Ekskluzive/Prokuroria e Tiranës
fletëthirrje Shkëlzen Berishës

EKSKLUZIVE - Prokuroria e Tiranës ka lëshuar një fletëthirrje për Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha. 

Burime për Report Tv konfirmojnë ekskluzivisht shkresën e Prokurorisë dhe pohojnë se Shkëlzen Berisha do pyetet për çështjen "CEZ". Por prokurori i çështjes Ardian Braho i kontaktuar nga Report Tv e ka mohuar dërgesën e një fletëthirrje për Shkëlzen Berishën.

Të njëjtin pohim bëri edhe kryeprokurori i Tiranës. Po ashtu burime pranë Shkëlzen Berishës thonë se ai deri në këto momente nuk e ka marrë një fletëthirrje të tillë. Megjithatë, burime për Report Tv ngulmojnë se fletëthirrja ka mbërritur në banesën e Shkëlzen Berishës ditën e djeshme, e cila është dërguar me postë. 

Gjithashtu bëhet e ditur se fletëthirrje ka edhe për Nuel Kalajn, i njohur ndryshe si sekseri i negocimit të marrëveshjes për privatizimin e OSSH te kompania çeke "CEZ". 

Shkëlzen Berisha u thërrit tre herë nga komisioni hetimor parlamentar për skandalin "CEZ", por në të treja prezencat përpara këtij komisioni ai nuk iu përgjigj pyetjeve të deputetëve, duke refuzuar të bëjë edhe betimin.  

Lidhja e Shkëlzen Berishës në privatizimin e OSSH
Ish-juristi i OSHEE, Romeo Kara në një dëshmi përpara komisionit hetimor për CEZ rreth një vit më parë, akuzoi Shkëlzen Berishën se ka qenë njeriu që ka negociuar marrëveshjen me çekët bashkë me sekserin Nuel Kalaj. Edhe sipas provave të mbledhura nga komisioni hetimor, rezultonte se Shkëlzen Berisha kishte zhvilluar negociata me drejtuesit çek të kompanisë.

Po sipas fakteve të komisionit, Nuel Kalaj, bashkëpunëtori i Shkëlzen Berishës, ka kryer transaksione bankare në vlerën e 7 milionë euro vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës dhe pasi ishte realizuar privatizimi i OSSH-së. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Emaili i ish-drejtorit të CEZ
Një nga provat e administruara nga komisioni hetimor, ka qenë edhe emailet e ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, dërguar nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, duke e informuar rreth takimit të planifikuar me ish-kryeministrin Berisha dhe të birin e tij.

 

Së dyti, nga të dhënat e sistemit TIMS, rezulton se Shkëlzeni dhe Kastriot Ismailaj kanë udhëtuar në një avion drejt Vjenës. Po sipas provave të siguruara nga komisioni, një tjetër element dyshues ishte se llogaria bankare e Shkëlzenit ishte shtuar me 300 mijë euro vitin që Nuel Kalaj tërhoqi nga banka 7 milionë euro. Sikurse, dëshmitari Romeo Kara ka folur publikisht për lidhje të Shkëlzenit me Nuel Kalajn.

Nga ana tjetër, Shkëlzen Berisha ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me Nuel Kalajn, ndërsa vetë ky i fundit, i cili nuk u paraqit asnjëherë në komision për të dëshmuar, pavarësisht thirrjeve dhe urdhrit për t'u shoqëruar nga policia, ka thënë se i vetmi rol i tij ka qenë ai patriotik, për të sjellë investitorë të huaj në Shqipëri.  

Redaksia Online

l.q/Shqiptarja.com

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen