EKSKLUZIVE/ CEZ: Nuk kemi
besim te drejtësia shqiptare

EKSKLUZIVE/ CEZ: Nuk kemi<br />besim te drejtësia shqiptare
TIRANE- Për herë të parë, pas heqjes së licencave të shpërndarjes dhe tregtimit të energjisë elektrike në Shqipëri, flet për një media shqiptare nga Praga zëdhënësja e kompanisë-mëmë CEZ Group, Barbora Pulpanova. E pyetur nga Shqiptarja.com, ajo ka shprehur mendimet e këtij subjekti lidhur me situatën e krijuar, fajin për të dhe mënyrat e zgjidhjes.

CEZ humbi licencat për shitjen dhe shpërndarjen e energjisë në Shqipëri. E prisnit ju këtë, në momentin kur kompania juaj hyri ne tregun tonë?

Ne hymë në tregun shqiptar me qëllimin e qartë për të drejtuar një biznes që do të kishte përfitime, si për CEZ Group, ashtu dhe për shqiptarët.

Ku u gabua, në fillim dhe më pas?

Situata në Shqipëri u bë më e komplikuar në fillim të vitit të shkuar, kur, për shkak të thatësirës drastike të vitit të mëparshëm, kompanisë shtetëtore KESH iu desh të importonte energji nga jashtë me çmime shumë më të larta, gjë që e solli në prag të falimentimit; kompania nuk do të kishte mbijetuar pa ndihmën e qeverisë shqiptare. Qeveria vendase u mundua ta zgjidhte situatën me një vendim pa precedent në Evropë: të gjitha kostot ju ngarkuan investitorit të huaj, CEZ Shpërndarjes.

Cila mendoni se ishte pengesa kryesore për zgjidhjen në mënyrë paqësore të problemeve midis shtetit dhe CEZ-it në Shqipëri?

Për fat të keq, negociatat që pasuan midis CEZ dhe palës shqiptare nuk ishin të suksesshme dhe për CEZ Shpërndarje nuk ishte e pranueshme që vazhdimisht të paguante për ata qytetarë shqiptare dhe institucione shtetërore që janë mësuar të mos paguajnë për energjinë që konsumojnë.

A keni hasur probleme të ngjashme në vende të tjera?

Shqipëria është i vetmi vend ku nuk është arritur rikthimi i planifikuar i investimeve. Sa për shpërndarjen, CEZ-i kryesisht fokusohet në përmirësimin e prodhimtarisë së vet, që do të thotë optimizim i llogarive dhe ulje e humbjeve në rrjet - në Bullgari dhe Rumani, këto përpjekje kanë sjellë rezultate pozitive.

Si do t'iu pëlqente që ta zgjidhnit këtë konflikt?

Ne gjithmonë kemi parapëlqyer ta zgjidhim këtë situatë nëpërmjet pajtimit.

Është situata aktuale një sinjal negativ për të tjerë investitorë të huaj seriozë?

Për investitorët e huaj, ky është një sinjal i qartë që mjedisi i biznesit në Shqipëri është i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm.

Çfarë hapash pritet të ndërmarre kompania juaj në të ardhmen?

Pas heqjes së licensës, CEZ-i do të bëjë kërkesë për kompensim dëmesh. Në të njëjtën kohë, CEZ-i do të ndërmarrë hapat e parë për fillimin e arbitrazhit ndërkombëtar.

A është në gjendje administratori shtetëror Sahit Dollapi të bllokojë shitjen apo transferimin e aseteve të kompanisë në Shqipëri?

Kjo është një pyetje për z. Dollapi.

A kini besim në vendimet e gjyqësorit në Shqipëri?

Nëse ne do të besonim në drejtësinë shqiptare, nuk do të kërkonim të shkonim në arbitrazhin ndërkombëtar. Ne e konsiderojmë mjedisin në Shqipëri si shumë të paqëndrueshëm dhe të paparashikueshëm.

A mendoni se kompania juaj - në njëfarë mënyre - është përdorur për qëllime elektorale, në të kaluarën - procesi i privatizimit - dhe tani - heqja e licensës?


Kjo është një pyetje për palën shqiptare.

Është e vërtetë se disa prej zyrtarëve të lartë të politikës shqiptare janë faturuar "zero" kilovatorë për konsumin në banesat e tyre?

Ne kemi një qasje të drejtë dhe të barabartë për çdo konsumator.

(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Atentati me snajper ndaj Ardian Çapjas më 8 Shtator 2020, si i mbijetoi sulmit të tretë kreu i grupit

Atentati me snajper ndaj Ardian Çapjas më 8 Shtator 2020, si i mbijetoi sulmit të tretë kreu i grupit