Prej 31 vitesh familja Luga jeton me plagën e hapur të rrëmbimit të Jonuzit, i cili u mor nga oborri i shtëpisë në Durrës kur ishte vetëm 4 vjeç. Autorët u arrestuan dhe u dënuan, por për fatin e vogëlushit nuk u mësua kurrë asgjë. Së fundmi, në emisionin investigativ “Pa Gjurmë” në Report Tv ka mbërritur një dëshmi e re nga Greqia, e cila ringjall shpresat se Jonuzi mund të jetë gjallë. Gjatë një lidhjeje telefonike me moderatoren Odeta Dume, një emigrant shqiptar që jeton në Greqi deklaroi se ka informacion për një 35-vjeçar. Sipas tij, bëhet fjalë për një shqiptar të birësuar në këtë vend, i cili dyshohet se është rrëmbyer fëmijë nga Shqipëria dhe më pas është shitur tek një familje në Greqi.
“Unë punoj me dhëndrin e tij dhe ai më ka thënë se vjehrri i tij është shqiptar dhe është rrëmbyer i vogël. Madje ka përdorur shprehjen që është blerë me para. Kur pashë rastin e Jonuz Lugës, mendova se mos bëhet fjalë për të”, – u shpreh dëshmitari.
Sipas emigrantit, personi në fjalë jeton aktualisht në Athinë dhe dyshohet se ka mbërritur në Greqi rreth vitit 1995, periudhë që përkon me kohën e rrëmbimit të Jonuzit.
“Është e sigurt që është shqiptar, kështu më është thënë. Ata vetë nuk dinë shumë, sepse është marrë i vogël dhe ai nuk kujton asgjë”, – shtoi ai, duke premtuar se do të përpiqet të sigurojë më shumë të dhëna apo kontakte që mund të ndihmojnë në verifikimin e informacionit.
Nga ana tjetër, gjyshja e Jonuzit, Hajrie Luga, e cila ishte në studion e “Pa Gjurmë”, rrëfeu historinë e dhimbshme të nipit të saj dhe u shpreh e emocionuar se çdo dëshmi e re është një dritë shprese për familjen. Rasti i Jonuz Lugës mbetet një nga plagët më të rënda të viteve të tranzicionit, ndërsa familja vijon kërkimet me shpresën se një ditë do të mësojë të vërtetën. Emisioni “Pa Gjurmë” do të vazhdojë të ndjekë çdo informacion që lidhet me këtë histori, deri në zbardhjen e plotë të fatit të Jonuz Lugës.
Për çdo informacion, na kontaktoni në numrin: +355 69 99 55 698.

Komente











