasin për proletariatin, duke pasur privilegjet njësoj ose edhe më shumë se pasanikët e djathtë italianë. Të majtët e quajnë fashist e të djathtët komunist. I bezdis të gjithë. Eshtë një shkrimtar për të cilin do të dëgjojmë gjatë.

Lexova këtë verë librin e tij në italisht “L’inumano” (Çnjerëzori). Prej vitesh nuk më ndodhte të përpija një libër nën çadër, mbi rërë, në mes të vapës së gushtit.
“Çnjerëzori” është një libër që futet e të prek cdo qelizë të ekzistencës me egërsinë e ngjarjeve dhe thellësinë e të vërtetave shkencore. Kapituj që ndërthuren me sarkazëm argëtuese mbi botën intelektuale të botuesve dhe të jurive të çmimeve letrare në Itali. Parente “bën” marrëdhënie seksuale me anëtarët 70-80 vjeçarë të jurisë, në këmbim të favorit. Skena të shpifura kastile deri në vjellje që sjellin panoramën e kësaj bote të kompromentuar, të vjetër, që nuk ka fare lidhje me vlerësimin real të librave me vlerë të shkrimtarëve të mirë. Por Parente i kapërcen kufijtë e Italisë, pasi ajo që ndodh në librin e tij, mund të ndodhë në çdo pjesë të globit. Trama e rrugëtimit për fitimin e një çmimi në konkursin Sternna, ndërthuret me kapituj brilantë, me informacione shkencërisht të bazuara dhe të mrekullueshëm të galaktikave dhe të historisë së njerëzimit. Ajo është pjesa më e bukur, për mua.

“Çnjerëzori” është i treti i një trilogjie që nisi me botimin e “Grirëses”, “Kundërnatyrës” që ka hapur shumë polemika në vendin fqinj.

Me liberalizimin e vizave, më takon të has më shumë bashkëatdhetarë në libraritë italiane se këtu në Tiranë. Kështu më ndodhi te “Feltrinelli, në Bari. Ndërsa po tërhiqja këtë libër në sektorin e romaneve, të njëjtin, nga ana tjetër e tërhiqte, Lindita, një studente shqiptare.

Vetë Parente, me këtë intervistë ekskluzive për Shqiptarja.com, tregon për krijesat e tij që, sic thotë gazetari i njohur italian Vittorio Feltri, “…heqin zhavorrin nga trutë e njerëzve”. Massimiliano Parente është një shkrimtar i vecantë, që ja vlen ta njohin ata shqiptarë që e pëlqejnë letërsinë e bukur dhe të rrallë.

Me librin “Grirësja” (La macinatrice), “Kundërnatyrës” (Contronatura) dhe së fundmi me romanin tuaj “Jonjerëzori” (L’inumano), prekni tema tabu’ për italianët. Tregoni të vërteta tronditëse mbi ekzistencën, shoqërinë italiane, mbi familjen, seksin, mbi kishën. Ju jeni kundër të gjithëve. A duhet kurajo për të shkruar dhe prekur këto tema në një vend si Italia?
“Nuk e di nëse është cështje guximi, në kuptimin që nuk do të mund të bëja ndryshe pasi veprat e mia lëvizin në prespektiva të gjata dhe prekin tema universale, sic ka ndodhur gjithmonë në letërsi. Nëse do të isha një shkrimtar hungarez, rus, amerikan apo shqiptar do të shkruaja tamam të njëjtët libra. Italia, me siguri, është një vend i prapambetur nga ana kulturore, përkundër asaj që mendojnë për veten italianët apo të asaj që mendohet jashtë për Italinë. Jo rastësisht letërsia nuk ka peshë dhe e vërteta akoma më pak dhe si rrjedhojë edhe fjalët. Sot një politikan mund të deklarojë një gjë dhe ditën tjetër të kundërtën dhe askush të mos e marrë vesh”.

Në faqet e “Çnjerëzorit”, ju trajtoni shumë keq të gjithë italianët, njerëzimin mbarë, por edhe veten. Godisni fizikisht, intelektualisht, shkencërisht. Keni zgjedhur të shokoni për të arritur ku?

“Sot të gjithë flasin për realizëm, për realitet në botën letrare, por pastaj zbulon se për realitet nënkuptojnë aktualitetin, kronikën e ngushtë, papunësinë, krizën, mafian, kontratat me afat, fabrikat që mbyllen. Pjesa më e madhe e shkrimtarëve, jo vetëm italianë, kanë një injorancë shkencore të frikshme. Ndërsa në këtë shekull e gjysëm pozicioni ynë në botë dhe në kozmos ka ndryshuar në mënyrë drastike: jemi rezultat i një zinxhiri proceses biologjike katër miliardë vjet të gjatë, jetojmë afër një ylli të vogël në një galaktikë me njëqind miliardë yje, në një univers me njëqind miliardë galaktika. Kemi zbuluar strukturën atomike të materies, gjeneruesen e jetës, ADN-në, dëgjojmë radioaktivitetin e Big Bengut të 13 miliardë viteve më parë, ndërsa qielli shihet akoma sic shikohej në mesjetë, të mjegulluar nga vizione arkaike dhe fetare të ekzistencës, që sot janë kthyer në supersticione. Një milingonë ecën në këtë tokë prej 100 milionë vitesh, ne Homo Sapiens, në më pak se dyqind mijë dhe i gjithë ky proces, që ne quajmë “jetë” nuk ka asnjë qëllim. Nuk jam unë shokues, është jeta e tillë. Pikërisht këtë kam vendosur të tregoj. Si në aspektin e mrekullueshëm dhe komik, ashtu dhe në atë të tmerrshëm, që të gjithë shtiren sikur nuk e shohin. Romanet e mi janë gjithmonë shumë komikë dhe shumë tragjikë. Të bëjnë të qeshësh, por nuk ka shpresë, sepse nuk ka”.

Në Shqipëri popullariteti madh i fituar në vitet e mëparshme nga komisar Katani i “Oktapodit”, është tejkaluar sot vetëm nga Roberto Saviano me Gomorrën, i konsideruar edhe këtu si një luftëtar antimafia. Ju e rendisni mes radikal chic-ëve. Kush janë radikal chic-ët në Itali dhe përse ju mendoni se i bëjnë keq vendit tuaj? Jeni në një mënyrë një antiSaviano?

“Jo, Saviano ka shkruar një libër të suksesshëm dhe mafia ka qenë gjithnjë një evergreen italiane, ashtu si dhe pica, vetëm kaq; sa i takon të tjerave, më duket se është më shumë gazetar dhe polemist politik sesa shkrimtar. Unë merrem me të tjera gjëra, shkruaj vepra, nuk kam kohë të mendoj për mafian, sic nuk kishte kohë Proust në 1916 të mendonte për Luftën e Parë Botërore: do të shkruante Recherche. Sa I takon radikal chic-ëve janë konformistë të opinionit alternativ në masë: pacifistët, ekologjistët, moralistët, deklarohen të majtë edhe pse të pasur, shkojnë në restorante bio dhe kurohen vetëm me ilace omeopatike, lexojnë libra të Travaglio-s për t’u ndjerë të ndershëm dhe janë të parët që nuk lëshojnë pastaj faturë fiskale”

Jeni një shkrimtar i ri dhe antikonformist; shumë i impenjuar dhe me artikuj në të përditshmen Il Giornale. Ka hapësirë në Itali për idetë tuaja? Jeni censuruar ndonjëherë?
“Në fillim vazhdimisht. Kur publikova romanin tim të dytë “Mamma”, në 2001, një histori incesti shumë ekstrem, u mbajt një konferencë intelektualësh për të më mbrojtur nga censura. Sot më pak, lexuesit katolikë protestojnë gjithmonë kundër artikujve të mi, por për fat Il Giornale më lë të lirë prej shumë vitesh, më duhet vetëm të duroj veten time. Pastaj jeta e një shkrimtari, ashtu si ajo e cilitdo, varet shumë nga takimet e duhura. Për shembull pata fatin të takoj një njeri të jashtëzakonshëm si Vittorio Feltri, që për vite me radhë më ka dhënë gjithë lirinë që kam dashur, një kryeredaktor kulture si Alessando Gnocchi dhe Antonio Franchini, drejtor i narrativës në shtëpinë botuese Mondadori, tjetër njeri i jashtëzakonshëm dhe plot kulturë të cilit i detyrohem shumë. Nuk merrem asnjëherë me politikë, preferoj, dhe refuzoj cdo ftesë televizive ku flitet për politikë, praktikisht të gjitha, sepse në Itali ka vetëm talk shoë politik, politika ka përfunduar në reality, ose talk show budallallëqesh. Këtu flitet me muaj për një krim banal ose për Schettino-n. Jo dy ditë, por muaj të tërë, duke thënë të njëjtat gjëra.

Nëse do të mund të vendosnit kujt do ja jepnit detyrën e organizimit të jetës së përditshme në Botë? Një artisti? Një shkencëtari? Një politikani? Kujt tjetër?
“Deri një vit më parë do ja kisha dhënë Steve Jobs, por fatkeqësisht, vdiq”

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë