TIRANË- Në rast se efektivët e policisë nuk raportojnë parcelat e kanabisit të mbjella në zonën e tyre, nuk i asgjësojnë apo bashkëpunojnë me trafikantët ata do të përjashtohen nga policia e shtetit.

Është ky urdhërim më i fundit i kreut të policisë Gledis Nano për vartësit e tij përcjell pak ditë më parë në një mbledhje të zhvilluar për luftën kundër drogës. Një tjetër kërkesë e Nanos është drejtuar edhe operatorit të energjisë elektrike për të përcjellë pranë policisë hartën e zonave me humbje të energjisë elektrike e cila dyshohet se vidhet për të furnizuar shtëpitë e barit dhe laboratorët e cryptovalutave.

ReportTv ka siguruar ekskluzivisht pamje të operacionit ku 2 ditë më parë në qarkun e Shkodrës përkatësisht në Velipojë u asgjësuan tre parcela të cilat ishin në fazën e korrjes së bimës narkotike. Policia aty mundi të identifikoj një infrastrukturë e cila ishte nga çadrat e kampingut deri te rrjeti i vaditjes së drogës me pika uji në rrënjët e saj nëpërmjet tubave.

Në këto tre parcela policia arrestoi edhe katër efektivë të Velipojës mes tyre nën komisar  Zamir Sytari, 40 vjeç, Shef i Stacionit të Policisë Velipojë; N/Komisar Arben Hoxha, 45 vjeç, Inspektor Ergys Lohja, 34 vjeç, Inspektor Hysni Beqiri, 53 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë, për të cilët gjykata vendosi masën e sigurisë arrest në shtëpi.

Këto parcela sipas hetimeve të drejtorisë së narkotrafikut në policinë e shtetit dhe agjencinë e mbikëqyrjes policore ishin aktive prej më shumë se 3 muaj dhe njëra prej tyre ishte mbjellur për herë të dytë pas korrjes së kanabisit. Ndërsa në këtë foto shihet edhe infrastruktura e tharjes së bimës narkotike si dhe sasia prej afro 150 kg e cila ishte duke u bërë gati për paketim dhe tregtim.

Aktualisht policia e shtetit së bashku me agjencinë e mbikëqyrjes policore po kryen një aksion në mbarë vendin përfshi edhe zonat me risk si Shkodër, Malësia e Shkodrës, aksi Elbasan-Belsh, Berat Lushnje, Fshatrat e Durrësit, Lumi i Vlorës si dhe Tepelenë.