Deklaratat e ministrit serb Ivica Daçiç për Kosovën nuk duhen parë si retorikë elektorale, por si një sinjal alarmi për të gjithë Ballkanin. Në një intervistë ekskluzive për emisionin 'Studio Live' me Ermal Qorin në Report TV, ish-ministri gjerman për Europën, Michael Roth, paralajmëron se nacionalizmi në Serbi po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm duke rrezikuar Ballkanin, i bën thirrje Bashkimit Europian të ngrijë fondet për Beogradin dhe kritikon qasjen e deritanishme të Brukselit, duke e cilësuar të gabuar barazlargimin mes Kosovës dhe Serbisë.

Report TV. Çfarë kuptimi kanë këto deklarata për sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës?

Michael Roth: Fatkeqësisht, më duhet të citoj përsëri dhe vazhdimisht ish-presidentin francez François Mitterrand: “Nacionalizmi është luftë.” Nacionalizmi çon në luftë. Zoti Daçiç vë hapur në pikëpyetje sovranitetin e një vendi fqinj. Disa do të thonë me cinizëm se kjo nuk është asgjë e re, se bëhet fjalë thjesht për fushatë zgjedhore dhe se duhet të mësohemi me të. Unë nuk jam aspak dakord me këtë. Ne nuk duhet të mësohemi kurrë me një retorikë të tillë. Ajo nuk përmirëson asgjë, por vetëm radikalizon forcat që tashmë janë radikale.

Report TV..Cilat janë pasojat e mundshme për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor?

Michael Roth: Unë ende shoh nacionalizëm në të gjitha shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe, në mënyrë shqetësuese, edhe te brezi i ri. Kisha shpresuar shumë që shoqëritë tona të përballeshin së bashku me historinë e tyre të dhimbshme dhe ta shihnin njëra-tjetrën si fqinjë dhe partnerë. Në disa raste, kjo ka funksionuar. Serbia është një shembull veçanërisht shqetësues. Beogradi ka besuar gjithmonë se mund të përfitonte duke mbajtur lidhje në të gjitha drejtimet: duke kultivuar marrëdhëniet politike, ekonomike, kulturore dhe fetare me Rusinë, duke ushqyer narrativat nacionaliste serbe dhe, njëkohësisht, duke aplikuar për anëtarësim në BE. Ndoshta disa në Beograd kanë menduar gjithashtu se Serbia ishte tepër e madhe për të dështuar. Ajo është vendi më i madh në rajon, prandaj pse duhet të shqetësohej?

Report TV: Çfarë masash konkrete duhet të marrë BE-ja? A duhet të pezullohet ndihma financiare e BE-së për Serbinë apo të kushtëzohet ajo?

Michael Roth: Mendoj se po. Pas zgjedhjeve në Serbi, BE-ja duhet ta rishqyrtojë seriozisht marrëdhënien e saj me Beogradin dhe të vendosë se si do të veprojë më tej. Unë jam në favor të ngrirjes së fondeve të BE-së për momentin. Në fund të fundit, BE-ja duhet të deklarojë qartë edhe se negociatat për anëtarësim nuk mund të vazhdojnë në këto kushte. Megjithatë, kjo ka kuptim vetëm nëse edhe vendet e tjera të rajonit shënojnë përparim të konsiderueshëm në të njëjtën kohë.

Report TV: Si duhet të reagojë BE-ja ndaj retorikës politike që ngre pretendime territoriale ndaj një vendi fqinj?

Michael Roth: Shumë më qartë sesa ka vepruar deri më tani. Vite më parë, Brukseli duhej t’i kishte drejtuar Beogradit një pyetje të qartë dhe të matur: Duhet të vendosni se çfarë dëshironi. A dëshironi të bëheni një autokraci apo një demokraci në zemër të Bashkimit Evropian? Shumë shpesh, BE-ja nuk i ka marrë seriozisht deklaratat e zotit Vuçiç. Ai shihej si një figurë dominuese në rajon, njësoj si Edi Rama, dhe shumëkush mendonte se nuk mund të bënim pa të. Ky ishte një gabim. Në konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja shumë shpesh ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të baraslarguar nga të dyja palët: serbët shkaktojnë probleme, por edhe kosovarët nuk janë të lehtë për t'u marrë vesh. Po, politikanët kosovarë ndonjëherë lejojnë që të provokohen dhe bien në kurthet e ngritura nga Beogradi. Por kjo nuk justifikon asgjë. Një qëndrim i tillë i baraslarguar është i padrejtë, veçanërisht duke pasur parasysh se Kosova vazhdon të vuajë pasojat e faktit që disa shtete anëtare të BE-së nuk e njohin atë. Duke parë prapa, ishte gjithashtu gabim që përparimi drejt BE-së të lidhej kaq ngushtë me të ashtuquajturin dialog për normalizimin e marrëdhënieve, pra bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës të ndërmjetësuara nga BE-ja. Ky kusht zbatohej për Serbinë dhe, mbi të gjitha, për Kosovën. Megjithatë, Serbia ka qenë gjithmonë shumë më pak e interesuar për përfundimin me sukses të dialogut sesa Kosova. Si rezultat, Kosova ka pësuar dëme shumë më të mëdha. Ka ardhur koha që kësaj qasjeje t’i jepet fund.

Report TV: Çfarë mesazhi duhet t’u përcjellin institucionet evropiane qeverive dhe qytetarëve të Ballkanit Perëndimor?

Michael Roth:  BE-ja duhet të pranojë edhe përgjegjësinë e saj. Ajo ka vepruar në mënyrë tepër burokratike dhe ka humbur shumë besim, sepse vazhdimisht ka shtuar kushte të reja. Në një moment, njerëzit në Ballkanin Perëndimor pushuan së marri seriozisht. Mesazhi i saj tani duhet të jetë i besueshëm: nëse punoni me përkushtim për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, si dhe luftoni me vendosmëri nacionalizmin, përpjekjet tuaja do të shpërblehen. Njerëzit duhet ta ndiejnë këtë në jetën e tyre të përditshme, përmes vendeve të punës, stabilitetit, sigurisë dhe paqes.