EKSKLUZIVE/Kristo Frashëri:
Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë

EKSKLUZIVE/Kristo Frashëri:<br />Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë
Një seri shkrimesh mbi jetën e mbretit Zog, me fakte, dokumente dhe analiza prej akademikut të njohur Kristo Frashëri. Pjesa e pare, historia e paraardhësve të Ahmet Zogut dhe përpjekjet e biografëve të tij të besuar për ta lartësuar sa më shumë…

Një skaner analitik i jetës së Ahmet Zogut, vjen këtë herë nën skrupulozitetin e historianit Kristo Frashëri. Akademiku i mirënjohur, sjell ekskluzivisht në Shqiptarja.com, 11 artikuj ku dalin në dritë fakte të reja, dëshmi e dokumente të panjohura, duke portretizuar për herë të parë në këtë nivel personazhin e Ahmet Zogut, që nga familja dhe paraardhësit, fëmijëria dhe rinia e hershme, angazhimet e para, hyrjen në politikë dhe karrierën e tij, Kongresi i Lushnjës, revolucioni i qershorit, marrëveshja me Pashiçin, falja e Shën Naumit dhe Vermoshit, regjimi monarkik, pushtimi fashist dhe roli që pati në këtë periudhë mbreti Zog, duke e mbyllur me përshtypjet e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Pas një hyrjeje të shkurtër prezantuese, vjen sot pjesa e parë mbi paraardhësit e Ahmet Zogut, familjen e tij dhe falsifikimet që u përpoqën të bëjnë biografët e tij të besuar duke aluduar deri tek lidhjet gjenetike me Skënderbeun.


TIRANE - Në debatin që po zhvillohet këto kohët e fundit rreth Ahmet Zogut si mbret i shqiptarëve, nëse duhet të nderohet, të kritikohet apo të dënohet – ka një përshtjellim politik, juridik dhe historik, i cili është tepër i theksuar tek pjesëmarrësit që nuk janë historianë. Përshtjellimi vjen para së gjithash ngase nuk bëhet dallimi midis monarkisë (mbretërisë) si formë regjimi dhe monarkut (sovranit) si kreu i shtetit. Monarkia dhe monarku nuk duhen të identifikohen për arsye se njëri përfaqëson një formë regjimi, kurse tjetri sovranin që atë e drejton.

Ka raste në histori kur monarkia si formë regjimi ka qenë e dobishme për një vend mbasi nëpërmjet kurorës mbretërore është realizuar bashkimi kombëtar i një populli. Por ka edhe momente kur në një vend vendosja e monarkisë shënon hapa prapa. Sidoqoftë, në çdo rast monarkia duhet të gjykohet nga kushtetuta e saj, nëse ka qenë e dobishme apo e dëmshme, nëse ka qenë kushtetuese apo despotike, parlamentare apo absolute.

Debati mbi monarkun si kryetar i shtetit ka të tjera parametra. Veprimet e një monarku duhen ballafaquar detyrimisht me kushtetutën e monarkisë së tij – nëse ai i është përmbajtur betimit që ka bërë “para Zotit dhe para Popullit” për të respektuar normat e kushtetutës. Vetëkuptohet se historia dënon çdo monark që nuk ka respektuar kushtetutën, rrjedhimisht kur ai ka dëmtuar sovranitetin, integritetin, dinjitetin dhe ardhmërinë politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore të atdheut të vet.

Nëse pajtohemi me këto kritere të arsyetimit historik, atëherë historiani duhet të hetojë kushtetutën që pati mbretëria kur Zogu u shpall mbret dhe në mënyrë të shkëputur prej saj të vlerësojë veprimtarinë dhe politikën që ndoqi mbreti Zog në respekt të kushtetutës deri më 7 prill 1939. Në debatin që po zhvillohet, sundon midis johistorianëve edhe një logjikë e padrejtë historike, juridike dhe politike. Harrohet se përgjegjësia për veprimet e mbrapshta ose merita për veprat e mbara të një monarku është personale dhe jofamiljare. Në rast se Ahmet Zogu ka shkelur kushtetutën, kjo nuk do të thotë se duhet dënuar dhe biri i tij dhe, ca më pak, edhe nipi i tij, aq më tepër që ata nuk kishin lindur kur ai ishte mbret.

Si rrjedhim, nuk është e drejtë kritika që antizogistët ekstremistë u drejtojnë demokratëve dhe socialistëve, të cilët përshëndetën më 1996 kthimin në atdhe të familjes së mbretit Zog, përderisa anëtarët e saj, nuk akuzohen për veprime të mbrapshta. Pikërisht nga këto përshtjellime gjejmë rastin për t’iu përgjigjur shkurtimisht pyetjeve: Kush ishte Ahmet Zogu si njeri? Cilat qenë meritat e mbretërimit të tij? Cilat qenë gabimet apo dëmet që atij i atribuohen? Si duhet të cilësohen veprimet e tij, nëse ka ndër to akte të mbrapshta, - tradhëti apo gabime të justifikuara? Të shohim!
 
1. FAMILJA ZOGOLLI
 
Mund të thuhet se fillimet e karrierës politike të A. Zogut nisin në Kongresin e Lushnjës, punimet e të cilit filluan më 29 janar 1920, ku ai mori pjesë si delegat i Matit. Megjithatë, biografët historinë e tij si person e nisin, sipas zakonit, që kur lindi, madje depërtojnë edhe më herët, në historinë e tij familjare. Që nga Kongresi i Lushnjës e këtej për jetën dhe veprimtarinë politike të Ahmet Zogut si shtetar dhe si sovran ka mjaft burime dokumentare historike të kohës. Përkundrazi, fillimet e jetës së tij dhe të veprimtarisë që ai ka zhvilluar para Kongresit të Lushnjës janë të mbuluara me mjergull.

Për më tepër, kjo pjesë mjergullore e jetës së tij është spekuluar nga lajkatarët e mbretit Zog në dy drejtime: sikur rrjedh nga një familje bujare shqiptare e shquar prej shekujsh në historinë e Shqipërisë dhe, e dyta, sikur është shquar si një burrë shteti i përgatitur nga historia që në fëmijëri, për ta shpëtuar Shqipërinë nga rreziqet, nga prapambetja shekullore dhe për ta udhëhequr Atdheun drejt përparimit dhe ardhmërisë së lumtur. Shumica e këtyre pohimeve, të cilat nuk vërtetohen nga burime dokumentare, janë vënë në qarkullim pasi A. Zogu u kurorëzua në vitin 1925 mbret i shqiptarëve.

Duke përfituar nga mungesa e burimeve dokumentare, lajkatarët e mbretit Zog vunë në qarkullim tregime me veshje folklorike, të cilat e çojnë origjinën e tij familjare deri në shekullin e Skënderbeut.
Si shembull do të sjellim këtu njoftimet që ndeshen në dy prej jetëshkrimeve të tij apologjetike, të cilat nuk mund të akuzohen se kanë dalë nga pena e kundërshtarëve të vet, mbasi të dyja janë miratuar nga vetë mbreti Zog. Njëri është përfshirë në vëllimin kushtuar dhjetëvjetorit të shpalljes së monarkisë zogiste botuar me titullin “10 vjet mbretni, 1928-1938”, përgatitur nga Dr. Zoi Xoxa, Tiranë shtator 1938. Tjetri përmban jetëshkrimin e A. Zogut diktuar prej tij adjutantit të vet kolonel Hysen Selmanit kur ishte në mërgim botuar këto vitet e fundit me titull “Nga notimet e Zogut I Mbretit të shqiptarëve” (Tiranë 2008).

Në lidhje me origjinën e familjes Zogolli (siç quhej në Mat), nga fshati Burgajet dhe me fillimet e veprimtarisë politike të vetë A. Zogut si person – të dyja këto punime biografike përmbajnë njoftime pa asnjë bazë dokumentare. Ato siç do të shihet, janë sajesa të lajkatarëve të mbretit Zog, të cilat për habi të historianëve i ka përdorur edhe vetë mbreti Zog ose ai i ka lejuar të vihen në qarkullim.
Në lidhje me origjinën e familjes Zogolli që në vitet ’20 të shekullit të kaluar, fill pas Kongresit të Lushnjës, lajkatarët e tij, përhapën tezën se A. Zogu ishte pasardhës gjenetik i Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Madje, këtë tezë Kristo Floqi e përfshiu edhe në himnin që ai i thurri Ahmet Zogut në vargjet:
“Rroftë Ahmet Zogu, rroftë
Shpëtimtari i Atdheut
Brez pas brezi mbretëroftë
Nip stërnipi i Skënderbeut”.

Lajkatarët nuk ngurruan ta cilësonin edhe familjen Toptani të nënës së tij Sadije Toptani, si pasardhëse e princit mesjetar Karl Topisë. Si rrjedhim, Ahmet Zogu ishte, sipas tyre, pasardhës gjenetik i dy prej familjeve të shquara princërore mesjetare shqiptare – Kastriotëve dhe Thopiajve. Këtë lidhje gjenetike A. Zogu zyrtarisht nuk e ka kundërshtuar. Megjithatë, duke e lejuar qarkullimin e këtyre dy versioneve në mediat dhe në botimet e kohës së tij, ai tërthorazi ato i ka pranuar.

Eqerem Vlora, i cili e kishte kushëri nga linja amësore A. Zogun (nënat e tyre ishin kushërira), tregon se: “Sipas gojëdhënës së vendit, fisi i tyre ka ardhur në ato anë gjatë inkursioneve turke, mbase aty nga fundi i shekullit XV dhe i pari i tyre me emrin Zog, si shpërblim për luftën heroike në mbrojtje të njerëzve e të vendit ndaj turqve, ishte martuar me bijën e vetme të sundimtarit të atëhershëm të krahinës”. (E. Vlora. Kujtime, Botimi i parë në gjermanisht më 1973. Sipas variantit shqip: E. Vlora. Kujtime 1885-1925. Tiranë 2003, f. 451).

Historiani amerikan Bernd Fischer në biografinë e Ahmet Zogut botuar në anglisht në Santa Barbara të Kalifornisë (ShBA) më 1984 (përkthyer shqip me titull “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri” nga Krenar Hajdëri, Tiranë 1996, f. 11), na përcjell një legjendë, të cilën ai e ka ndeshur në një jetëshkrim të shkurtër  hartuar nga legata e ShBA në Tiranë drejtuar Uashingtonit më 9 tetor 1933. Në këtë raport thuhet: “Zogut i pëlqente të thoshte se familja Zogolli për herë të parë ishte shquar në gjysmën e dytë të shekullit XV kur princesha Mamica e Krujës, motër e Heroit Kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u martua me një burrë të fisit Zogolli, feudal i kullës së Burgajetit”.

Që këtu fillojnë pasaktësitë. Përveç të tjerave, dihet se Mamica u martua me Andrea Topinë (Kristo Frashëri. Skënderbeu. Jeta dhe vepra, Tiranë 2002) dhe jo me ndonjë pinjoll të fisit Zogolli, e cila nuk përmendet gjëkundi gjatë shekullit XV. Këto njoftime, të cilat duket se kanë dalë nga Pallati Mbretëror, janë përpjekje që bënte mbreti Zog për të zbukuruar biografinë e vet të hershme. Në të vërtetë, pretendimet e lajkatarëve për këto lidhje gjenetike nuk kanë asnjë bazë dokumentare. Të gjitha janë sajesa. Është e kotë të merremi me to.

Në lidhje me origjinën e familjes Zogolli, në tregimin e Hysen Selmanit, shtjellohet historia e disa brezave paraardhëse të A. Zogut. Tregimi fillon me një farë Zogu i Madh, i cili në shekullin XV kur Heroi ynë zhvillonte luftimet kundër ushtrive osmane, u vendos në Burgajet të Matit. Ngjarjet që në këtë punim i atribuohen Zogut të Madh dhe pasardhësve të tij deri në mes të shekullit XIX janë thjesht folklor. Prandaj nuk do të merremi as me to. Ne do të mbështetemi në burimet dokumentare, të cilat siç e kërkon metodologjia historike, do të shihen me sy kritik.

Sipas Eqerem Vlorës, në arkivin e Sarajit të vjetër të Stambollit, në Ruzmamedshiler Defteri të vitit 1041-1042 hixhëri, të cituar në “Endxhumeni Tarih Komisioni neshrijati”, Istanbul 1909-1910, ndodhet një dokument në të cilin thuhet se “në vitet 1631-1632 fiset e Matit u nisën për luftë, plaçkitën tregun e Shijakut dhe shkuan deri në Durrës, por aty u ndalën nga muret e qytetit”. Prijësi i sulmit, - shkruan Eqerem Vlora, - quhej Zog dhe ishte pasardhësi i atij që kishte themeluar familjen në shek. XV.

Gjithnjë sipas Eqerem Vlorës, në arkivin e Portës së Lartë ndodhet urdhri i Sulltanit, drejtuar sanxhakbejlerëve të Ohrit, të Shkodrës dhe të Elbasanit, që me ushtritë e tyre të sulmojnë Matin dhe “ta zënë tradhtarin Zog gjallë a vdekur”. Kronistët njoftojnë se më 1633 Zogut dhe dy njerëzve të tij iu pre koka në sheshin e kështjellës së Ohrit. Për të shpëtuar pozitën e familjes, biri i Zogut deri atëherë katolik, u kthye mysliman. (T. Toçi. Il Re degli Albanesi. Milano 1932. E. Vlora, Po aty, f. 452).

Ndër emrat e paraardhësve të tij që Ahmet Zogu përmend më i hershmi është Xhelal pashë Zogu, gjyshi i Ahmet Zogut. Por edhe të dhënat që ai jep për të bien në kundërshtim me njoftimet që jepen në burimet dokumentare. Në këtë punim thuhet për shembull se “Ali pashë Tepelena e çmonte aq shumë Xhelal pashë Zogun sa e ngarkoi që të shkonte në emër të tij dhe të shqiptarëve, tek sulltani e t’i paraqiste një peticion ku thuhej se fuqia e vërtetë në Ballkan në atë kohë ishte Shqipëria dhe se do të ishte shumë e nevojshme për qeverinë turke që t’u jepte shqiptarëve liri e autonomi”.

Pa dyshim këtu kemi të bëjmë me një sajesë të mirëfilltë dhe me anakronizma të pamenduara mirë për faktin se në kohën e Ali pashë Tepelenës, Xhelal pasha edhe në qoftë se kishte lindur duhej të ketë qenë çunak. Kulmi i sajesës arrin kur thuhet se Xhelal pashë Zogu vendosi t’i parashtronte sulltanit peticionin e Ali pashë Tepelenës dhe sulltani e pranoi peticionin e paraqitur nga Xhelal pashë Zogu dhe “me një Irade (dekret – K.F.) u akordoi shqiptarëve lirinë për të mësuar gjuhën shqipe (sic!), e për këtë qëllim u dha 2700 lira turke prej ari, për të ndërtuar dhe për të hapur shkollat shqipe (sic!)”.

(Po aty, ff. 16-17). Më tej ai thotë se Xhelal pashë Zogu ishte ambasadori i Perandorisë Osmane në Moskë dhe në Vjenë (sic!). Kur Xhelal pasha ishte në Vjenë, thuhet më tej, turqit të cilët e morën mëri, e helmuan, megjithatë, trupin e tij ata e varrosën në Stamboll, në Haxhi Badem Uskunda (Po aty, f. 17). Ne do të shkëputemi përkohësisht nga sajesat biografike që dalin nga tregimi i mbretit Zog dhe do t’u referohemi burimeve dokumentare historike.

Nga materialet arkivore që ne kemi kaluar nëpër duar, matjanin më të hershëm që mban emrin Zogolli e kemi ndeshur në fillim të shekullit XVIII. Ai përmendet në një ferman të sulltanit turk të vitit 1707, i regjistruar po atë vit në Sixhilatin e Sheries së Beratit. Në këtë ferman biri i Zogut përmendet si kapedan martallozësh – pra komandant i trupave, të cilët quheshin martallozë (nga armatolë, rrogëtarë të armatosur), të ngarkuar për të ruajtur rendin dhe qarkullimin në një trevë të caktuar.

Në këtë ferman drejtuar më 1707 kadilerëve të sanxhaqeve të Elbasanit, Vlorës dhe Ohrit, thuhet se qyteti i Manastirit dhe rrethi i tij po plaçkiteshin nga një cub me emrin Bejdullah dhe se për ta shpëtuar rrethin nga ky cub ishin emëruar tre reparte martallozësh nga Mati. Njëri prej tyre kryesohej nga Hyseni biri i Allamanit (Allaman Ogllu Hysejin), tjetri biri i Zogut (Zog-ogllu), i treti Kurti biri i Tanushit (Tanush-ogllu Kurt). Në ferman thuhet se të tre këta krerë martallozësh të pasuar nga 1000 kryengritës, me ndihmën që patën nga myteselimi i Ohrit, pasi kapërcyen grykën e lumit Drin, arritën në Manastir.

Në vend që të shpëtonin Manastirin nga plaçkitësi Bejdullah, u bënë vetë plaçkitës. Në ferman thuhet se ata pasi “grabitën në qytet tre qese pare (shifra mund të jetë gabim – K.F.), gjënë e gjallë dhe plaçkat e fshatarëve”, u larguan. Më vonë, vazhdon fermani, të tre martallozët erdhën përsëri në Manastir dhe kryen të njëjtën gjë. “Tashti, - thuhet në ferman, - ata kanë zënë grykët e kanë prerë rrugët. Kështu, ata e kanë bërë të pamundur mbledhjen e taksave shtetërore”.

Meqenëse këta, vazhdon fermani, të bashkuar me rebelët e Malit të Zi, synonin të plaçkisnin përsëri krahinën e Manastirit dhe të Follorinës, sulltani ngarkoi sanxhakbejlerët e Vlorës, Elbasanit dhe Ohrit dhe të gjithë autoritetet civilë dhe ushtarakë të këtyre tri sanxhaqeve, të cilët nën komandën e kapuxhi-bashit të oborrit perandorak, të ndërmerrnin një operacion ndëshkimor për të ndjekur dhe arrestuar tre krerët e martallozëve të Matit: Hysenin birin e Allamanit, birin e Zogut dhe Kurtin birin e Tanushit. (AQSh. Sixhilati i Beratit. Dosja nr. 2, fl. 15a).

Më vonë martallozët e Matit nuk përmenden më. Vendin e tyre e zunë derebejtë, të cilët mobilizonin kundrejt pagese bashibozukë sa herë që Perandoria Osmane ishte në luftë. Komandanti i bashibozukëve mbante titullin bej. Në Mat këtë funksion e mbajtën krerët e familjes së Zogut në turqisht Zog-ogllu, biri i Zogut, trajta në shqip u shndërrua në Zogolli (ashtu si Pasha-ogllu në Pasholli, Beg-ogllu në Begolli, Aga-ogllu në Agolli, Hoxhë-ogllu në Hoxholli e të tjerë).
Nga krerët e familjes Zogolli, të cilët u bënë komandantë të forcave të rekrutuara si bashibozukë në Mat, përmendet Xhelal pashë Zogu, gjyshi i Ahmet Zogut. Ai hyri në çerekun e tretë të shek. XIX në arenën politike ballkanike.

Njoftimet që kemi nga burimet dokumentare për Xhelal Zogun, nuk pajtohen me tregimin që nipi i tij, Ahmet Zogu, i diktoi Hysen Selmanit. Më 1861, siç e ka pohuar vetë Xhelal pasha, në një bisedë me ambasadorin rus N. Ignatiev, për të cilin do të flasim me tej, ai si derebej i Matit mori pjesë në krye të forcave bashibozuke matjane krahas ushtrisë osmane në luftën kundër ushtrive malazeze. Për këtë kontribut ai mori si shpërblim nga sulltani titullin “pashë” dhe emërimin si “kajmekan” (nënprefekt) në Dibër. Porta e Lartë duke dyshuar në besnikërinë e tij ndaj saj, e thirri në Stamboll dhe e mbajti aty si gjysmë të internuar.

Me këtë sjellje Xhelal pasha u shndërrua në një kundërshtar të sulltanit. Më 1866 u përhapën lajme se Serbia me Greqinë u morën vesh në Vësllavë që pasi të fitonin luftën kundër Perandorisë Osmane të ndanin trojet shqiptare midis tyre me kufi të përbashkët lumin Shkumbin. Për ta shpëtuar Matin (jo Shqipërinë – K.F.) nga zgjedha serbe, Xhelal pashë Zogu mendoi të formonte një principatë të vogël. Qendra e saj do të ishte Mati së bashku me krahinat shqiptare fqinje, të cilat sipas marrëveshjes së Vësllaut parashiheshin të hynin nën zgjedhën serbe. Me shpresën se do të siguronte mbështetjen e Rusisë, Xhelal pasha trokiti në dyert e ambasadës ruse në Stamboll.

Rreth bisedimeve që ai pati me ambasadorin rus në Stamboll, N. Ignatiev, ne marrim dijeni nga relacioni që ambasadori i drejtoi më 6 prill 1866 ministrit të Jashtëm të Perandorisë Ruse në Sankt-Petersburg, P.N. Stremouhov. Ignatievi e prezanton Xhelal pashë Zogun me këto fjalë: “Prijës shqiptar dhe pinjolli i njërës nga familjet më influente myslimane në Shqipërinë e Veriut”. Ambasadori rus shkruan se, sipas fjalëve të Xhelal pashë Zogut, shqiptarët janë të shqetësuar ngase Perandoria Osmane po përpiqej “të zhdukte sistematikisht rendin e vendosur në Shqipëri prej qindra vjetësh, si dhe privilegjet dhe liritë që i janë dhënë këtij vendi prej pushtuesve të tij të parë dhe se tani ata po shfrytëzojnë gjendjen e turbullt për të mbrojtur me armë në dorë të drejtat e tyre”.

Gjithnjë sipas relacionit të ambasadorit Ignatiev, Xhelal pashë Zogu iu drejtua Rusisë për këtë gjendje të mjeruar të Shqipërisë, me qëllim “që më vonë të kishte përkrahjen morale të saj në këshillin e shteteve evropianë, meqenëse Rusia, sipas Xhelal pashës, ka qenë kurdoherë mbrojtëse e interesave të vërteta të të gjitha kombësive nën sundimin turk” (sic!). Në relacion Ignatievi shkruan: “Duke vënë veten dhe të gjithë ndjekësit e tij në dispozicion të plotë tonin, Xhelal pasha më deklaroi, se ai nuk do të bëjë asgjë pa u këshilluar me ne dhe se të gjitha shpresat e tij për lehtësimin e fatit të popullit shqiptar i ka mbështetur vetëm në simpatinë dhe në mëshirën e Carit rus”.

Sipas fjalëve që Xhelal pasha i tha ambasadorit rus, ai “mund të mbështetej njëqind përqind në ndihmën e njëzet mijë burrave, të gatshëm të fillojnë kryengritjen me thirrjen e tij të parë (shifra sigurisht e zmadhuar – K.F.) dhe se ishte i sigurtë se më vonë do të bashkohej me të një pjesë e Arnautllëkut (Shqipërisë)”. Në raport thuhet se ambasadori rus shton se ai nuk e kundërshtoi aspiratën e Xhelal pashës, ngase ky po të mbetej i pakënaqur nga Rusia mund t’i drejtohej për ndihmë fuqive të tjera të mëdha, si për shembull Francës apo Italisë.

Si rrjedhim, N. Ignatievi e përkrahu aspiratën e Xhelal pashës, por nga ana tjetër e këshilloi “të mos bënte asgjë para kohe dhe në çdo rast të mos vepronte vetëm, i shkëputur prej atyre kombësive interesat e të cilave ishin identike me ato të Shqipërisë”. Me porosinë që të mos vepronte i shkëputur nga interesat e fqinjëve me siguri N. Ignatievi aludonte për Serbinë, meqenëse trojet që do të përfshiheshin në principatën e Xhelal pashës, në bazë të marrëveshjes së Vësllaut, Beogradi i lakmonte për vete. Në fakt, ambasadori rus e porositi Xhelal pashën që “të hynte në marrëdhënie direkte me qeverinë serbe”.

Meqenëse vetë Xhelal pasha nuk mund të largohej nga Stambolli, ai nisi për në Beograd një nga njerëzit e tij. Ambasadori rus shton se për ta lidhur Xhelal pashën ekskluzivisht ndaj Rusisë, ai mori prej tij një garanci me shkrim ku pashai matjan zotohej se nuk do të bënte asgjë pa pëlqimin e qeverisë cariste. Relacioni mbyllet me lutjen e N. Ignatievit drejtuar Ministrisë së Jashtme ruse, për ta mbajtur tepër sekret përmbajtjen e këtij raporti. (Arkivi i Shtetit. S. Petersburg. Fondi: Ministria e Punëve të Jashtme, Misioni perandorak rus. Stamboll. Dok. Nr. 1151). Nisma e Xhelal pashë Zogut dështoi, mbasi qeveria e Beogradit refuzoi të mbështeste aspiratën e tij.

Pas vdekjes së Xhelal pashë Zogut, vendin e tij si kryetar të shtëpisë të Zogollëve të Burgajetit e zuri biri i tij Xhemali, i cili nuk dimë se me ç’rast mori nga sulltani titullin Pashë. Me gruan e tij të parë Xhemali pati një djalë, të cilit i vuri emrin e gjyshit Xhelal. Sipas biografisë të Ahmet Zogut të botuar në vëllimin “10 vjet mbretni”, pas vdekjes së gruas së parë Xhemal pashë Zogu u martua më 1890 me Sadije Toptanin, vajza e Emin Toptanit, kushëri i Esat pashë Toptanit. Ahmeti ishte fëmija i dytë i tyre.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.07.2013
 

Po nga Kristo Frasheri mund te lexoni dhe  
EKSKLUZIVE/ Fischer: Pse dështoi Zogu për Shqipërinë perëndimore
 EKSKLUZIVE Konica: E kam njohur Zogun, kurrë s'tha të vërtetën
 Eqerem Vlora, një nga kritikët më të mëdhenj të Ahmet Zogut
Gabimi i rëndë i Ahmet Zogut: Nuk mbajti qeveri në mërgim
DOKUMENTI SURPRIZË/ Letra e Duçes: Hasan Prishtina njeriu ynë
Ja pse e dhuroi Ahmet Zogu Shën Naumin dhe Vermoshin
Si ndikoi marrëveshja e Zogut me Pashiçin tek kufijtë e Shqipërisë
Si u bë ministër i Brendshëm 25-vjeçari Ahmet Zogu
Kristo Frashëri: Si e manipuluan historinë biografët e Ahmet Zogut


Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Humbja në Liverpool, Ancelotti: Keni për ta parë, do kualifikohemi dhe do garojmë për trofeun

Humbja në Liverpool, Ancelotti: Keni për ta parë, do kualifikohemi dhe do garojmë për trofeun