Ekskluzive/ Prapaskenat e zgjedhjes së Arben Krajës në krye të SPAK, anëtarët e KLP: Ja avantazhi i tij

Ekskluzive/ Prapaskenat e zgjedhjes së Arben Krajës në krye të SPAK, anëtarët e KLP: Ja avantazhi i tij

Arben Kraja

Shqiptarja.com zbardh diskutimet në mbledhjen me dyert të mbyllura të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, gjatë të cilës Arben Kraja u emëruar me gjashtë vota në krye të Prokurorisë së Posaçme, e projektuar në ndryshimet kushtetuese të 2016 për të luftuar krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet. Pas votimit, gjashtë anëtarët Sandër Beci, Vatë Staka, Kostaq Beluri, Bujar Sheshi, Alfred Balla dhe Nurihan Seiti kanë arsyetuar mbështetjen e tyre për Arben Krajën. Anëtari i KLP Sandër Beci ka theksuar se eksperienca në hartimin e rregulloreve administrative dhe formimi ekonomik i kanë dhënë avantazh Krajës në raport me dy kandidatët e tjerë Atin Dumani dhe Edvin Kondili për drejtimin e SPAK-ut.

Gjatë diskutimeve, anëtarja Nurihan Seiti ka vënë në pah eksperiencën në pozicionet drejtuese si dhe platformën e Kajës për drejtimin e SPAK-ut. Anëtari Vatë Staka ka vlerësuar si avantazh të Krajës faktin se është diplomuar në dy fakultete, juridik dhe ekonomik, si dhe zgjedhjen e tij tre herë për drejtimin e task forcave. Ndërsa anëtari Kostaq Beluri u ka hequr nga një pikë kandidatëve Edvin Kondili për eksperiencën e aftësive të organizimit dhe të drejtimit të një strukture si dhe Altin Dumanit tek kriteri për vizionin dhe planin e besueshëm për drejtimin e një strukture, duke vlerësuar maksimalisht Arben Krajën. Anëtari i KLP Bujar Sheshi, në vlerësimin e tij, ka theksuar se Kraja ka një eksperiencë më të madhe në hartimin dhe miratimin e rregulloreve dhe akteve administrative se sa Dumani dhe Kondili. Anëtari Alfred Balla ka vlerësuar tek Kraja eksperiencë jetësore, profesionale dhe drejtuese, si dhe karakterin solid. 

Diskutimet në mbledhjen e KLP 
-Gent Ibrahimi: Është momenti për demostrimin e mbështetjes për kandidatin e dytë z. Kraja. Do shohim se cilët prej kolegëve mbështesin z. Kraja dhe pastaj do të dëgjojmë prej secilit prej tyre motivin e mbështetjes. Hapim votimin. Atëherë në mbështetje të z. Kraja kemi gjashtë vota, kemi edhe fituesin. Janë pro Beci, Staka, Beluri, Sheshi, Balla dhe Seiti. Po filloj me z. Beci për shpjegimin e votës së tij. 

-Sandër Beci: Ishte shumë e vështirë të bëje dallimin ndërmjet kandidatëve. Unë them që z. Kraja ka një pikë më tepër në kriterin e që lidhet eksperiencën që lidhet me hartimin e rregulloreve administrative. Kjo vjen edhe nga eksperienca e gjatë e tij dhe nga pozicioni që ka pasur gjatë karrierës së tij në Prokurorinë e Përgjithshme, që i ka mundësuar ndoshta që të ketë një kriter të tillë më mirë se sa kandidatët e tjerë. Nuk po flas për pikëzimin tjetër, por ky ishte dallimi nga dy kandidatët e tjerë, për të cilët kam vlerësim maksimal. Është edhe një aspekt tjetër që kam vlerësuar tek kandidati Arben Kraja, ndoshta formimi i tij edhe në fushën ekonomike përputhjet në mënyrë më të plotë me natyrën e Prokurorisë së Posaçme, e cila ka dy drejtime kryesore: Luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

-Nurihan Seiti: Ajo që bëri dallimin për mua ishte: Z. Kraja pati një refleksion për deformimin e strukturës së sistemit tonë, duke e filluar këtë mision nga fajësia e tij, edhe pse nuk mund të jetë një fajësi personale. Kjo ishte pjesë e parë që bëri dallimin. E dyta, kishte një shkallë lëvizëse si drejtues dhe paraqiti mënyrën më modeste, megjithëse jetën e tij pothuajse e kishte pasur si drejtues. Elementi ishte një konfiguracion origjinal se si ai do të startojë si shef i SPAK-ut. Të tria këto për mua e bënë një profil për të drejtuar SPAK-un. 

-Vatë Staka: Unë vendosa të votoj z. Kraja për drejtues të Prokurorisë së Posaçme për disa elementë që bënin ndryshimin: Fakti i shkollimit të tij, i cili ka dy universitete, është diplomuar në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik. Së dyti është ndër të parë prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme, i cili është caktuar në vitin 2007, 2009 dhe 2014 për të drejtuar njësitë e task forcës. Nisur nga këto elementë unë vlerësova se z. Kraja i ka aftësitë dhe mundësitë për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme.  

Kostaq Beluri: Unë kam dhënë pikë maksimale për të tre kandidatët në 7 kriteret e vendosura, me penalizmin për kandidatin Edvin Kondili në kriterin e dytë, tek eksperienca e aftësive të organizimit dhe të drejtimit të një strukture. Kam penalizuar kandidatin Altin Dumani me një pikë tek kriteri për vizionin dhe planin e besueshëm për drejtimin e një strukture, nga fakti që gjatë intervistës kandidati Dumani, kur iu kërkua për të dhënë një përshkrim të vizionit të tij për organizimin e punës brenda SPAK-ut, unë vlerësoj se nuk ishte i saktë kur vizionin e tij e shihte që për çdo dosjet që çonte në gjykim duhej një analizë e përbashkët mes oficerëve dhe prokurorëve, në një kohë kur prokurorët janë të pavarur. Besoj se isha i qartë.  

-Bujar Sheshi: Në vlerësimin tim të tre kandidatët ishin plotësisht të aftë dhe të besueshëm për të marrë mbi vete detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Unë shpresoj se besoj se të dy kandidatët e tjerë do të jenë pjesë e ekipit drejtues të kësaj prokurorie. Duke pasur parasysh se tre vitet kalojnë shpejt, ata do të kenë mundësi të konkurrojnë sërish për t’u zgjedhur drejtues në mandatet e tjera. Diferenca ndërmjet tyre sipas pikëzimit që unë kam bërë ofrohet më shumë me një nuancë, sepse nuk gjej veçori të tjera përveç kësaj nuance. Për z. Dumani, në mendimin tim, një element në 7 kriteret që i plotëson në mënyrë të shkëlqyeshme, është pjesa e eksperiencës në hartimin dhe miratimin e rregulloreve dhe akteve administrative. Z. Kraja rezulton që të ketë një përvojë më të madhe në këtë pjesë. E njëjta gjë vlen edhe për z. Kondili.  

-Alfred Balla: Tek z. Kraja, eksperienca jetësore, ajo profesionale dhe drejtuese, karakteri solid, më bëri që të votoj maksimalisht këtë kandidat.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia