Përfaqësuesit e kompanisë britanike “Crown Agents”, që duhet të sigurojë rritjen e performancës së doganave shqiptare, marrin përsipër që të kapin 50 shkelje doganore në muaj, që do të thotë afro 2 shkelje në ditë. Kjo përfshihet në një nga anekset e kontratës që po lidh qeveria Rama me këtë subjekt. Anekset e marrëveshjes deri tani nuk janë bërë publike.
Ajo që është thënë edhe më parë e që ka marrë kritikat më të ashpra të opozitës, edhe dje në Komisionin kuvendor të Ekonomisë, ka qenë fakti që 75 për qind e pagesës nuk lidhet direkt me performancën e asistencës, por me një matës tepër evaziv, që është raporti i Transparency International për korrupsionin apo raporti i Bankës Botërore “Të bësh biznes”, ku arritjet e doganës nuk pasqyrohen drejtpërdrejt.
Ndërkohë, pagesa tjetër ndahet në tre grupe, ku vetëm 10 për qind janë direkt të lidhura me rezultatet që do të sillte kompania në asistencën për doganat shqiptare. Kjo ka të bëjë me rritjen me një sasi të ardhurash sa 0.9 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, duke i çuar të ardhurat doganore nga 10.1 për qind të PBB, që janë aktualisht, në 11 për qind. Në rast se arrin këtë, “Crown” do të marrë 10 për qind të pagesës, që nuk i jepet që në fillim të vitit.
Ndërkohë, 10 për qind të tjera lidhen me faktin që do të ndikohet me 50 shkelje të kapura në një muaj, me 200 këshillime për inspektime të plota e 150 raste të tjera mujore të këshillimeve për inspektime të pjesshme, tetë vizita lokacionesh do të kryhen brenda 30 ditëve dhe identifikimi i humbjeve mbetet ende për t’u këshilluar se si do të matet. Secili nga këto zëra do të kishte 2% të pagesës totale vjetore prej 4.25 milionë eurosh dhe bilanci për një gjë të tillë do të kryhej në fund të vitit.
Këto janë aktivitete që mund të kryhen lehtësisht dhe, me përjashtim të kapjes së 50 rasteve në muaj, pjesa tjetër janë veprime rutinë prej konsulentësh doganorë.
Veç këtyre, në shtojcat e marrëveshjes përfshihet edhe ndarja e 5% të pagesës me objektiva edhe më evazivë akoma. Në to përfshihet edhe përgatitja e Kodit të ri të Etikës, që nuk është, në fakt, problemi më i madh nga çalon veprimtaria e doganave shqiptare, ndërkohë që atë e ka marrë përsipër edhe një projekt i BE-së, i nisur që në muajin maj të këtiij viti, me financim total nga Brukseli.
Objektiva të tjera janë menazhimi i riskut, rritja e profesionalizmit të burimeve njerëzore të administratës, krijimi i 8 njësive të operacioneve doganore, si dhe publikimi i njoftimeve lidhur me Kodin e ri të Etikës.
Kompania “Crown Agents” do të angazhojë në Shqipëri stafin e përbërë nga drejtor, ekspert burimesh njerëzore, ekspert antikorrupsioni dhe administrim risku, menaxherë, auditues e këshilltarë operacionesh, në total 15 vetë, plus ekspertë afatshkurtër.
Pagesa e kompanisë kontraktore “Crown Agents” për asistencën doganore
Lidhur me të ardhurat - 10% e pagesës
Treguesi Përshkrimi Matja
Niveli i të ardhurave Rritja e të ardhurave 0.9% e PBB në vit
Lidhur me veprimet në terren - 10% e pagesës
Treguesi Përshkrimi Matja
Zbulimi i shkeljeve (2%) Këshillim 50 në muaj
Rritje e ndërhyrjes (2%) Këshillim inspektime të plota 200 në muaj
Rritje e ndërhyrjes (2%) Këshillim inspektime pjesshme 150 në muaj
Rritje profesionalizmi (2%) Vizita të lokacioneve 8 në muaj
Identifikim humbjesh (2%) Identifikim Për t’u këshilluar
Lidhur me pragjet – 5% e pagesës
Treguesi Përshkrimi Matja
Operacione doganore (1%) Organizim njësish Krijimi i 8 njësive
Menaxhim risku (1%) Profilet e riskut Identifikim risku
Burimet njerëzore (1%) Profesionalizmi Rishikim kompetencash
Antikorrupsioni (1%) Kodi i ri i Etikës Përgatitja e kodit
Antikorrupsioni (1%) Publikim Kodi Njoftime mbi Kodin e ri
Tregues vjetor – 75% e pagesës
Vlerësim për doganat dhe tregtinë sipas raportit „Të bësh biznes“ (Banka Botërore)
Niveli i korrupsionit i vlerësuar nga Transparency International
Shkrimi u publikua sot (13.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)