Prokuroria e Tiranës po mbledh prova për të zbardhur ngjarjet e ndodhura gjatë protestës, ndërsa Report Tv mëson ekskluzivisht se i është dërguar një letërporosi Italisë për rastin e 28-vjeçarit Erjon Vishulli, i cili mbeti i plagosur në sy.

Hetimet po kryhen nga një grup prokurorësh, i drejtuar nga Ndini Tavani. Prokuroria po administron të gjitha pamjet duke nisur nga kamerat e policisë, mediat dhe kamerat e sigurisë, ndërsa po merren në pyetje edhe personat që kanë mbetur të dëmtuar gjatë protestës.

Një nga rastet që po hetohet është ai i 28-vjeçarit Erjon Vishulli, i cili u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë me makinën e Report Tv.

Report Tv mëson se Prokuroria i ka dërguar një letërporosi Italisë, ku i riu pritet t'i nënshtrohet ndërhyrjes së dytë kirurgjikale. Pas heqjes nga syri, trupi i huaj do të sekuestrohet dhe do të ekzaminohet për të përcaktuar materialin e tij. 

Në kuadër të hetimeve po verifikohen edhe rastet e dyshuara të tejkalimit të forcës nga efektivët e policisë, disa prej të cilëve janë pezulluar. Për këto raste, Prokuroria ka regjistruar hetim kryesisht, ndërsa ka marrë edhe referime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Ndërkohë, për rastet e dhunës ndaj punonjësve të policisë është regjistruar një çështje tjetër, ku personat e arrestuar janë me masa sigurie.