Dje në Shqiptarja.com u paraqit, nëpërmjet këtyre dokumentave të kohës, veprimtaria e spiunazhit jugosllav në periudhën midis viteve 1966-1979 në Shqipëri; çfarë rrugësh përdorte shërbimi i fshehtë jugosllav për të rekrutuar agjentë ndërmjet qytetarëve shqiptarë; si kontrollohej ndërlidhja telefonike civile e ushtarake në Shqipëri, si vëzhgohej hapësira ajrore shqiptare nga organet jugosllave të spiunazhit. Po kështu, nëpërmjet analizës së pazbuluar më parë të ish-Sigurimit të Shtetit, hidhet dritë mbi atë se kush ishin personat dhe institucionet që u përdorën nga Jugosllavia e Titos për të tërhequr informacione mbi Shqipërinë.
Këto dokumente vijnë për herë të parë për lexuesin dhe kanë të bëjnë me një analizë të specialistëve të Sigurimit të Shtetit mbi veprimtarinë e shërbimit të fshehtë të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në Shqipëri dhe kundrejt saj. Sipas dokumentave, 47 për qind e veprimtarisë së spiunazhit në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore realizohej nga shteti jugosllav, për llogari të vet apo edhe të shërbimeve të tjera sekrete.
Por, vëmendja e ish-Jugosllavisë ndaj fqinjit të saj jugor ka qenë shumë më e hershme. Në numrin e sotëm do të vijojë analiza retrospektive e veprimtarisë së spiunazhit nga Serbia, Mali i Zi e më pas Mbretëria e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë në vite.
PLANET
Synimi kryesor i fqinjëve tanë veriorë para Luftës së Parë Botërore ka qenë pengimi i formimit të një shteti shqiptar në trojet e banuara nga pjesëtarë të këtij kombi në Ballkan ose, në pamundësi për të realizuar një gjë të tillë, aneksimi i sa më shumë trojeve të banuara nga shqiptarët etnikë në përbërje të shteteve sllave. Këto përpjekje shquhen që në kohën kur mbretëritë e Serbisë dhe Malit të Zi ishin në luftë me Perandorinë Osmane, në përbërje të së cilës ishin trojet shqiptare. Në këtë kohë është hartuar edhe plani shovinist i Vasa Çubrilloviçit "Shpërngulja e arnautëve" (Iselenie arnauta), që bazohet në politika të vjetra serbe, që synonin shpërngulje me dhunë të popullsisë shqiptare nga veriu i Kosovës, për të vendosur atje kolonë serbë. Synimi ishte të largoheshin shqiptarët në drejtim të Turqisë, nën kërcënimin e eliminimit fizik të tyre në rast se nuk pranonin një gjë të tillë. Ndërkohë, Mali i Zi hartonte planin e pushtimit të pjesëve veriore të Shqipërisë së sotme. Në këtë kohë, para krijimit të shtetit shqiptar, Serbia dhe Mali i Zi kanë vënë në lëvizje shërbimet e tyre të spiunazhit edhe në territoret e banuara me shqiptarë, duke përfituar nga dobësia e Turqisë në shpërbërje e sipër.
Shkrimin e plote mund ta lexoni ne Shqiptarja.com (print) 6 janar 2012