Ekskluzive/ Izet Haxhia: Dua të
përballem me Berishën në gjyq

Ish-bodigardi i Sali Berishës, Izet Haxhia ka folur ekskluzivisht për herë të parë për emisionin 'Repolitix' në REPORT TV pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Turqisë për lejimin e ekstradimit në Shqipëri.

Haxhia shprehet se në Shqipëri do të kërkojë rihapjen e dosjes së vrasjes së Hajdarit dhe përballë kërkon Sali Berishën, që sipas tij është ai që e nxori në pritë. Haxhia thotë se Berisha duhet të japë llogari edhe për shumë dosje të tjera, për të cilat thotë se është gati që të dëshmojë.

Ish-bodigardi akuzon edhe djalin e ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha se karrierën e ka nisur që 17 vjeç me transport droge. Ekstradimi i Haxhisë, pritet që të trondisë familjen Berisha, pasi akuzat e bëra deri tani në distancë, ish-bodigardi pritet që t’i bëjë në sallën e gjyqit, madje duke kërkuar përballë ish-kryeministrin.

Intervista ekskluzive me Izet Haxhinë në REPORT TV

Zoti Haxhia si e prini këtë vendim?
Ekstradimi është kërkuar që në 2006. Pas një maratone të gjatë, sot me anë të avokatit m’u komunikua vendimi, që gjykata e lartë ka marrë vendimin për lejimin e ekstradimit. Është një periudhë që qeveria shqiptare është e interesuar për kapjen e ‘peshqve’ të mëdhenj. Kthimi im është në favor të kësaj propagande, pasi po mundohen që t’i paraqesim publikut, që arritëm ekstradimin tim në Shqipëri. Unë nuk i kam ikur asnjëherë drejtësisë, edhe pse kam mundësi që t’i shpëtoj këtij ekstradimi. Do kthehem dhe do të jem në dispozicion të drejtësisë shqiptare për të gjitha akuzat.

Jeni gati të bashkëpunoni dhe për cilat çështje?
Kjo gjë varet nga drejtësia shqiptare, jam gati për përballje me të gjitha akuzat që janë bërë dhe atyre që mua më kanë dhënë dënimin. Jam i hapur për cdo gjë që të përgjigjem para drejtësisë, pa kërkuar asnjë lloj mbrojtje.

Asnjëherë nuk e keni pranuar akuzën për vrasjen e Hajdarit, cilin akuzoni?
Të vërtetët që qëndrojnë pas vrasjes nuk kanë dalë akoma. Janë të ngatërruar shumë segmente, që nga grupi i ‘Rognerit’ dhe deri te nxjerrësi i tij në pritë, Sali Berisha. Dua të ballafaqohem me këta persona.

Jeni gati të dëshmoni?
Po, dhe çështja duhet të rihapet, pasi jam gjykuar në mungesë. Ia kam pas kërkuar qeverisë shqiptare, kur ka qenë ministër Ilir Rusmalji. Kam kërkuar ekstradimin me kusht që cështja të rihapet dhe qeveria shqiptare e pranon në bazë të konventave ndërkombëtare. Është e dhënë me firmë nga Ilir Rusmajli.

Pse deklaroni se pas vrasjes qëndron Berisha?
Berisha, pasi nga zyra e tij doli Azem Hajdari. Kjo është e vërtetuar me dëshmitarë...

Cfarë qëllimi do të kishte Berisha të eliminonte Hajdarin?
Qëllimet nuk di askush, por ka qenë armiku i tij kryesor në PD. I ka interesuar Berishës i vdekur. Për 8 vite në opozitë Berisha deklaroi se do e rihapte dosjen, por edhe pse drejtësia ndodhej në duart e tij, ai nuk bëri asgjë, pasi kjo cështje është dëshmia më e qartë, si dy krahët kanë bashkëpunuar për dënimin tim 20-vjeçar me lojëra politike, me ‘peshqit’ e mëdhenj

A ka cështje të tjera ku do të dëshmoni?
Jam i hapur përpara drejtësisë shqiptare. Me të vërtetat e mia...

Berisha  iu akuzon si mashtrues dhe kriminel, pse drejtësia duhet t’u besojë?
Ky është vlerësim, pasi mashtruesi, kryespiuni, tradhtari, të akuzojë për mashtrues, ky është vlerësim. Po të kishte thënë që jam djalë i sinqertë do të ndihesha i fyer.

Ka politikanë që i tremben dëshmisë suaj?
Politikanët shqiptarë nuk tremben, pasi drejtësinë e kanë në duart e tyre dhe e luajnë si të duan. Unë jam një dëshmitar okular, por nuk kam të vërtetuar me dokumente ato që kam thënë, unë bazohem te ajo që di unë. Ka shumë akuza të tjera të vërtetuara, që nuk janë gjykuar, si Gërdeci, 21 janari, vjedhja e CEZ e të tjera. Vraje të pazbuluara që mbajnë gishtin e klanit Berisha, si Tropoja e të tjera.

Keni akuzuar edhe djalin Berishës për trafik droge?
Po u qëndroj. Karrierën e ka nisur që 17 vjeç me transport droge dhe gjëra të tjera.

Jeni surprizuar nga vendimi i ekstradimit?
Unë kam qenë i përgatitur për këtë lajm. Unë e kam pasur ndaluar kthimin në Shqipëri, por kam qenë i përgatitur. Jam i habitur për momentin kur e dhanë vendimin...

Ju mund të jeni dëshmitar shumë i vyer, çfarë të keqe ka?
Asnjë, por në Shqipëri ende nuk ekziston drejtësia

U trembeni gjykatave?
Unë nuk i tremben as burgut dhe asgjëje dhe kjo nuk ka rëndësi sa do të bëj, 20, 30 apo 50. Unë kërkoj që të gjykohem nga një drejtësi e pavarur, kjo është ajo e imja.

Në rastin e vrasjes së Hajdarit u kërkua ndihma e ambasadës së SHBA, do të kërkoni ju këtë herë?
Jo askujt, vetëm të Zotit. Ata që kanë dëshmuar si mashtrues te ambasada amerikane të kërkojnë ndihmën e ambasadës, unë jo

Por kur do të vini?
Vendimi do i kalojë ministrisë, që do e paraqesë para Këshillit të Ministrave, mund ta zgjasë një javë, 3 ditë apo 10 ditë nuk e di....

Ju nuk do të shmangeni?
Jo, po i pres, mirë se të vinë policia, adresën e dinë. Jam i qetë, vetëm kur dalin politikanë përpara më....

d.b/shqiptarja.com

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen