Eksperti i Sigurisë, Faik Basha, ish-drejtuesi i Policisë, Shemsi Prençi, juristja Alesia Balliu dhe deputeti i PS, Ermal Pacaj, kanë diskutuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, lidhur me protestat që po zhvillohen kundër investimit në Zvërnec, kërkesës së PE për rishikimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura dhe operacionet e fundit të SPAK.
Gjatë fjalës së tij, ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ka futur edhe tokën shtetërore (86 ha sipas tij) në Zvërnec, mes pronës private që i është shitur investitorëve nga Katari.
Prençi ka vijuar më tej me akuzat kundër kryeministrit, duke thënë se Rama u bëri thirrje para zgjedhjeve banorëve të Thethit që të linin emigrimin dhe të vinin e të investonin në Shqipëri dhe më pas sipas tij, ju shembi mbi 100 bujtina.
“86 hektarë tokë brenda rrethimit janë tokë publike, tokë shtetërore. Dhe nuk ka të drejtë kryeministri që t’i japë leje një privati, që brenda tokës private të futet edhe toka shtetërore. Kryeministri tha se është dezinformuar Parlamenti Europian. Nesër ka për të thënë që ata janë spiunët e Iranit. Recitivist në mashtrimin e opinionit publik dhe të shqiptarëve është kryeministri i Shqipërisë. Kryeministri është mashtrues publik. Vajti në Theth, u tha sillni djemtë që kanë punuar për 35 vite në emigracion, të vijnë të investojnë. 6 muaj më pas, për spiunazhin e 2 patronazhistëve, rrafshoi 100 bujtina. Nëse mashtrojmë popullin e thjeshtë dhe mashtrojmë qytetarët, dhe përkrahim oligarkët, atëherë nuk kemi kryeministër të popullit shqiptar, por të mafies dhe emigrantëve. Ke dhe kecat e Marjanës atje. Marjana është në takime shumë të rëndësishme në këto momente. Do ta marrësh vesh nesër. Ai zotëria s’ka shkuar në Departamentin Amerikan të Shtetit, Marjana ka qenë 1 muaj në DASH para se të vinte këtu. Është trajnuar për një problem shumë të rëndësishëm të Shqipërisë”, tha Prençi.
Nga ana tjetër, deputeti socialist Ermal Pacaj, duke komentuar Rezolutën e PE të miratuar ditën e djeshme, tha se ajo i kushtohej zonës së mbrojtur të kategorisë së Parë të Vjosë-Nartës.
Pacaj tha se në zonën e Vjosë-Nartës, nuk ka asnjë plan për investime, por sipas tij, plani për të investuar është në zonën e Zvërnecit dhe Pishë-Poros. Sipas Pacaj, këto dy zona janë ‘zona të mbrojtura të kategorisë së pestë’, ku lejohen ndërtimet.
“Rezoluta e miratuar dje në PE, ku një rezolutë u rrëzua dhe tjetra u votua. Është një rezolutë që flet qartësisht dhe këtu kemi të bëjmë me zonën e mbrojtur të kategorisë së parë të Vjosë-Nartës. Në rezolutë është shprehur për Vjosë-Nartën. As ne nuk kemi thënë diçka tjetër. Pra aty nuk është se ka një projekt për Vjosë-Nartën, që është një zonë e mbrojtur e kategorisë së parë. Ajo çfarë po diskutohet është për zonën e kategorisë së pestë, që është peizash natyror. Pra që kap zonën e Zvërnecit dhe zonën e Pish-Poros. Përsa i përket pjesës së rekomandimeve, edhe për ndërhyrjet, edhe në ligjin për investimet strategjike, ligji për investimet strategjike është në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të trajtohet sipas rekomandimeve të BE-së për të bërë ndërhyrjet”, tha Pacaj.
Ndërsa për juristen Alesia Balliu, thelbi i problemit me pronat në Zvërnec, qëndron me tjetërsimin e tokave në kohën kur Sali Berisha ishte kryeministër.
Duke përgëzuar protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër investimit në Zvërnec, Balliu tha se protestuesit që ndodhen në shesh janë sot opozita e vërtetë. Kjo pasi sipas Balliut, PD dhe kryedemokrati Sali Berisha janë të shitur te kryeministri Edi Rama.
“Këto prona janë tjetërsuar në kohën e Berishës. Dje ka qenë një shuplakë për qeverinë, pasi padiskutim nuk janë me standardet europiane, nuk kanë dëgjuar grupet e interesit, nuk kanë dëgjuar opinionin publik, nk ka transparencë projekti. Mos të bëjmë sikur nuk ekziston ky projekt. Kjo është një protestë qytetare, shumë pozitive, që i ka dhënë një shuplakë Ramës dhe Berishës. Shqiptarët janë zgjuar dhe kanë zgjuar frymën e protestës në gjithë Shqipërinë, duke kundërshtuar këtu jo vetëm problematikën e flamingove, por për ilaçet, për shëndetësinë, për arsimin, për gjithçka. Ata kanë vërtetuar se kanë dalë aty kundër dyshes Rama-Berisha. Opozita ka dalë jashtë loje, sepse është e shitur. Përsa kohë të jetë Berisha në krye, garantuesi kryesor i pushtetit të Ramës, nuk quhet opozitë”, tha mes të tjerash Balliu.
Më tej Balliu akuzoi Sali Berishën dhe të birin e tij, Shkëlzenin, si të lidhur me grupet kriminale.
Ajo tha se Shkëlzen Berisha është i përfshirë në çështjen Aruba dhe ka lidhje të forta me biznesmenin e arrestuar Ilir Shtufi dhe klanin ‘Osmani’.
“Pse nuk kërkoi Berisha ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen Aruba, apo se ishte i biri i përfshirë. Pse nuk flet Sali Berisha për Ilir Shtufin? Pse i është mbyllur goja Berishës? Pse jeton i biri te vila luksoze e Ilir Shtufit, që akuzohet nga SPAK për pastrimin e parave të pista dhe kokainës. Këtyre pyetjeve t’i japë përgjigje Berisha. Për këto protestojnë qytetarët, por edhe për abuzimin e qeverisë. Sali Berisha dhe i biri janë të lidhur drejtpërdrejtë me klanin Osmani. Berisha nuk përfaqëson sot opozitën, por interesat personale dhe familjare, për të cilat ai gjithmonë hesht si skuth”, tha Balliu.
Ndërsa eksperti Faik Basha u shpreh se protestat e qytetarëve që po zhvillohen këto ditë në Tiranë, janë marrë peng nga një grup prej 16-personash që kontrollojnë foltoren para Kryeministrisë.
“Te SPAK nuk po shkojnë qytetarët dhe as protestuesit. Po shkojnë ata 16 badyguardët që kanë rrethuar atë foltoren apo mikrofonin atje. Unë jam i sigurt se 90% e protestuesve do ta marrin vesh që po shkojnë në SPAK kur të shkojnë atje. Te institucionet e drejtësisë s’mund të shkosh në 12 të natës për t’i përgëzuar. Ne po kuptojmë se protestat dhe hallet e qytetarëve që janë të drejta, por merren peng nga një grup i cili po e përdor hallin e qytetarëve për interesat e tyre personale”, tha mes të tjerash Basha.
Komente




