Ekskluzive/ Ja si Edmond Karriqi që u arrestua nga SPAK mbylli aferën e 40 punësimeve fiktive nga LSI, prokurorja Gjati që kopsiti dosjen u ‘internua’ nga Llalla, roli i dyshimtë i Metës   

Ekskluzive/ Ja si Edmond Karriqi që u arrestua nga SPAK mbylli aferën e 40 punësimeve fiktive nga LSI, prokurorja Gjati që kopsiti dosjen u ‘internua’ nga Llalla, roli i dyshimtë i Metës   

Prokurori Edmond Karriqi, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla dhe presidenti Ilir Meta

Kryeprokurori i përkohshëm i Kukësit, Edmond Karriqi, i cili u arrestua tre ditë më parë nga SPAK, pasi i mori 2 mijë euro një të pandehuri në këmbim të zbutjes së masës ndaj tij, ka mbyllur në bashkëpunim me gjyqtarin Isuf Shehu, një dosje abuzimi flagrant me paratë publike të ish-zyrtarëve në Lëvizjes Socialiste për Integrim me punësime fiktive/partiake në Aeroportin Kukësit. Në tetor të vitit 2017, Karriqi, sapo ka marrë në dorë dosjen, e ka tërhequr nga gjykata me pretendimin se do të thellonte hetimet, por një muaj më pas i ka kërkuar gjykatës mbylljen e dosjes me argumentin se nuk ka gjetur ‘prova’. Kjo është vetëm njëra anë e skandalit. Prokurorja Rita Gjati, e cila kishte kryer hetimin, kishte faktuar abuzimin masiv me ekspertizë dhe që çoi në gjykatë dosjen e ish-drejtorit të Aeroportin e Kukësit, Agron Xhafa, më pas kandidat për deputet i LSI-së, u ndëshkua nga Adriatik Llalla, në atë kohë kryeprokuror, duke u transferuar në Tropojë. 

Rita Gjati u ndëshkua pasi refuzoi presionin për mbylljen e dosjes së abuzimit nga njerëzit e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Vetëm disa muaj më pas, Departamenti Amerikan i Shtetit, shpalli non grata Adriatik Llallën për mbrojtjen e korrupsionit të politikanëve të nivelit të lartë, duke i dhënë një mesazh të fortë Ilir Metës dhe Sali Berishës, dyshja që emëroi Llallën në krye të Prokurorisë së Përgjithshme në vitin 2012, pasi i kishin besuar më parë drejtimin e institucionit të deklarimit dhe kontrollit të pasurive. Në 20 maj 2021, Gjykata Speciale, me kërkesë të SPAK, dënoi Llallën me dy vite burg, pikërisht për mosdeklarim pasurie. Gjyqtari Isuf Shehu u shkarkuar për pasuri të paligjshme. Ilir Meta u shkarkuar nga Kuvendi si President, ndërsa ka nisur të izolohet nga politika amerikane. Por, si për ironi, prokuroja Rita Gjati, e vetmja që kërkoi drejtësi për aferën e punësimeve fiktive në Aeroportin e Kukësi, u penalizua në shkallën e parë të Vetingut, duke u numëruar si ‘mëkat’ edhe kërkesën e saj për gjykimin e kësaj dosje. 

Punësimi fiktiv 

Në korrik të vitit 2017, prokurorja Rita Gjati nisi hetimet për punësime fiktive në Aeroportin e Kukësit. Nga hetimet rezultoi se në fund të vitit 2016 dhe në fillim të vitit 2017, që përkonte edhe me periudhën para zgjedhore, në Aeroportin e Kukësit ishin punësuar rreth 40 persona. Vetëm tre vite më parë, në 2013, 9 persona u larguan nga puna në Aeroportin e Kukësit për mungesë fondesh. Aeroporti u ndërtua me 24 milionë USD dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe pas Luftës së Kosovës, por vetëm gjatë këtij vitit pritet të nisin fluturimet. Aeroporti, para punësimeve fiktive, kishte vetëm 11 punonjës, të cilët paguheshin nga buxheti i shtetit. 40 punonjësit e rinj ishin shtuar, sipas dosjes hetimore, pa qenë e nevojshme, pa asnjë lloji studimi dhe për më tepër pa e ditur as se çfarë pune do të kryenin. Të punësuarit nuk u paraqitën asnjë ditë në punë, por e morën pagën rregullisht. Sipas ekspertizës së kryer me urdhër të prokurores Gjati, pjesë e dosjes së siguruar nga Raport Tv, dëmi në buxhetin e shtetit ishte rreth 500 mijë USD. 

Pas aferës qëndron LSI, gjykata pranon arrestimin e drejtorit  

Pas hetimeve, në 25 korrik të vitit 2017, prokurorja Rita Gjati kërkoi dhe mori miratimin e gjykatës për arrestimin e 2 ish-drejtuesve të aeroportit, konkretisht të Agron Xhafajt dhe ish- Arben Carkanji. Gjithashtu, gjykata pranoi masën e arrestit të shtëpisë për financierin e këtij aeroporti, Fahrudin Noka. Drejtori i fundit, Agron Xhafa, njësi nga protagonistët e aferës së punësimeve fiktive, konsiderohet si një njeri i Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Madje, Ilir Meta përfshiu Agron Xhafën në listën e kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Tiranë gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2017, pikërisht pas realizimit të punësimeve fiktive. Agron Xhafajt dhe Arben Carkanji nuk u gjetën dot nga policia për t’u arrestuar. Më pas, gjykata zbuti masën ndaj tyre nga arrestim në detyrim paraqitje. Ky do të ishte vetëm fillimi i vendimmarrjeve deri në mbylljen përfundimtare të dosjes. 

Llalla hakmerret ndaj Rita Gjatit 

Burime të sigurta për Report Tv konfirmojnë se prokurorja Rita Gjati ka pasur një presion të fortë për të mbyllur këtë dosje abuzimi. Presioni është përshkallëzuar për shkak se nën akuzë ishin njerëz të lidhur me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe krerët e saj, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Kur Rita Gjati, bazuar në ekspertizën që konfirmonte abuzimin, kërkoi arrestimin e dy ish drejtorëve të Aeroportit të Kukësit dhe më pas çoi dosjen në gjykatë, në lojë ka hyrë Adriatik Llalla. Në 8 tetor 2017, Adriatik Llalla, në atë kohë kryeprokuror ka firmosur transferimin e Rita Gjatit nga Prokuroria e Kukësit në Tropojë, me pretendimin për të rritur performancën pas disa problematikave të konstatuara. Por, siç duket, i vetmi hall i Llallës ishte për t’i hequr nga duart Rita Gjatit dosjen e abuzimeve të LSI në Aeroportin e Kukësit dhe për ta kaluar në duart një prokurori tjetër, për ta mbyllur më pas. Dhe ashtu ndodhi. 

Në skenë del Edmond Karriqi, merr dosjen në dorë dhe e tërheq 

Pasi Llalla ndëshkoi Rita Gjatin duke e transferuar në Tropojë nga drejtuese e Prokurorisë së Kukësit, dosjen e punësimeve fiktive në Aeroportin e Kukësit e mori në dorë prokurori Edmond Karriqi, i cili u arrestua tre ditë më parë nga SPAK për korrupsion. Një javë më pas, në 16 tetor 2020, pas vetëm dy seancash gjyqësore, prokurori i ri i çështjes Edmond Karriqi tërhoqi dosjen nga gjykata e Kukësit. Prokurori Karriqi tha se tërhoqi dosjen për të thelluar hetimet, të cilat mund të zbulonin edhe persona të tjerë në këtë skandal, duke përfshirë ndoshta edhe zyrtarë të Drejtorisë së Aviacionit Civil dhe pse jo edhe të Ministrisë së Transporteve, që drejtohej gjatë realizimit të punësimeve nga Sokol Dervishaj, përfaqësues i LSI-së. 

Edmond Karriqi mbyll dosjen

Në nëntor të vitit 2017, disa javë pasi kishte tërhequr dosjen nga gjykata me pretendimin se do të thellonte hetimet për të kapur edhe ‘peshqit e mëdhenj’, prokurori Edmond Karriqi kërkoi në Gjykatën e Kukësit mbylljen pa asnjë të akuzuar të dosjes së punësimeve fiktive në Aeroportin e Kukësit, me argumentin se nuk u ‘gjetën prova’ për abuzimin. Edhe pse punësimet fiktive ishin vërtetuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, me ekspertizë, vendime punësimi, dëm ekonomik, kalim parash në llogari, listëpagesa etj., prokurori Karriqi nuk kishte konstatuar asnjë provë. 

Gjyqtari Isuf Shehu pranon kërkesën

Me këtë vendim të datës 12 dhjetor 2017, gjyqtari i Kukësit, Isuf Shehu pranoi kërkesën e prokurorit Karriqi për pushimin e procedimit penale nr. 203 për punësimet fiktive në Aeroportin e Kukësit nga njerëzit e LSI-së. Në vendimin e çuditshëm të gjyqtarit thuhet se ‘fakti nuk parashikohet në ligj’ dhe se kjo çështje zgjidhet në rrugë administrative. “Nga tërësia e akteve që ndodhen në fashikullin e hetimit, arrijmë në konfuzionin se veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve nuk përbejnë vepër penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal, për faktin se numri i punonjësve është përcaktuar nga ministria e linjës (me propozim të Bordit të Aeroportit Civil). Në lidhje me qënien ose jo në punë pranë aeroportit të Kukësit, kjo është një marrëdhënie juridike që zgjidhet në rrugë administrative, nëpërmjet dispozitave të Kodit të Punës në RSH”, ka arsyetuar Isuf Shehu.  Kështu dosja e rreth 500 mijë USD abuzime u mbyll si një çështje administrative. 

Isuf Shehu shkarkohet nga Vetingu, nuk justifikon vilën 3-katëshe 

Në 14 nëntor 2019, Komisioni i Vetingut vendosi të shkarkonte nga detyra gjyqtarin Isuf Shehun. Ndër të tjera, në vendimin e shkarkimit thuhet se gjyqtari nuk justifikonte rreth 50 mijë USD për ndërtimin e një vile me tre kate në Kukës. Gjithashtu, KPK-ja konstatoi pamundësi financiare nga gjyqtari për të blerë edhe dy makina. Nga ana tjetër, prokurori Edmond Karriqi është në proces verifikimi që në fund të vitit 2019 nga Komisioni i Vetingut. Por, Karriqit u vuri pranga policia në mes të Kavajës, me kërkesë të SPAK, për korrupsion.

Kërkesa e prokurores Rita Gjati për gjykimin e dosjes së punësimeve fiktive në Aeroportin e Kukësit

 

 

: Dokumenti ku Edmond Karriqi kërkon mbylljen e dosjes pas tranferimit të Rita Gjatit në Tropojë

 

Vendimi i gjyqtarit Isuf Shehu për pranimin e kërkesës së Prokurorit Karriqi për mbylljen e dosjes

Vendimi i shkarkimit të Isuf Shehut që pranoi mbylljen e dosjes

Ish drejtori i Aeroportit të Kukësit në listën e kandidatëve për deputetë të LSI në Tiranë në 2017

M.Q./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 04/07/2021 00:51

    Nuk e di ne se ne Shqiperi kane sjelle aparate ku klikon kur fillon e mbaron orarin e punes.Ketu ku jetoj e kemi te puna me finger print,ne menyre te tille qe asnje tjeter nuk mund te klikoje per ty.Po te ishte ky sistem <<te punesuarit>> e aeroportit do te paraqiteshin ne pune si Cecua,se vetem keshtu mund te pagueshin.Nje tjeter abuzim shqiptar,eshte sorrollatja gjate orarit te punes.Kur isha nje here ne Shqiperi,m'u desh te shkoja ne nje ministri dhe me beri pershtypje holli plot me njerez qe sorrollateshin kot duke bere muhabet,per te mos harruar kafenete.Ketu te ne nuk te le njeri te abuzosh keshtu.Sa per Meten,Llallen,Karriqin,ndoshta enderojne edhe keta te gjejne ndonje prokuror qe <<t'ua terheqe dosjet,per prova te reja>> kur te fillojne te hapen e rihapen dosjet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja