Më 3 mars, në Bruksel u zhvillua mbledhja e 17-të e Nënkomitetit “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, një nga forumet më të rëndësishme të dialogut institucional ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në kuadër të procesit të anëtarësimit.

Në përbërje të delegacionit shqiptar ishin përfaqësues të institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë dhe të institucioneve të pavarura të tjera, si:  Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Avokati i Popullit.

Frontline” ka arritur të zbardhë ekskluzivisht pyetjet që i janë drejtuar drejtuesve të institucioneve kyçe të Drejtësisë në Shqipëri.

Në Report Tv, Marsela Karapanço zbuloi pyetjet e bëra lidhur me reformën në drejtësi, politikat antikorrupsion, të drejtat themelore të njeriut dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Pytja më direkte lidhur me Prokurorinë e Posaçme ishte se "cilat janë masat e parashikuara për të garantuar respektimin e pavarësisë së SPAK-ut?"

Gjithashtu, në Nënkomitetin “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, drejtuesit e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri janë pyetur edhe "A mund të na përditësoni mbi propozimin për ndryshime ligjore që përjashtojnë kategori të tjera të zyrtarëve publikë nga masa paraprake e pezullimit nga detyra, sipas nenit 242(2) të Kodit të Procedurës Penale? A mund të konfirmoni se këto ndryshime nuk do të kenë efekt prapaveprues?" Këto ndryshime ligjore u paralajmëruan nga kryeministri Edi Rama pas pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut, asokohe zëvendëskryeministre dhe ministrise e Energjisë dhe Infrastrukturës, pasi Gjykata Kushtetuese nuk arriti shumicën e votave, duke u ndarë 4 me 4 dhe për rrjedhojë u rrëzua ankimimi i qeverisë ku pretendohej ndërhyrje e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit.

Më poshtë rendisim pyetjet e plota:

REFORMA NË DREJTËSI
* A mund të jepni një përditësim mbi përpjekjet për ndërhyrje dhe presion ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë publikë ose politikanë, si dhe mbi masat e parashikuara dhe të zbatuara për të trajtuar dhe parandaluar në mënyrë efektive ndikimin e padrejtë mbi gjyqësorin? Cili është progresi në monitorimin sistematik dhe hetimin efektiv të këtyre rasteve?
* Si planifikojnë KLGJ, KLP dhe ILD të forcojnë bashkëpunimin e tyre, veçanërisht për të siguruar një kuptim të përbashkët të masave disiplinore dhe për të reduktuar mospërputhjet ndërmjet masave disiplinore përfundimtare të miratuara nga Këshillat dhe atyre të propozuara nga ILD?
* Cilat janë masat e marra ose të parashikuara nga KLP dhe KLGJ për të reduktuar më tej stokun e dosjeve të vlerësimit, duke adresuar boshllëqet ekzistuese dhe duke siguruar që të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët t’i nënshtrohen vlerësimeve të kërkuara për ngritje në detyrë, në përputhje me prioritetet e funksionimit efektiv të sistemit gjyqësor?
POLITIKA ANTIKORRUPSION
* A mund të na përditësoni mbi propozimin për ndryshime ligjore që përjashtojnë kategori të tjera të zyrtarëve publikë nga masa paraprake e pezullimit nga detyra, sipas nenit 242(2) të Kodit të Procedurës Penale? A mund të konfirmoni se këto ndryshime nuk do të kenë efekt prapaveprues?
* Cilat janë masat e parashikuara për të garantuar respektimin e pavarësisë së SPAK-ut?
* Cilat janë masat e marra ose të parashikuara për të përmirësuar integritetin dhe për të parandaluar infiltrimin kriminal dhe korrupsionin në Policinë e Shtetit?
TË DREJTAT THEMELORE
* A mund të jepni një përditësim mbi adresimin e rekomandimeve të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut?
LUFTA KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR
* Cili është afati kohor për miratimin e strategjisë kombëtare për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit të rëndë, bazuar në shkëmbimet me asistencën tonë teknike, në vlerësimin e strategjisë së mëparshme dhe në funksion të përmbushjes së hapit të Agjendës së Reformës për qershor 2026?
* A mund të ndani një përditësim mbi afatin kohor për ristrukturimin e Policisë së Shtetit Shqiptar? A do të shoqërohet ristrukturimi me shtim të stafit dhe burimeve, veçanërisht në pajisje dhe ambiente shtesë?