Ekskluzive/ Në Shqipëri ka ende
83 ton armë kimike kineze

Ekskluzive/ Në Shqipëri ka ende<br />83 ton armë kimike kineze
TIRANE- Fuçitë që lëvizin ushtarë me maska në repartin ushtarak të Kimisë në Qafë Mollë janë lëndë helmuese kimike. Ndonëse Shqipëria u deklarua më 2007 se i kishte eliminuar, një marrëveshje Imami-OSBE e 2012-ës tregon për të kundërtën.Zbulohet misteri i fuçive, të filmuara nga kamerat e TV A1 Report në repartin ushtarak të Kimisë në zonën prapa malit të Dajtit, pak kilometra larg kryeqytetit. Fjala është për lëndë helmuese kimike, që ndodhen ende në inventarin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Këto substanca po ripaketohen, në përpjekje për t’u larguar nga Qafë Molla, nga një firmë greke, e kontraktuar nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë. Prania e lëndëve të tilla është mbajtur e fshehtë nga opinioni publik, por pranohet hapur në një marrëveshje, të lidhur midis ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami dhe kreut të Pranisë së OSBE-së në Tiranë Eugen Wolfarth, që më 16 prill të vitit të kaluar.

Në marrëveshje thuhet se në Shqipëri ende janë të pranishme 83 ton lëndë kimike të rrezikshme, në inventar të Forcave të Armatosura dhe uzinave ushtarake të kontrolluara nga ministria e Mbrojtjes. Ky dikaster ka kërkuar ndihmë teknike nga OSBE për të eliminuar sasinë në fjalë, duke vënë në dispozicion personelin dhe kapacitetet aktuale demontuese të pranishme në Shqipëri për një gjë të tillë, si dhe duke ofruar lehtësi portuale, çka nënkupton se kimikatet mund të largohen në drejtim të një vendi të huaj në rrugë detare.

faksimile
(Foto: Faksimile e marrëveshjes së 16 prillit 2012 midis ministrit Imami dhe kreut të OSBE për asgjesimin e 83 ton lëndë kimike)

Sipas burimeve të Shqiptarja.com, OSBE tashmë ka kontraktuar një firmë nga Greqia për të kryer ripaketimin e lëndëve helmuese kimike ende në dispozicion të ushtrisë shqiptare, e cila është angazhuar në grumbullimin e tyre dhe ka si opsion të mundshëm edhe largimin drejt Turqisë.
Ky fakt, i zbuluar vetëm tani, flet qartë për atë, se ushtarakët me maska, të filmuar nga kamera e TV A1 Report një javë më parë në Qafë Mollë duke lëvizur fuçi pa etiketa, janë duke magazinuar armë kimike, që, sipas Marrëveshjes, janë jo pak, por 83 ton. Ata janë duke kryer operacionin e ripaketimit të fuçive, të cilat mund të kenë pësuar dëmtime gjatë kohës së stokimit dhe, si pasojë, ekziston rreziku i rrjedhjeve.

Marrëveshja nuk flet për atë se ku shkojnë këto lëndë të ripaketuara, por, sipas burimeve nga ministria e Mbrojtjes, një urdhër nga ministrja Kodheli ka përcaktuar Uzinën Kimike të Mjekësit në Elbasan si vend të stokimit të këtyre lëndëve, pasi ka kërkuar lirimin sa më shpejt të një hapësire prej 80 mijë metrash katrorë apo tetë hektarësh. Kjo hapësirë mund të përdorej jo vetëm për armët kimike të Qafë Mollës, por edhe për ato siriane, në rast se do të merrej vendimi nga qeveria shqiptare për të pranuar një pjesë të tyre për demontim në territorin shqiptar.        

Në këtë kuadër, duket mjaft absurde që Shqipërisë t’i kërkohet pranimi i qindrave ton armë kimike, ndërkohë që ajo ende ka dhjetra ton të palikuiduara. Demontimin e tyre shteti ynë nuk ka arritur ta kompletojë, edhe pse në vend u montua dhe punoi për disa vjet një impiant amerikan i posaçëm. Ndërkohë, në Uzinën e Mjekësit aktualisht trajtohen lëndë plasëse, duke përfshirë armatimet, por eliminimi i armëve kimike kërkon pajisje që Shqipëria nuk i ka.

Sidoqoftë, kjo do të përbënte një rrezik të konsiderueshëm për mjedisin dhe shëndetin, që vende të tjera përpiqen ta shmangin. Kështu, Turqia është fqinjë me Sirinë, por ndërkombëtarët nuk e përmendin si vend të mundshëm destinacioni për armët kimike siriane, ndërkohë që nga Shqipëria atje edhe mund të përfundojnë lëndë helmuese kimike.
Në rast se quhet i besueshëm informacioi i dhënë nga francezja “Le Monde”, qeveria amerikane pret një përgjigje nga qeveria shqiptare jo më larg se 15 nëntori për pranimin si destinacion të këtij arsenali të rrezikshëm, kundrejt pagesës.

Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Periódico’: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një perlë me peizazhe spektakolare dhe qytete historike

Media spanjolle ‘El Periódico’: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një perlë me peizazhe spektakolare dhe qytete historike