TIRANE - I arrestuar në 29 janar të këtij viti, ish-ministri i Punës në qeverinë Berisha Spiro Ksera do të vijojë të qëndrojë në burg për akuzën e vjedhjes së 30 milionë lekëve të rinj përmes shpërdorimit të detyrës si ministër, kjo të paktën deri në përfundim të hetimeve. Gjykata e Apelit vendosi këtë të enjte të rrëzojë kërkesën e ish-ministrit për liri, duke i dhënë të drejtë argumentit të Prokurorisë se është e nevojshme që Ksera të qëndrojë në burg për të mos ndikuar në hetime. Edhe pse në Gjykatë nuk lejohet prania e kamerave, Report Tv arrin të intervistojë Kserën.

"Unë jam njeri i lirë nuk kam rrezikshmëri shoqërore ju e shikoni, kam qenë protagonist në 20 vitet e fundit. Kam diskriminim nga përkatësia. Nuk jam njeri i rrezikshëm unë jam i hapur të hetohem të gjykohem jo në gjendjen në burg".  Ky reagim i ish ministrit për ReportTv erdhi pak çaste pasi gjykata e apelit vendosi të lërë në fuqi arrestin me burg ndaj tij.
 
I pyetur nga gazetarët se a është ky një sulm politik, Ksera përgjigjet: Padyshim që po nga të gjitha palët

Në përkrahje të Kserës nuk munguan familjarët dhe të afërm të tij, ndërsa avokati Genci Gjokutaj e cilësoi vendimin sit ë paligjshëm duke paralajmëruar rekurs në Gjykatën e Lartë.



Ksera: arrestimi diskriminim si minoritar. Prokuroria: Krijove skeme te sofistikuar vjedhje
"Kërkoj lirimin nga burgu", - me këto fjalë i është drejtuar trupës gjykuese të Apelit ish-ministri i Punës në qeverinë Berisha, Spiro Ksera i cili ndodhet në masë arresti për akuzën e vjedhjes së 30 milionë lekëve përmes shpërdorimit të detyrës si ministër.

I pranishëm në seancën ku Gjykata e Apelit shqyrtoi kërkesën e tij për ndryshimin e masës të sigurisë vendosur nga Shkalla e Parë, Ksera e cilësoi arrestimin sulm politike dhe diskriminim që i bëhet figurës së tij pasi është përfaqësues i minoritetit grek. Nga karrigia e të akuzuarit ulur krah avokatit të tij Genci Gjokutaj, Ksera tha para trupës gjykuese se ka tre fëmijë të cilët kanë nevojë për prindërit, një ndër arsyet që sipas tij gjykata duhet t'i japë lirinë.

"Jam person që kam kontribuuar edhe në liberalizimin e vizave", shtoi Ksera në mbrojtjen e tij. 

Dëmi prej 30 milionë lekësh që prokuroria pretendon se Ksera ka shkaktuar në buxhetin e shtetit, është një vepër penale që dënohet me 10 vite burg. Ndaj - sipas organit të akuzës - lënia e tij e lirë mund të bëjë që Ksera të dëmtojë hetimin dhe të ndikojë tek ish-vartësit e tij, disa prej të cilëve kanë rënë në pranga për të njëjtën akuzë.

Sipas Prokurorise se Apelit skema e vjedhjes e përdorur nga ish ministri dhe vartësit e tij ka qenë tepër e sofistikuar e ndërtuar me lidhje njohje dhe shoqërore mes tyre si dhe raportet epror vartës.

Sipas Kserës kjo akuzë nuk qëndron, pasi dëmi nuk mund të jetë 30 milionë lekë kur fondi limit i tenderuar në kohën që ai drejtonte ministrin për aktivitetet, sipas tij ka qenë vetëm 25 milionë. 



Dëshmia e plotë e Kserës në gjyq zbardhur nga Redaksia online e Shqiptarja.com
"I nderuar drejtues i seancës me lejoni që me pozicionin që kam pasur prej 15 vitesh si përfaqësues politik në jug të Shqipërise si kryetar i i PBDNJ-së në vitet 2000 ,prefekt i qarkut të Gjirokastrës në vitet 2005-, deputet dhe ministër në legjislacionin 2009-2013 i kam shërbyer vendit dhe nuk besoj se kam ndonjë rrezikshmëri shoqërore. Jam përpjekur, jam një njeri i njohur me potencial të paktën në jug të Shqipërisë dhe nuk kam besuar asnjëherë që do kem rrezikshmëri shoqërore. Përsa i përket procedurës së ndalimit unë do thoja që sipas Kodit të procedurës penale prokurori nuk më ka thirru asnjëherë më vulë dhe me shkrim siç thotë kodi që të paraqitem në procesin e hetimit, një hetim që ka nisur në vitin 2015 ku unë të gjitha dokumentet i kam lënë në ministri dhe prokuroria i ka menaxhuar që prej vitit 2013, dhe nëqoftëse më lejoni për të prekur pak dhe gjykimin në themel do thosha që e gjithë proceduara që kam ndjekur unë si ministër është e monitoruar nga agjencia e prokurimeve publike. Unë si ministër kam bërë vetëm lidhjen e kontratës, është shpallur dhe ka fituar tenderimin një kompani private dhe që nga ai moment siç kemi vazhduar për katër vite me radhë, ministri hiqet nga gjithë procedura që bëhen. Prandaj unë do gjykoja që masa është shumë e rreptë, unë jam ndër të tjera familjar kam tre fëmijë besoj se fëmijët kanë nevojën e prindërit, kam një bashkëshorte, jetoj në periferi të Shqipërisë në Derviçan të Gjirokastrës dhe asnjëherë unë nuk kam menduar t'i shmangem hetimeve apo të largohem jashtë Shqipërisë se jam një person i njohur, shumë i njohur për të thënë dhe në prefekturën e Janinës po ashtu dhe në Athinë dhe nuk kam asnjë arsye t'i shmangem hetimeve unë i besoj demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës, barazisë përpara ligjit dhe anti-diskriminimit. Duhet të dini që për liberalizimin e vizave unë kam marr përsipër vetë si ministër që të aplikojmë si kërkesë vetë të Bashkimit Evropian ligjin anti-diskriminim ishte një ligj shumë i rëndësishëm për hapat tona të integrimit dhe përsa i përket diskriminimit unë i përkas minoritetit etnik grek kam kombësi greke dhe besoj se ky është një diskriminim që mua më bëhet ".