Ekskluzive/ Kërcënimi nga burgu i gjyqtarit Kuqo: Jam oficer i CIA-s, do t’ju tërheq zvarrë

Ekskluzive/ Kërcënimi nga burgu i gjyqtarit Kuqo: Jam oficer i CIA-s, do t’ju tërheq zvarrë

Markelian Kuqo

“...mua më lind e drejta t’ju lidh dhe t’ju tërheq zvarrë pas Renxhit tim dhe t’ju çoj në KZP para Teo Jacobs. Unë jam shtetas grek dhe quhem Nikos Kostandinos ... jam oficer i CIA-s...”. Kjo është një nga letra kërcënuese që gjyqtari i Korçës Markelian Kuqo ka marë nga një i dënuar që vuan dënimin në burgun e Drenovës. Fill pas këtij kërcënimi, Kuqo në muajin tetor 2019 u kërcënua për praninë e një sasie tritoli në makinë.

Dosja e kërcënimit me tritol në makinë të gjyqtarit të Korçës Markelian Kuqo, do hetohet nga prokuroria e Pogradecit dhe jo nga ajo e Korçës. Kjo për shkak të konfliktit të interesit që ka kjo prokurori, pasi gjyqtari Kuqo ushtron detyrën e tij pikërisht në gjykatën e Korçës. Për këtë arsye në 24 tetor 2019, prokurorja e çështjes Oli Visi, ka vendosur t'ia përcjellë dosjen për hetime të mëtejshme kolegëve të saj në prokurorinë e Pogradecit. Çështja penale që është regjistruar në 15 tetor të këtij viti për akuzën e Kanosjes ndaj gjyqtarit Markelian Kuqo, flet për një person të dënuar nga drejtësia Shqiptare, për vrasjen e një taksisti në Fier.

Për këtë krim, ky person që quhet Neim Behari, është dënuar dhe vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Për shkak se me gjyqtarin Markelian Kuqo, kishte një proces gjyqësor pasi Behari kishte depozituar një kërkesë për transferimin e tij nga burgu i Drenovës në një burg tjetër dhe kërkesa e bërë në gjykatë ishte refuzuar nga Kuqo, Neimi ka zgjedhur ta kërcënojë atë, duke telefonuar në policinë e Korçës dhe njoftuar se “...është vendosur lëndë plasëse makinës së gjyqtarit Markelian Kuqo, e cila mund të shpërthejë për 30 minuta...”. Në fakt një mekanizëm të tillë ky i dënuar ka ndjekur edhe disa kohë më parë ku ka kërcënuar me jetë Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili, duke telefonuar në sallën operative të Policisë Vlorë.

Pas njoftimit për bombë në makinë nga ana e punonjësve të Policisë Korçë, të Komisarit të Policisë, si edhe nga specialistët e Njësisë Speciale Anti Eksploziv (NJSAE), është bërë verifikimi dhe kontrolli i mjetit të gjyqtarit Markelian Kuqo në garazhet e Gjykatës së Korçës dhe gjatë këqyrjes nuk u konstatuan mjete shpërthyese apo ndezëse në mjetin e këtij gjyqtari. Më pas është marrë një informacion në rrugë operative se telefonata është kryer nga një numër i regjistruar i kompanisë “Mobitel” pranë IEVP Drenovë, kjo e konfirmuar edhe nga deklarimi marrë Drejtorit të IEVP-së Drenovë, në datën 16 tertor 2019, Genci Fejzollari.

Më pas është marrë kontakt me Markelian Kuqo, ku nga ana e tij janë hedhur dyshime se kjo telefonatë mund të jetë kryer nga Neim Behari, i cili aktualisht vuan dënimin pranë IEVP-së Drenovë, ku ky person vuan dënimin për veprën penale të “Vjedhjes me pasojë vdekjen”, të një taksisti në Fier. Njëherësh Kuqo ka përmendur edhe emrin e një të dënuari me burgim të përjetshëm në Greqi por që mbahet i mbyllur në burgun e Drenovës Roland Luli. Gjatë fazës së hetimit janë administruar pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë në IEVP-në Drenovë, ku duket qartë një person i veshur me tuta blu e errët, i cili afrohet te kabina telefonike, por nuk jepet ora kur janë kryer telefonatat. Kjo pasqyrohet në raportin e shërbimit të datës 15 tetor 2019, ku në njërin prej orareve të telefonatave është e cituar edhe ora 09:16 deri në orën 09:17 dhe është pikërisht ora kur është telefonuar salla operative e Drejtorisë Vendore Korçë.

I pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes, Genci Fejzollari drejtori i burgut Drenovë ka deklaruar se i dënuari Neim Behari është një person i cili vuan nga probleme shëndetësore dhe këtë veprim e ka të përsëritur edhe në disa institucione të tjera, ku në fillim të muajit korrik 2019 ka kërcënuar edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili, me një telefonatë të kryer në Drejtorinë Policisë Vlorë, si edhe shumë raste të tjera gjyqtarësh e prokurorësh. Neim Behari vuan nga sëmundja mendore e skizofrenisë dhe theksohet se bashkëpunimi me këtë shtetas është i pamundur. Në dosja janë administruar si prova edhe dy letra, njëra prej të cilave i është drejtuar gjyqtarit Markelian Kuqo me fjalë kërcënuese, ku thuhet: “...mua më lind e drejta t’ju lidh dhe t’ju tërheq zvarrë pas Renxhit tim dhe t’ju çoj në KZP para Teo Jacobs. Unë jam shtetas grek dhe quhem Nikos Kostandinos ... jam oficer i CIA-s...”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja